Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë që të kapen sa më shpejt autorët e vrasjes së trefishtë në Gjilan dhe të sillen para drejtësisë.
Ajo ka thënë se është për keqardhje që të dyshuarit për vrasjen ishin lënë të lirë vitin e kaluar nga institucionet e drejtësisë pas një kohe të shkurtër të kaluar në paraburgim., ndonëse akuzoheshin për vepra të rënda.
“Presidentja shpreh keqardhjen e thellë për humbjen tragjike të tre qytetarëve në vrasjen e rëndë të kryer në Gjilan dhe përcjell ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave. Gjithashtu, Presidentja kërkon nga organet kompetente që autorët e këtij akti makabër të kapen sa më shpejt dhe të dalin para drejtësisë, për t’u përballur me përgjegjësinë e plotë ligjore. Është për keqardhje që vitin e kaluar të njëjtit ishin lënë të lirë nga institucionet e drejtësisë, pas një kohe të shkurtër të kaluar në paraburgim, përkundër veprave të rënda për të cilat akuzoheshin”, thuhet në reagimin e Presidencës.
Po ashtu është reaguar edhe për një foto të publikuar në media të presidentes me të dyshuarin Mefail Shkodra.
“Është po ashtu shqetësues manipulimi me qëllim të keqinformimit të opinionit publik, duke përdorur fotografi të rastit të bëra në ambiente publike që autori i këtyre veprave i kishte bërë me një sërë figurash publike. Nga një hulumtim i thjeshtë del se këto fotografi janë bërë gjatë një organizimi festiv të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kosovë, me rastin e një aktiviteti publik ku morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë institucionalë, personalitete nga politika, të ftuar të tjerë dhe qytetarë. Brenda vitit, Presidentja del në fotografi me mijëra qytetarë e pjesëmarrës në aktivitete publike, të cilët as nuk i njeh e as nuk mund ta dijë se cila është veprimtaria e tyre. Prandaj, aludimet për kinse “shoqërim” janë asgjë tjetër pos shpifje. Presidentja i bën sërish thirrje organeve të rendit dhe atyre të drejtësisë që të veprojnë sipas ligjit, në mënyrë që vrasësi të marrë dënimin e merituar”, thuhet në reagim.
