Sigurimi i Luvrit nuk arriti të dallonte një bandë hajdutësh mjaftueshëm herët për të ndaluar vjedhjen e xhevahireve të kurorës franceze me vlerë rreth 90 milionë euro, ka thënë të mërkurën drejtoresha e muzeut, Laurence des Cars.
Duke folur publikisht për herë të parë që nga grabitja e së dielës, Des Cars u ka thënë senatorëve francezë se kamerat e sigurisë rreth perimetrit të Luvrit ishin të dobëta dhe të vjetëruara.
E vetmja kamerë që monitoronte murin e jashtëm të Luvrit ku ata hynë me forcë, ishte drejtuar larg ballkonit të katit të parë që të çonte në Galerinë e Apollonit ku ndodheshin xhevahiret, ka thënë ajo.
“Ne nuk arritëm t’i ruajmë ato xhevahirë”, ka thënë ajo, duke shtuar se askush nuk ishte i mbrojtur nga "kriminelët brutalë - madje as Luvri".
Ministrat kanë dhënë në ditët pas grabitjes konferenca për shtyp dhe intervista ku kanë mohuar dështimet e sigurisë, por des Cars e ka kapërcyer këtë dhe ka pranuar se Luvri ishte "mposhtur".
Fjalët e saj kanë dhënë një pasqyrë të jashtëzakonshme të vështirësisë së sigurimit të muzeut më të vizituar në botë, dhe faktit se sa e keqe ishte në të vërtetë siguria e tij.
"Sistemi i kamerave të sigurisë jashtë Luvrit është shumë i pakënaqshëm", ka shtuar ajo dhe sipas saj, brenda, disa zona janë thjesht shumë të vjetra për t'u përshtatur me teknologjitë moderne.
Pavarësisht vëllimit të madh të vizitorëve të muzeut - 8.7 milionë vetëm vitin e kaluar, investimet në siguri kanë qenë të ngadalta dhe ajo ka theksuar sfidat buxhetore me të cilat përballen institucionet e mëdha.
Des Cars, e cila është bërë drejtoreshë e Luvrit në vitin 2021, ka thënë se donte të dyfishonte numrin e kamerave të sigurisë.

Ajo ka deklaruar se ishte paralajmëruar se sa "të vjetruara" ishin pajisjet në Luvër kur mori detyrën, në kontrast me pajisjet moderne të Musée d'Orsay, ku kishte punuar më parë.
Disa nga senatorët me të cilët u përball në seancën dëgjimore të së mërkurës shprehën mosbesim ndaj sigurisë së Luvrit, duke pyetur pse kishte vetëm një kamerë, në murin e jashtëm përballë lumit.
Ky dështim ka bërë që kamioni që mbante bandën dhe shkallën e tyre mekanike, të përdorur për të arritur në katin e parë të galerisë, nuk u vu re fare kur mbërriti në fund të Galerisë së Apollonit.
"Ekziston një dobësi në Luvër dhe unë e pranoj plotësisht", u ka thënë des Cars senatorëve.
Ajo ka vlerësuar rojet e sigurisë, të cilët, sipas saj, vepruan shpejt për të evakuuar ndërtesën sapo kuptuan se kishte pasur një ndërhyrje.
"Nuk e vumë re mbërritjen e hajdutëve mjaftueshëm herët... dobësia e mbrojtjes sonë perimetrike është e njohur", e ka pranuar ajo.
Muzeu është rihapur të mërkurën, megjithëse galeria Apollo ka mbetur e mbyllur.
Luvri është shtëpia e veprave të artit shumë të çmueshme, përfshirë Mona Lizën e Leonardo da Vinçit.
Kërkimi është ende duke u zhvilluar për bandën prej katër personash që, brenda më pak se 10 minutash të dielën e kaluar në mëngjes, kanë hyrë me forcë në një nga muzetë më të famshëm në botë.
Ata kanë marrë me vete tetë bizhuteri të çmuara, përfshirë një gjerdan diamanti dhe smeraldi që Perandori Napoleon ia kishte dhënë gruas së tij.
Ndërsa iknin, ata mendohet se kanë hedhur një kurorë të shekullit të 19-të me diamante që i përkiste Perandoreshës Eugenie. Megjithëse u gjet, kurora ishte dëmtuar, dhe Laurence des Cars u ka thënë senatorëve se ndoshta ishte shtypur ndërsa hajdutët e nxorën nga vitrina e saj.
Drejtoresha e muzeut shpreson që puna për përmirësimin e sigurisë do të fillojë në fillim të vitit 2026.
Megjithatë, pritet të jetë sfiduese duke pasur parasysh infrastrukturën e vjetër të asaj që dikur ishte një pallat mbretëror.
Des Cars ka thënë gjatë raportimit se i kishte paraqitur dorëheqjen ministrit të Kulturës pas grabitjes, por kërkesa ishte refuzuar.