Një person është plagosur të hënën në Pejë. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka njoftuar për KOHËN se Policia ka pranuar rreth orës 13:50 informata për të shtëna me armë në lagjen “Jarina” në Pejë.
Gashi ka thënë se viktima është dërguar për trajtim në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës e më pas është transferuar në QKUK në Prishtinë.
“I dyshuari është i njohur për Policinë dhe është në kërkim”, ka thënë Gashi.
Për plagosjen ka njoftuar edhe Spitali i Përgjithshëm i Pejës.
“Një pacient ka ardhur sot i plagosur në Spitali i Përgjithshëm në Pejë. Pacienti është stabilizuar nga ekipi mjekësor dhe, pas vlerësimit profesional, është transferuar për trajtim të mëtutjeshëm në Prishtinë. Transferimi është realizuar sipas protokolleve mjekësore, në bashkëpunim me shërbimet përkatëse emergjente, me qëllim ofrimin e kujdesit shëndetësor sa më adekuat për pacientin”, ka njoftuar Spitali i Pejës.
