Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Tentim vrasja në Ferizaj: 16-vjeçari sulmoi me thikë qytetarë e policë e më pas i hodhi benzinë vetes

policia shiriti vrasje arrestim bastisje - Driton Pacarada

Foto: Driton Paçarada

Një 16-vjeçar u arrestua të premten pasi me thikë sulmoi qytetarë në sheshin e Ferizajt. Gjatë sulmit la të lënduar dy persona, ndërsa vetë i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes menjëherë për t’u kapur nga forcat e rendit më vonë. 

Policia pasditen e së premtes ka lëshuar informacione shtesë për rastin. Ajo ka njoftuar se të miturin e lokalizoi në një adresë në fshatin Greme. E aty i mituri, si dhe nëna e tij, i ka sulmuar edhe policët.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Me të arritur në vendngjarje, i dyshuari ka refuzuar t'u bindet urdhrave policorë, duke mbajtur një thikë në dorë, ka sulmuar zyrtarët policorë me gurë dhe mjete të forta, si dhe është vërsulur ndaj tyre me thikë. Gjatë ndërhyrjes, nëna e tij ka penguar zyrtarët policorë në kryerjen e detyrës zyrtare”.

Policia njoftoi tutje se në një moment, i dyshuari ka marrë një shishe me benzinë dhe ia ka hedhur vetes mbi trup, duke vazhduar t'i kërcënojë policët me thikë dhe duke mos lejuar afrimin e tyre.

Gjatë përpjekjeve për vënien e tij nën kontroll, tre zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime, ndërsa njëri prej tyre është goditur me thikë në pjesën e qafës.

“Pas ndërhyrjes policore, i dyshuari me inicialet P.GJ (16 vjeç) është vënë nën kontroll dhe është arrestuar së bashku me nënën e tij D.GJ (47 vjeçe). Gjithashtu është sekuestruar edhe thika, e cila dyshohet se është përdorur në sulmin ndaj qytetarëve”, thuhet në njoftim. 

I dyshuari është ndaluar për 24 orë, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.


Theren dy persona në Ferizaj, arrestohet një i mitur si i dyshuar

Një person ka therur dy të tjerë mëngjesin e sotëm afër Postës qendrore në Ferizaj. Të lënduarit janë dërguar në Emergjencë, kurse i dyshuari i cili u arratis menjëherë nga vendi i ngjarjes, u kap më vonë. 

Prokuroria Themelore në Ferizaj njoftoi se është ndaluar një i mitur për rastin për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “Vrasja në tentativë”.

"Rasti ka ndodhur sot, më datën 10.07.2026, reth ores 07:53, në rrugën ‘Dëshmorët e Kombit’, në afërsi të Postës Qendrore në Ferizaj, ku, sipas informatave fillestare, dyshohet se i mituri ka sulmuar me mjet të mprehtë (thikë) dy persona të tjerë. Fillimisht, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore është lokalizuar nga ana e Policisë dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprave penale të lartëcekura", thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Policia njoftoi në mëngjes se të lënduarit janë dërguar në Emergjencë.