Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Arkeologët në gjurmë të varrezave 2500-vjeçare nën fabrikë makaronash në Napoli

Arkeologji - Napoli

Ky zbulim jo vetëm që hedh dritë mbi rrjetet e shkëmbimit që lidhnin Campanian me Greqinë, Egjiptin, Etrurinë dhe Mesdheun lindor, por është edhe një burim i rëndësishëm informacioni për zakonet e varrimit dhe jetën e përditshme në Campanian pararomake

Varrezat e zbuluara nën fabrikën historike të makaronave “Garofalo” në Gragnano, pranë Napolit, datojnë në periudhën arkaike – midis shekujve VIII dhe VI para erës sonë – kur rajoni përreth i Kampanias ishte një përzierje kozmopolite e kulturave vendase, greke dhe etruske. Me 85 varre, duket se ka qenë, të paktën pjesërisht, një vend varrimi për elitën e pasur të shekullit VI para erës sonë

Arkeologët që po kryenin gërmime kontrolluese përpara një zgjerimi industrial në Italinë jugore kanë zbuluar një nekropol të ruajtur mirë e të vjetër rreth 2 mijë e 500 vjet. Lajmi u raportua për herë të parë në një konferencë për medie nga Institucioni i Arkeologjisë, Arteve të Bukura dhe Peizazhit për Zonën Metropolitane të Napolit (Soprintendenza ABAP Napoli), që mbikëqyri gërmimet.

Varrezat e  zbuluara nën fabrikën historike të makaronave “Garofalo” në Gragnano, pranë Napolit, datojnë në periudhën arkaike – midis shekujve VIII dhe VI para erës sonë – kur rajoni përreth i Kampanias ishte një përzierje kozmopolite e kulturave vendase, greke dhe etruske. Me 85 varre, duket se ka qenë, të paktën pjesërisht, një vend varrimi për elitën e pasur të shekullit VI para erës sonë.

Ndër objektet e gjetura në varre kishte enë qeramike të zbukuruara, stoli dhe armë, si dhe mallra të importuara egjiptiane nga Naukratis, një vendbanim tregtar grek në deltën e Nilit, dhe artefakte prej argjendi e bronzi me origjinë etruske. Disa individë ishin varrosur në brendësi të shtresës vullkanike. Brenda këtyre varreve të mbyllura janë ruajtur materiale të ndryshme organike – mes tyre pëlhura, objekte druri dhe shporta të thurura – të cilat zakonisht humbasin për shkak të dekompozimit.
Ky zbulim jo vetëm që hedh dritë mbi rrjetet e shkëmbimit që lidhnin Campanian me Greqinë, Egjiptin, Etrurinë dhe Mesdheun lindor, por është edhe një burim i rëndësishëm informacioni për zakonet e varrimit dhe jetën e përditshme në Campanian pararomake.

“Zbulimi i nekropolit të Via dei Pastai në Gragnano është rezultat i një bashkëpunimi të suksesshëm publiko-privat”, ka thënë Luigi La Rocca, drejtues i Departamentit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës. 

“Për më tepër, rezultatet e gërmimeve – të jashtëzakonshme për cilësinë e artefakteve të gjetura dhe gjendjen e ruajtjes, madje edhe të materialeve organike – ofrojnë informacione të reja mbi zhvillimin e vendbanimeve midis Gadishullit të Sorrentos dhe Luginës së Sarnos gjatë periudhës arkaike”.

Zona e gërmimeve tashmë është dokumentuar dhe pritet të mbulohet sërish, por kërkimet mbi materialin e zbuluar nga një ekip multidisiplinar arkeologësh, bioarkeologësh dhe analistësh arkeometrikë do të vazhdojnë. Me interes të veçantë janë mbetjet njerëzore, të cilat pritet të japin të dhëna mbi kushtet e jetesës së banorëve të asaj kohe në këtë zonë.