Vokale sopranosh e tenorësh janë bashkuar si një tandem i fuqishëm për t’iu dhënë gjuhë emocioneve e dramaticitetit të muzikës së “dy botëve”. Me një përzgjedhje të zgjuar nga repertori i muzikës katalunase e latino-amerikane, sopranoja Arta Jashari e ka vulosur namin e saj si një interpretuese mbrësëlënëse dhe aktore në skenë. Në koncertin recital, të mbështetur nga Komuna e Prishtinës, janë shpalosur vepra e cikle të Montasalvagates e Dvořákut për të tejçuar mesazhe që, duke evokuar një botë nga Katalunia deri në Karaibet e largëta, i përbashkojnë njerëzit në fisnikërinë artistike
Jo fort të shpeshta janë herët kur diçka katalane shpërvishet midis Prishtine. Në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, kompozitori Xavier Montasalvagate me hak e mbante namin e përbotshëm si flamurtar i muzikës katalane. I ndikuar ndjeshëm prej Wagnerizmit, qilimi motivor i muzikës së kompozuar prej tij ishte një thurimë elementesh katalane e aso nga Antillet e largëta.
Me vokacionin mjeshtëror prej interpretueseje, sopranoja Arta Jashari i ka dhënë emocion të fortë ndjenjësor kompozimeve të Monstalvagates në koncertin e saj recital të mbajtur mbrëmjen e së martës në atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve.
Një botë montesalvagatiane
Me pjesën “Cinco canciones negras”, ajo ka zhytur të pranishmit e shumtë në përvoja ndjenjësore afro-kubaneze, ku secila i mëshonte në mënyrën e vet temave identitare. Me këngën e parë të huajtur nga melosi folklorik spanjoll, interpretuesja Jashari u bë një lloj rrëfyese përgjatë gjithë ciklit.
Nën shoqërimin e pandërprerë të pianistes Pranvera Hoxha, minutat në vijim janë mbushur me jehet e kompozimit të radhës nga repertori opulent i Montsalvagates. E tillë ishte “Cuba dentro de un piano” gjithnjë një botë, sa katallane, aq edhe antilleane. Me notat e pianos që fillimisht të ulëta që ngjiteshin përpjetë e pastaj po njësoj tatëpjetëshin në një shkallë kromatike, sopranoja ligjëronte me një stil gati të folur. Bota montesalvagatiane është shpërvjelë edhe me pjesët e tjera të ciklit si “Punto de habanera”, “Chévere” e Canción de cuna para dormir un negrito”.

“Një histori e tërë brenda një cikli”
Duartrokitjet e përzemërta të publikut ka qenë kalimi i parë i Rubikonit për afeksionin e ndërsjellë. Ishte vetë salla e mbushur impresioni i parë që e ka ngazëllyer sopranon Arta Jashari.
Pa fshehur emocionet, ajo është shprehur krenare që e gjithë mbrëmja shkoi sipas planifikimit të bërë tash e sa kohë.
“Nuk kam pritur që salla të ishte kështu e mbushur”, ka thënë Jashari për KOHËN.
Përzgjedhja e programit, duke filluar me kompozitorin emërmadh nga Katalunia, nuk ishte rastësor.
“Në këtë cikël është një histori e tërë në gjuhën latino-amerikane”, ka shpjeguar ajo për veprat e Montsalvagates që ishin mbështetur në disa poezi të ndaluara.
“Ato ishin edhe një mjet artistik për të ngritur zërin për lirinë e popujve të pushtuar. Kjo vepër i ka të trajtuara tema shumë të ndjeshme që unë gjithnjë përpiqem t’i promovoj”, ka thënë Jashari.
“Një divë në skenë”
Edhe profesoresha e muzikës në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, Besa Berberi, e ka vlerësuar përzgjedhjen e veprave të kompozitorit katalonas.
“Arta gjithnjë di të sjellë pjesë të reja me aktrimin e saj që i vjen nga brendësia e shpirtit”, ka thënë Berberi, teksa ka rezervuar vlerësimet më të larta për interpretimet e bëra nga ish-studentja e saj.
“Arta gjithnjë ka qenë divë, por sonte e dëshmoi këtë me zgjuarsinë e saj në përzgjedhjen e programit”, ka shtuar ajo.

