Ka nisur gjykimi në rastin e njohur “Capat dhe Sekiraqët”. Dy të akuzuar për vrasjen në Aktash në vitin 2024, Endrit Llapashtica dhe Dardan Marevci do të gjykohen në mungesë.
Endrit Llapashtica akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Ndërsa, Dardan Marevci ngarkohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” në tentativë dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Prokurori Bashkim Zeqaj i kërkoi Gjykatës që gjykimi të mbahet në mungesë, për shkak se të pandehurit gjenden në arrati dhe janë të paarritshëm për organet e drejtësisë.
“Edhe në shqyrtimin e kaluar fillestar, e kam sqaruar se Prokuroria lidhur me këta dy të pandehur i ka marrë të gjitha veprimet e nevojshme për sigurimin e tyre, por të njëjtit gjenden në arrati. Andaj, prokurori i shtetit e ka ngritur aktakuzën në mungesë ndaj të pandehurve Endrit Llapashtica dhe Dardan Marevci, pasi janë shterur të gjitha mundësitë ligjore për arrestimin e tyre. Prandaj janë plotësuar të gjitha kushtet për mu ngrit kjo aktakuzë. Kemi marrë të gjitha veprimet duke filluar nga urdhërarresti, letër-rreshtimi vendor dhe ndërkombëtar, mirëpo ata qëndrojnë në arrati, edhepse janë të vetëdijshëm se ndaj tyre është duke u zhvilluar procedura penale, dhe këtë e bëjnë me qëllim të shmangies së thirrjeve të organeve të rendit”, ka thënë ai.
E gjyqtarja Fatime Dërmarku tha se janë plotësuar kushtet për mbajtjen e gjykimit në mungesë.
Edhe
Procesi gjyqësor për Masakrën e Reçakut joserioz, mungojnë avokatët e katër të akuzuarve
“Meqenëse nuk prezantojnë të pandehurit dhe nuk kemi informuar asnjë informacion… erdhi në përfundim se gjykimi në mungesë mund të mbahet”, ka thënë ajo.
Gjyqtarja Dërmaku tha se për këtë rast akuzohen edhe persona të tjerë, mirëpo procedura është ndarë me dy të pandehurit, meqë gjykimi për dy të pandehurit do të zhvillohet në mungesë.
Aktakuza u konsiderua e lexuar, meqë është lexuar në seancën ndaj të pandehurve të tjerë.