Trashëgimia kulturore është vazhdimësi dhe e pashmangshme në formimin e artistit, e artistët jo rrallë e kthejnë këtë “borxh”. Prej figurës ikonike të “Hyjneshës në fron”, kullat e Junikut e deri te peizazhet e qytetit historik të Prizrenit e veshjet tradicionale, janë temat e veprave në ekspozitën “Artistët për trashëgimi”, organizuar nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore dhe nga galeria “Artistët për artistët”, me të cilën edhe Kosova i bashkohet festës së Ditëve të Trashëgimisë Kulturore Evropiane
Midis gushtit e nëntorit, çdo vit, mbi 40 vende festojnë Ditët e Trashëgimisë Kulturore Evropiane në një periudhë të caktuar kohore. Zakonisht objektet e trashëgimisë kulturore hapin dyert për vizita, por në Prishtinë kjo ditë u shënua me ekspozitën kolektive “Artistët për trashëgimi”, ku shikuesi synon të njihet me peizazhet e trashëgimisë së vendit.
E organizuar nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore dhe nga galeria “Artistët për artistët”, nëpër veprat e ekspozitës janë shenjat identitare të trashëgimisë kulturore. Edhe figura ikonike, si imazhi i “Hyjneshës në fron”, kullat e Junikut, peizazhet e qytetit historik të Prizrenit dhe jo vetëm. Aty janë edhe veshjet tradicionale.
Kryetari i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, Artan Krasniqi, ka thënë se këto monumente janë muzë për artistët dhe krijimtarinë e tyre.
“Besoj se trashëgimia kulturore është përherë një muzë për artistët dhe artin pamor në këtë rast, por edhe të gjitha llojet. Bashkë e kemi mundësinë ta promovojmë, edukojmë e depërtojmë më lehtë te qytetari përmes artit”, ka thënë ai.
E bashkorganizatori i ekspozitës, artisti Veton Gusia, ka thënë se me këtë ekspozitë promovohet trashëgimia e mbetur nga lufta e fundit.
“Dashuria për trashëgiminë kulturore e ka bërë këtë, kam qenë shumë aktiv në mbrojtjen e kullave, shtëpive të vjetra, të hulumtoj për të gjetur të tjera, pasi turizmi arkeologjik e arkitektonik është shumë i rëndësishëm. Për fat të keq e kemi pasur luftën shumë të vrazhdë, në atë mënyrë që ka djegur shumë objekte. Nuk kemi qenë në gjendje as materiale e as fizike t’i mbrojmë”, ka thënë ai.
Aty janë qeramikat e Lirije Buliqit me dizajnet me motive kombëtare të cilave u vishen edhe copa veshjesh, si dhe gdhendje e formave të ndryshme. Në anën tjetër janë kulla në Junik e Kalaja e Prizrenit, që janë punuar nga piktori Musë Prelvukaj. Artistët kanë pasur rastin të vizitojnë monumentet dhe të punojnë duke qëndruar pranë subjekteve të veprave të tyre.
Sipas Prelvukajt, veprat e llojllojshme e bëjnë ambientin joshës. Ka treguar procesin e punës në terren.
“Është e mirë që ne kemi dalë në terren, jemi bazuar më shumë në model. Ishim në Junik, aty pikturuam, njëjtë edhe në Prizren. Të pashmangshme në të gjitha këto janë kullat, shtëpitë e gurit, edhe pse të dyja janë një lloj fortifikate e asaj kohe, edhe shtëpitë qytetare të Prizrenit, kalaja, e që është pjesa më interesante e qytetit. Këto ishin frymëzim për ne. Provuam teknika të ndryshme, kryesisht në teknikën e akrilikut, por edhe në atë të vajit”, ka thënë Prelvukaj derisa ka shpjeguar tri veprat e tij të ekspozuara në katin e tretë të hotelit “Grand”.

“Vepra ime paraqet një kullë nga Juniku, por është edhe pamja e një shtëpie nga Prizreni. Është një kullë me pak modifikime, pasi që ne artistët nuk fotografojmë, por frymëzohemi prej tyre. Gjithashtu është edhe Kalaja e Prizrenit. Është një improvizim, një peizazh me një thellësi. Në plan të parë e kemi fokusin aty, ndërsa të tjerat i kam eliminuar prapa që të mos jenë konkurrente të formës së parë. U jam shmangur detajeve, sepse shpeshherë ato dinë ta dëmtojnë veprën, por disa prej detajeve janë të rëndësishme”, ka thënë ai për KOHËN.