“Një prurje e re me koncepte”
Fryma e thellë hispanike është vijuar në vazhdim të programit me interpretimin e një copëze të fuqishme të kompozitorit meksikan, Agustin Lara.
Standard në repertorët muzikorë, vepra “Granada” në interpretimin e tenorit Luan Durmishi ka përfituar përmasa të reja koncentrike ndjesish. Zëri i tij kumbues është bërë bashkë edhe me dashurinë e tij për muzikën spanjolle, katalunase dhe andaluziane.
“Programi i zgjedhur nga Arta ishte një prurje e re sa i përket koncepteve, por veprat e tilla ishin gjithsesi brenda fahut tim”, ka thënë Durmishi.
Duke vlerësuar performancat e mbrëmjes, ai ka shtuar se me Artën përbëjnë një tandem të bukur, meqë “dy zërat tanë përkojnë mjaft mirë me dramaticitetin, emocionet, e shpesh edhe me ngjyrën”.
“Edhe ajo çfarë pamë te publiku ishte një duartrokitje e sinqertë, e kjo tregon për origjinalitetin”, ka thënë Durmishi.

Nga Dvořáku te një kushtim për Prishtinën
Mbrëmja e dy botëve muzikore është përplotësuar me veprën e Enrique Granados “Danza Espagnola Nr. 2, Op. 37”.
Repertori i mbrëmjes tutje është rrëmbushur edhe me interpretimin e pianistes Pranvera Hoxha të veprës “Piano”, teksa pjesa e fundme ku diva e mbrëmjes i dha vulën, ishte një cikël shumëpjesësh nga repertori i pasur i kompozitorit çek Antonín Dvořák. Ishin këto pjesë që sopranoja Jashari i kishte interpretuar tetë vjet më parë me rastin e diplomimit të saj.
“Të gjitha këto pjesë i kam zgjedhur edhe për shkak të pasurisë së tyre në aspektin ritmik dhe atë skenik”, ka shpjeguar ajo pas përfundimit të koncertit.
“Sharm i padiskutueshëm artistik”
E programit të përzgjedhur, Jashari nuk i kishte lënë mangut as me interpretimin e këngës “Të dua Prishtinë” që në fundvitet ’60 ishte interpretuar nga Nexhmije Pagarusha.
Me fjalët më të mira është shprehur edhe këngëtarja Adelina Thaçi, e cila e ka vlerësuar programin si të lezetshëm e freskues.
“Pas një viti me kaq shumë mundime e lajme jo të mira, ne vërtet kishim nevojë shpirtërore për një koncert freskues si ky”, ka thënë Thaçi. “Në koncertet tona zakonisht ka pasur prezantime të arieve botërore, por janë lënë anash programe të autorëve të ndryshëm si, ta zëmë, këngët spanjolle”.
Me vlerësime të njëjta e përshtypje të këndshme është ndarë edhe sopranoja Adelina Paloja. Dhe performanca koncertale ishte një tjetër krenari për atë që e kishte pasur mikeshë të ngushtë që prej shkollës së mesme, duke e përcjellë edhe në rritjen e saj profesionale ndër vite.
“Vërtet e shijova… Arta solli një program krejtësisht të ndryshëm, kurse sharmi artistik dhe origjinaliteti i saj në skenë është i padiskutueshëm”.
Sipas Palojës, publiku, siç reagoi ndaj interpretimeve të programit koncertal, është i etur për të shijuar performanca të tilla solistike e artistike.
“Mbrëmje të tilla koncertale janë jetike për të mbajtur të gjallë jetën artistike në Kosovë në fushën e vokalit dhe muzikës operistike”, ka shtuar ajo.
E lindur në një familjes muzikantësh, Arta Jashari e nisi rrugëtimin e saj muzikor qysh në moshën 6-vjeçe, fillimisht me piano, e më pas në solo-këndim nën përkujdesjen e nënës së saj, profesoreshës Elife Podvorica.
Studimet i kreu në Fakultetin e Arteve në drejtimin e Solo-këndimit në klasën e Merita Junikut, kurse një vit studimesh e vazhdoi në Akademinë e Muzikës në Lubjanë në klasën e Pija Brodnikut. Studimet në nivelin master i vazhdoi në Universitetin e Arteve në Berlin në drejtimin për Paraqitje Skenike dhe Operë, nën kujdesin e Julie Kaufmann, Aris Argiris dhe Isabel Hindersin.
Tash, Jashari është soliste e korit të Filharmonisë së Kosovës dhe është fituese e dyfishtë e çmimit absolut në solo-këndim në garat “ArsKosova”. Nga aktivitetet e saj koncertale veçohen paraqitjet në festivale të ndryshme si “PriVocal Fest”, “Chopin Fest”, si dhe koncerti i mbajtur me rastin e 20-vjetorit të Çlirimit të Prishtinës. I vlerësuar është edhe koncerti i saj online ku Arta kishte performuar në duet me tenorin italian Piero Mazzochetti.