Mbi 100 studiues nga trevat shqiptare e me gjerë i bashkon “Java e Albanologjisë”, konferenca shkencore e cila synon hapjen e një kapitulli të ri për albanologjinë. Mbi të gjitha, ndërkombëtarizimin e saj përderisa përballet me sfida të vazhdueshme. Në hapjen e edicionit të 16-të të “Javës....”, janë theksuar neglizhenca nga brenda dhe propaganda nga jashtë. Të dyja bashkë minojnë vlerat e studimeve shqiptare. Në pesë sesione që përfshijnë gjuhësinë, letërsinë, historinë, etnologjinë dhe folkloristikën, konferenca shkencore mëton të sjellë rezultate të reja në këto disiplina albanologjike
Për pesë ditë, konferenca shkencore “Java e Albanologjisë” në Prishtinë është nikoqire e rezultateve të reja në pesë disiplina albanologjike. Studiues nga vendi e rajoni prezantojnë mbi 100 kumtesa të shpërndara në temat bosht që zbërthejnë identitetin fetar te shqiptarët, këngën si praktikë sociale e kulturore, kritikën letrare shqipe, etnologjinë urbane e leksikografinë bashkëkohore.
Të hënën, në hapjen e edicionit të 16-të në Institutin Albanologjik, organizatorët kanë thënë se institucionet nuk e njohin albanologjinë si fushë strategjike për ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kombëtare. Kanë theksuar sfida me të cilat përballen studiuesit shqiptarë dhe se botimet e projektet e tyre nuk njihen si rezultate akademike. Por “Java...” synon të hapë një kapitull të ri.
Minimi i vlerave studimeve shqiptare
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka theksuar sfidat e dijeve albanologjike derisa ka thënë se rezultatet e punës së albanologëve kanë qenë përgjigje e pyetjeve se çfarë ishin e çfarë janë shqiptarët.
“Dijet albanologjike ballafaqohen me sfida të caktuara, qoftë kur bëhet fjalë për vazhdimësinë iliro-shqiptare, qoftë për autoktoninë e shqiptarëve në këto treva. Po të kishin qenë ato pjesë të debateve të mirëfillta shkencore, do të kishin qenë vërtetë të mirëseardhura, por për fat të keq, debatet e tilla shpesh janë pjesë e një propagande agjendash politike që shkencën e kanë veçse si mbulesë për të çuar përpara dhe për të zbatuar plane të tjera shekullore për spastrime etnike të shqiptarëve”, ka thënë Kurti.
Për sfida ka folur edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit Albanologjik, Naim Berisha. Ka thënë se albanologjia injorohet si fushë e veçantë dhe se qasja institucionale ndaj saj nuk është e duhura.
“Qendrat kërkimore albanologjike kanë realizuar projekte, botime e tryeza dhe bashkëpunime ndërkombëtare duke ndihmuar në afirmimin e gjuhës, kulturës dhe historisë shqiptare. Megjithatë, qasja institucionale ndaj kësaj veprimtarie mbetet jo e duhura. Albanologjia ende trajtohet në mënyrë periferike, pa u njohur si fushë strategjike për ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kombëtare”, ka thënë Berisha në fjalimin hapës të “Javës...”.
Sipas Berishës, kjo qasje minon vlerat e studimeve shqiptare në nivel kombëtar e ndërkombëtar.
“Instituti Albanologjik, institucioni më jetëgjatë shkencor, me veprimtari që nga viti 1953 dhe me revistat e njohura ‘Gjurmime albanologjike’ që nga viti 1962 dhe ‘Gjuha shqipe’ nga 1982, përballet sot me mungesë serioze njohje institucionale. Këto revista, referencë për studiues dhe qendra prestigjioze ndërkombëtare nuk përfshihen në asnjë nga rregulloret e universiteteve publike të Kosovës dhe nuk njihen si rezultate akademike. Kjo reflekton në qasje të padrejtë ndaj albanologjisë dhe një institucioni me kontribut të jashtëzakonshëm”, ka thënë ai.
Në ceremoninë e hapjes ka qenë i pranishëm edhe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Mala, ka thënë se albanologjia është dhe duhet të mbetet hapësirë e përbashkët kërkimi, dialogu dhe identiteti kombëtar.
“Ky aktivitet i përvitshëm, i organizuar nga Instituti i Albanologjisë në Kosovë, nuk është thjesht një takim akademik. Është një akt përkushtimi, nderimi dhe vlerësimi ndaj trashëgimisë sonë të përbashkët kulturore, gjuhësore dhe historike. Është një thirrje ndaj kujtesës sonë kolektive dhe një nxitje për të avancuar në këto fusha në të ardhmen”, ka thënë ai.
Tribunë e mendimit dhe diskutimit
Për pesëmbëdhjetë edicione të konferencës shkencore “Java e Albanologjisë”, janë lexuar mbi një mijë e 500 punime të studiuesve e njohësve të fushave të albanologjisë. Statistika si këto i ka bërë publike sekretari shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Adil Olluri. Ka thënë se këto punime e kanë bërë “Javën...” një tribunë të mendimit dhe diskutimit për të kaluarën dhe të tashmen e shqiptarëve.
“Këtë vit do t’i kemi 107 kumtime shkencore që do të paraqiten nga studiuesit dhe njohësit e përkushtuar të fushave albanologjike dhe unë, si drejtues i kësaj arene kulturore dhe akademike, jam më se i bindur se do të ketë prurje të lavdërueshme dhe të lakmueshme, duke i pasur parasysh vlerat dhe përkushtimin intelektual dhe akademik të kumtuesve, parë në punët e tyre të mëparshme”, ka thënë Olluri.
