Kronikë

Në Mitrovicë të Veriut sekuestrohen armë, municion dhe pajisje ilegale

Në Mitrovicë të Veriut sekuestrohen armë, municion dhe pajisje ilegale

Policia e Kosovës të shtunën ka sekuestruar armë, municion dhe pajisje të tjera ilegale pas një operacioni në një podrum afër Sheshit “Car Lazar”.

Gjatë kontrollit, sipas njoftimit të Policisë, janë konfiskuar: pushkë automatike, pushkë gjahu, 50 fishekë, kondak pushke, një palë pranga, mbajtës pushke, maskë kundër helmeve me çantën e saj, këllëf arme dhe 5 karikatorë të zbrazët.

Lidhur me rastin është informuar prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e procedurës për “Mbajtje në pronësi, kontrollë ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Aktualisht nuk ka persona të arrestuar, ndërsa hetimet vazhdojnë.

Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që çdo informacion për armë ilegale, substanca narkotike apo veprimtari të tjera të kundërligjshme ta raportojnë menjëherë përmes numrit 192 ose përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”.

Sveçla pas konfiskimit të armëve në Mitrovicën e Veriut: S’ka më strehë për kriminelët

44 min. më parë / 27 sht 2025 16:49
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla

Photo: Driton Paçarada

Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ka thënë se nuk ka më strehë për kriminelët apo elementet e tjera që cenojnë sigurinë e vendit, pas konfiskimit të disa armëve që u bënë në një bodrum në qendër të Mitrovicës së Veriut të shtunën.

Sveçla u shpreh se mbesin të përkushtuar ndaj rendit dhe ligjit.

“Asnjë pjesë e territorit të Republikës sonë nuk është më strehë as për kriminelë e as për armatim apo elemente të tjera që cënojnë sigurinë e vendit tonë. Në qendër të Mitrovicës së Veriut, në bodrumin e një ndërtese kolektive sot janë gjetur dy armë, municion i llojeve të ndryshme, karikatorë, gazmaskë e pranga. Mbetemi të përkushtuar ndaj rendit dhe ligjit, sigurisë dhe stabilitetit për qytetarët tanë dhe për Republikën tonë”, ka shkruar ministri në detyrë.

Policia e Kosovës të shtunën ka konfiskuar pushkë automatike, pushkë gjahu, 50 fishekë, kondak pushke, një palë pranga, mbajtës pushke, maskë kundër helmeve me çantën e saj, këllëf arme dhe 5 karikatorë të zbrazët në një bodrum afër sheshit “Car Lazar” në Mitrovicën e Veriut.