(Tekst i përditësuar) - Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon procesi gjyqësor ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt më 2023.
Në seancën e së premtes ishte paraprë të dëshmojë Shaban Murseli, babai i të akuzuarit Naim Murselit.
Por ai nuk është paraqitur në Gjykatë.
Gjyqtarja Fatime Dërmaku ka thënë se ai përmes telefonit u ka thënë se nuk do të jetë në seancë por se qëndron prapa deklaratës që ka dhënë më herët.
“Shaban Murseli ka qenë i planifikuar, por po e shoh qe nuk është ketu. Mungln shaban mjrslei me datën 25 shtator e kemi njoftuar e kemi thirrur në telefon në Suedi ia kemi dërguar edhe ftesën në email edhe pse neve përmes telefonit, na ka deklaruar në telefon se nuk do të jetë në seancë por qëndron prapa deklaratës së dhënë”, ka theksuar gjyqtarja Dërmaku.
Lluka: Murseli në natën kritike më thirri nga numra të ndryshëm telefoni
Dëshmitari Valon Lluka, i cili ka qenë personi i parë që i akuzuari për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademaj, Naim Murseli, e ka kontaktuar në natën kritike, gjatë dëshmisë së tij të premten, ka thënë se Murseli e ka thirrur nga numra të ndryshëm të telefonit.
Ai ka treguar se çfarë i kishte shkruar Murseli atë natë.
“Ai (Naimi) kur më ka thirrur në telefon, nuk me ka treguar nga po thërret. Sa më kujtohet jo. Ma ka cekur që na kanë gjuajtur, na kanë vra. Nuk ka qenë telefoni tij, kur më ka thirrë. Herën e parë më ka thirrur me një numër në fund është 417, dhe pastaj nuk i jam lajmëruar se nuk e kam njohur numrin, më ka dërguar mesazh. ‘Urgjent çele, urgjent, Naim’. Pastaj ka filluar të më thërrasë me një numër tjetër. Numri i dytë përfundon me 907 edhe këtu më ka shkruar mesazhe, ‘çele, çele, çele’. Unë kam reaguar me 907, i kam shkruar “më fal cili Naim, jam mysafir”. Prapë më ka shkruar Naimi, më ka kthy ‘Murseli, urgjent. O Valon, na kanë vra’ edhe në fund, ‘thirrem’. Unë e kam bo print screen dhe ia kam dërguar në Ëhatsapp në numrin ku kemi komunikuar zakonisht, me vërtetu a është Naimi, e kam pa që nuk po i shkojnë fjalët”, ka theksuar Lluka.
Në seancën e kaluar, e cila është mbajtur të hënën, dëshminë e tyre e kanë dhënë katër dëshmitarë të propozuar nga Prokuroria.
Eksperti mjeko – ligjor, Naim Uka gjatë dëshmisë ka deklaruar se kanë konstatuar se Liridona Ademaj është vrarë nga një distancë e qitjes prej 2 deri në 5 centimetra.
Ndërkohë që pronari i marketit, ku i akuzuari Murseli i dërgoi fëmijët pas ngjarjes tha se Murseli nuk ka pranuar të flasë me policinë në telefon lidhur me rastin.