Për dallim nga edicionet e kaluara ku krejt programi përmblidhej në tri ditë, sivjet do të jenë pesë ditë dhe secili sesion e ka ditën e tij. Të projektuar e edhe të ekspozuar kanë qenë gjithsej 29 botime akademike të Institutit.
Adil Olluri ka thënë se gjatë këtij viti do të përkushtohen në ndërkombëtarizimin e punës së tyre kërkimore.
“Në këtë plan, do të bëjmë përpjekje të lidhim marrëveshje bashkëpunimi dhe bashkëveprimi me institute evropiane që merren me studimin e çështjeve të Evropës Juglindore, në këtë rast edhe me albanologjinë, në mënyrë që studiuesit dhe punonjësit tanë shkencorë të kenë qasje më të lehtë në aktivitetet dhe veprimtaritë e tyre kërkimore. Po ashtu, do të bëjmë përpjekje që ta integrojmë revistën tonë shkencore ‘Gjurmime albanologjike’ në platforma të ndryshme ndërkombëtare të revistave dhe botimeve akademike”, është shprehur ai.
Rezultatet e këtyre studimeve shndërrohen në dëshmi të veçantisë së kulturës shqiptare.
Pluraliteti fetar – tipar dallues i shoqërisë shqiptare
Menjëherë pas ceremonisë së hapjes, ka nisur Sesioni i Historisë që pati temën bosht “Ndërthurja e identitetit fetar te shqiptarët nga besimet pagane te pluralizmi bashkëkohor”.
Fjalën e hapjes e pati shefi i kësaj dege, Nuridin Ahmeti, i cili ka thënë se trajtimi i çështjeve të besimit ndërshqiptar nënkupton analizë historike, kulturore dhe antropologjike të formësimit të identitetit kolektiv ndër shekuj.
“Pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane dhe krijimit të shtetit shqiptar më 1912, pluraliteti fetar jo vetëm që nuk u zhduk, por mbeti një tipar dallues i shoqërisë shqiptare, i shfaqur në bashkëjetesën dhe mirëkuptimin ndërfetar, veçori kjo që ka qenë shpesh objekt studimi dhe vlerësimi si një model unik në rajon. Ky mozaik religjioz, përkundër transformimeve politike dhe ideologjike, mbijetoi edhe periudha të vështira represioni, siç ishte koha e regjimit komunist në Shqipëri, kur feja u ndalua institucionialisht”, ka thënë Ahmeti në fjalën e tij.
Arben Arifi ka prezantuar kumtesën në temën “Përhapja e krishterimit dhe ilirët” me të cilën ka sqaruar arsyet se pse, sipas tij, ilirët ishin të parët që pranuan krishterimin.
“Janë dy elemente që kanë ndikuar shumë: pushtimi roman, ku krishterimi ishte ai që merret si një ndër shkaqet e shkatërrimit të Perandorisë Romake, ishte ai që kundërshtonte zotërat romakë dhe vinte në pah ata kristianë. Në plan të parë kishte barazinë midis njerëzve dhe ishte fe e paqes. Përveç kësaj, ilirët mund të ruanin traditën e tyre më lehtë dhe të kundërshtonin armikun”, ka përcjellë ai nga kumtesa.
Zana Hoxha ka prezantuar kumtesën në temën “Zhvillimi i arkitekturës sakrale në Dardani gjatë sundimit të Perandorit Justinian”. Punimi i saj trajton zhvillimin e arkitekturës sakrale në Dardani gjatë sundimit të Perandorit Justinian I.
“Dardania, një rajon strategjik mes Lindjes dhe Perëndimit, luajti një rol të rëndësishëm në përhapjen e hershme të krishterimit, çka konfirmohet nga dëshmitë arkeologjike që nga shekulli IV. Nën ndikimin direkt të Justinianit, i cili kishte origjinë nga kjo trevë, Dardania përjetoi një periudhë të artë ndërtimore me bazilika monumentale, kisha njënefëshe, pagëzimore dhe martiriume, duke reflektuar tipare arkitekturore universale me ndikime lokale”, ka cituar Hoxha nga kumtesa e saj.
Kumtesat e tyre i kanë prezantuar edhe Arianit Buqinca, Elza Shipoli, Ylber Hysa, Elfar Sulejmani, Qerim Dalipi, Lulëzim Lajçi, Genc Prelvukaj, Izet Miftari dhe Nutrika Lajçi.
Ndërsa në seancën e dytë edhe studiuesit Memli Krasniqi, Sylë Ukshini, Fahri Avdija e Zekirja Shabani, Gentrit Smakaj, Shpend Avdiu, Alban Dobruna, Zhuljeta Kadilli, Mrika Limani-Myrtaj, Dorina Daiu e Florinka Gjevori, Rudina Mita, Albnora Musa-Bakiu dhe Nuridin Ahmeti.
Të martën do të shpalosen punimet e sesionit të Folkloristikës dhe Etnomuzikologjisë me temën bosht “Kënga si rrëfim, tekst, performancë dhe praktikë social-kulturore”, të mërkurën ai i Letërsisë me temën bosht “Kritika letrare shqipe”. Më 29 maj do të shpalosen kumtesat e sesionit të Etnologjisë me temë “Kultura shqiptare dhe etnologjia urbane” e një ditë më pas Gjuhësia me temën “Për një leksikografi bashkëkohore”, kur edhe mbyll punimet “Java...”.
Në pesë sesione që përfshijnë gjuhësinë, letërsinë, historinë, etnologjinë dhe folkloristikën, konferenca shkencore synon të sjellë rezultate të reja në këto disiplina albanologjike.