Policia Rajonale e Ferizajt ka publikuar raportin vjetor të aktiviteteve gjatë vitit 2022 i cili sipas zyrtarëve komunal ishte ndër vitet më të ngarkuara me punë në fusha të ndryshme.
Sipas raportit gjatë vitit 2022 Policia e Kosovës ka shqiptuar gjithsejtë 70 mijë e 747 tiketa të ndryshme në komunikacion apo 48 për qind më shumë në krahasim me vitin paraprak 2021.
Sipas Policisë, kjo ka bërë që gjatë vitit 2022 të kenë më pak aksidente në komunikacion dhe aksidente me fatalitet.
Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë së Kosovës për Regjionin e Ferizajt, në një intervistë për Kohën ka thënë gjatë vitit 2022 ishte një objektiv i arritur derisa ishte një angazhim i veçantë i të gjitha njësive të Policisë së Kosovës në Regjionin e Ferizajt.
“Gjatë vitit 2022 kanë qenë një mijë e 681 aksidente në komunikacion për dallim nga viti paraprak 2021 që ishin një mijë e 743 aksidente, apo një zbritje prej minus 3.6 për qind. Kemi qenë mirë me aksidentet fatale derisa gjatë vitit 2022 kanë vdekur vetëm 4 persona në aksidente, ndërkaq në krahasim me vitin 2021 kanë vdekur 17 persona në aksidente të komunikacionit, andaj këtu kemi një zbritje prej 66.7 për qind. Ndërkaq nuk kanë munguar aktivitetet e policisë derisa gjatë vitit 2022 janë shqiptuar 70 mijë e 747 gjoba të ndryshme në komunikacion, për dallim nga viti 2021 që kanë qenë 47 mijë e 584 gjoba apo një rritje prej 48 për qind. Kjo sigurisht ka ndikuar që të kemi më pak aksidente në komunikacion”, ka thënë Veseli.