Kulturë

Arkeologët në gjurmë të vendbanimit 7 mijë vjet të vjetër

Arkeologët zbuluan mbetje të objekteve të banimit, shumë gropa për magazinim, mjete prej guri, fragmente qeramike, sende prej kocke

Arkeologët zbuluan mbetje të objekteve të banimit, shumë gropa për magazinim, mjete prej guri, fragmente qeramike, sende prej kocke

Datimet me radiokarbon janë ende në pritje, por gjetjet në Republikën e Dagestanit tregojnë se bëhet fjalë për një vendbanim rreth 7 mijë vjet të vjetër. Gërmimet kanë nxjerrë në pah se lokaliteti ka dy shtresa kulturore: atë të sipërme nga epoka e bronzit dhe atë të poshtmen, në një thellësi prej rreth dy metrash, që i përket eneolitit

(Science) – Arkeologët rusë kanë bërë një nga zbulimet më të rëndësishme –  një vendbanim të lashtë që daton rreth 7 mijë vjet më parë. Në Republikën e Dagestanit, në vitin 2025, filluan gërmime të mëdha arkeologjike mbrojtëse, që i paraprinë ndërtimin dhe rindërtimin e rrugëve R-217 “Kavkaz“ dhe M-4 “Don“. Kërkimet shpejt sollën një nga zbulimet më të rëndësishme të sezonit, gjetjen e një vendbanimi eneolitik që daton rreth shtatë mijë vjet më parë.

Rezultate të rëndësishme u nxorën në lokalitetin “Dagoginskoje 2”, rreth 15 kilometra në veri të Derbentit, ku arkeologët e Institutit të Arkeologjisë të Akademisë Ruse të Shkencave po studiojnë një vendbanim të madh nga periudha e hershme bujqësore.

Varri në “Dagoginskoje 2”

Gërmimet kanë nxjerrë në pah se lokaliteti ka dy shtresa kulturore: atë të sipërme nga epoka e bronzit dhe atë të poshtmen, në një thellësi prej rreth dy metrash, që i përket eneolitit (mileniumi i 5-të para erës sonë). Datimet me radiokarbon janë ende në pritje, por gjetjet tregojnë se bëhet fjalë për një vendbanim rreth 7 mijë vjet të vjetër.

Arkeologët zbuluan mbetje të objekteve të banimit, shumë gropa për magazinim, mjete prej guri, fragmente qeramike, sende prej kocke, madje edhe varre. Vëmendjen tërhoqi një figurë balte e një demi – një dukuri e rrallë në artin parahistorik të këtij rajoni.

Gjithashtu u gjetën objekte prej opsidiani, edhe pse ky material nuk gjendet në Dagestan, që tregon për kontakte dhe shkëmbime të largëta me zona të tjera.

Vëmendje tërhoqi një figurinë prej balte e një demi – një dukuri e rrallë në artin parahistorik të këtij rajoni

Sipas mënyrës së prodhimit të mjeteve prej guri dhe qeramikës, lokaliteti tregon ngjashmëri me kulturën e njohur Shulaveri–ShomuTepe nga Kaukazi jugor. Kjo hap një kapitull të ri në studimin e lidhjeve kulturore në rajon gjatë parahistorisë.

Ekspertët theksojnë se gjetjet në “Dagoginskoje 2” do të ndihmojnë në plotësimin e boshllëkut kronologjik në zhvillimin e vendbanimeve përreth liqenit Kaspik. Pritet që ky lokalitet të bëhet një monument referues i eneolitit në verilindje të Kaukazit, ndërsa në fazat e ardhshme të kërkimeve do të përfshihen edhe specialistë të palinologjisë, arkeobotanikës, zooarkeologjisë dhe paleoantropologjisë.