E organizatori i ekspozitës, artisti Veton Gusia i cili e drejton galerinë “Artistët për artistët”, ka thënë se si grup kanë qenë në Junik, Prizren e në Viti.
“U morëm vesh që me artistët të dalim në terren e atje të pikturojmë, për të parë më mirë objektet e trashëgimisë kulturore. Kemi qenë në Junik, ku kemi qëndruar gjithë ditën dhe kemi pikturuar deri në mbrëmje. Kemi marrë pastaj fotografi, ku kemi vazhduar më tej me punimet. Pastaj kemi marrë rrugën për Prizren. Është kështjella ajo që e ka dominimin e vet, e tregon një histori tonën. Pastaj kemi vazhduar të punojmë në galeri te ne, pasi që një numër i punimeve janë të kualitetit më të lartë dhe është dashur kohë për t’i përfunduar”, ka thënë ai.
Pos qeramikave që janë të veçanta, një tjetër vepër unike është ajo e artistit Arbnor Morina, i cili paraqet një peizazh të qytetit të Prizrenit nga qendra historike. E punuar me tush në letër, vepra duket minimaliste dhe kësisoj e lashtëson në një formë edhe më tej imazhin që paraqet.
“Është motiv nga Prizreni me teknikën tush në letër. Është një teknikë që shpesh e punoj. Natyrisht është sfiduese, mirëpo për këtë rast, për këtë ekspozitë, pas thirrjes vendosa të punoja diçka me tush për të qenë më dokumentues”, ka thënë artisti Morina.
Sipas tij, trashëgimia është temë e secilit artist në krijimtarinë artistike.
“Trashëgimia dokumentohet prej artistëve, edhe pa porosi, pa kërkesë. Vetë artisti është produkt i kulturës, hapësirës dhe vendit ku jeton, ku është rritur e shkolluar. Natyrshëm, nuk mund t’i ikësh kulturës tënde, trashëgimisë. Artistët e dokumentojnë shumë, secili në mënyrën e tyre”, është shprehur ai.
Por ekspozita e hapur në katin e tretë të hotelit “Grand”, me vepra në këmbalecë, ka ngjarë e zbraztë.
Mungojnë koncepti kuratorial e shpjegimet për veprat sikurse edhe informacionet e tjera, si titujt e veprave, dimensionet e teknikat.
Ekspozita është hapur vetëm për një ditë në njërën prej hapësirave të katit të tretë të hotelit “Grand” e më pas do të zhvendoset përballë saj, në hapësirat e galerisë “Artistët...”, ku do të qëndrojë për një javë puna e artistëve në shënim të Ditëve të Trashëgimisë Kulturore Evropiane.
Aty gjenden edhe veprat e Agron Ujkashit, Anila Hetojës, Edmond Dhramit, Haki Xhaklit, Irena Tomës, Merita, Myderizi-Malokut, Milaim Janovës, Mjellma Ramadanit, Nikollë Nikprelajt, Rrahim Llalloshit, Sabri Behramajt, Skender Idrizit, Skender Boshtrakajt dhe vetë organizatorit, Veton Gusia. Të gjithë artistëve pjesëmarrës u janë ndarë mirënjohje.
Tema e ngjarjes ndërkombëtare për këtë vit është “Heritage and Architecture: Windows to the Past, Doors to the Future” (Trashëgimia dhe Arkitektura: Dritaret drejt së kaluarës, dyert drejt së ardhmes), e cila përqendrohet në projektimin, kuptimet dhe ruajtjen e trashëgimisë.
Kjo ngjarje organizohet si festë e përbashkët ndërkombëtare dhe si ndihmesë në frymëzimin e organizatorëve për të krijuar ngjarje rreth një teme të caktuar të trashëgimisë. Sivjet fokusi është se si hapësirat e ndërtuara lidhin të kaluarën e Evropës me një të ardhme më gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.
Sipas të dhënave, ngjarja nisi në vitin 1985 nga Këshilli i Evropës dhe që nga viti 1999 bashkorganizohet me Bashkimin Evropian. Po aty, në faqen zyrtare të ngjarjes, tregohet se ngjarjet zhvillohen në 48 shtete pjesëmarrëse, midis gushtit dhe nëntorit të çdo viti. Gjatë kësaj kohe monumentet dhe vendet e tjera hapin dyert e tyre, duke ofruar qasje falas dhe mundësi për të eksploruar trashëgiminë e përbashkët.