Gjykata Themelore në Ferizaj ia ka caktuar një muaj paraburgim të miturit që theri një të mitur tjetër në Ferizaj më 27 prill.
Rasti ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme në rrjetin social “Snapchat” , ku më pas të miturit ishin takuar në oborrin e shkollës e pas fjalosjes e kishte goditur tri herë me thikë.
I mituri është transferuar në QKUK në Prishtinë për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore pas therjes.
“... më datë 27.04.2025, rreth orës 15:10, në një rrugë në Ferizaj, përkatësisht përballë shkollës se mesme të mjekësisë, i mituri me dashje ka tentuar që ta privojë nga jeta të dëmtuarin e mitur, në atë mënyrë që, pas një mosmarrëveshje të mëhershme, përmes rrjetit social “snapchat”, dhe me tu takuar në oborrin e shkollës së lartcekur, i mituri paraprakisht kishte siguruar një mjet të mprehtë-thikë, mjet ky i përshtatshëm për shkaktimin e lëndimit të rëndë trupor apo dëmtimin e shëndetit, ku fillimisht e ofendon me fjalë banale të dëmtuarin, e më pas e godet tre herë radhazi me thikë në pjesën e gjoksit dhe krahut, për çka i njëjti si pasojë e këtyre goditjeve pëson lëndime të rënda trupore, e për ato lëndime posedon edhe raport mjekësor të datës 27.04.2025, lëshuar nga Spitali i Përgjithshëm, Qendra Emergjente në Ferizaj, e për shkak të gjendjes kritike shëndetësore, i njëjti transferohet menjëherë në QKUK në Prishtinë”, thuhet në komunikatën e gjykatës.