Kronikë

Në Ditën e Mësuesit, sulmohet mësimdhënësi në Gërdoc të Podujevës

Dita e mësuesit nuk ka kaluar pa incidente në shkollat e Podujevës. Një prind dyshohet se e ka sulmuar fizikisht një mësimdhënës në shkollën e fshatit Gërdoc të kësaj komune.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, i ka thënë KOHËS se viktima ka pësuar lëndime trupore, ndërkohë që i dyshuar është dërguar në mbajtje.

“Sot rreth orës 11:00, kemi marrë informatën për një sulm fizik në fshatin Gërdoc të Podujevës. Bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se një person ka pësuar lëndime trupore, pasi është sulmuar fizikisht nga një person i dyshuar. Lidhur me këtë rast i cili është cilësuar sulm ndaj personit zyrtar, policia ka arrestuar personin e dyshuar: I.Z. mashkull, 43 vjeç. Ndaj tij është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë”, ka thënë zëdhënësja Ahmeti.

Edhe drejtori për Arsim në Podujevë, Avni Fetahu, e ka konfirmuar incidentin në shkollën e Gërdocit.

“Në Shkollën e Gërdocit ka pas një konflikt verbal në mes të një nxënësi (R.Z.) dhe arsimtarit të fizikës (A.B.). Pasi nxënës i revoltuar e ka njoftuar prindin e tij, ky i fundit ka shkuar në shkollë dhe e ka sulmuar mësimdhënësin. Ne po e presim një raport zyrtar nga policia dhe te shohim si të veprojmë tutje”, ka thënë Fetahu.

Drejtori për Arsim ka thënë se ndien keqardhje për këtë rast, e sidomos që kjo ka ndodhur më 7 mars, ditë që shënohet Dita e Mësuesit.