Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Baleti si nomad kërkon zgjoin dhe s’e zbeh dashurinë

Shfaqja “Bletë”

Shfaqja “Bletë” si koncept u përgjigjet shumë rrëfimit e kërkesave të Baletit Kombëtar të Kosovës. Bashkon energjinë e harxhuar për temën e një shtëpie të veten. Me vallëzim kontemporan në Ditën Ndërkombëtare të Vallëzimit, bletët e BKK-së kërkojnë, rrëfejnë, dhe sikur bëjnë me dije se kanë gjetur zgjoin e ri

Një mbrëmje me dy shfaqje e ka quajtur Baleti Kombëtar i Kosovës premierën e parë për këtë vit. “Bletë” nën koreografi të Clébio Olivieras dhe “We will never give up on love” nën koreografi të Erion Krujës janë bashkuar në skenën e improvizuar të Teatrit Kombëtar të Kosovës në Pallatin e Rinisë, duke ruajtur freskinë e dinamikën e lëvizjeve në këtë diptik mesazhesh. E para i shndërron balerinët në bletë në kërkim të zgjoit dhe lidhet me fatin e BKK-së pa shtëpi të veten qysh prej themelimit. E dyta, është një thirrje për dashurinë si shteg përballë së keqes në kohë të turbullta

Janë bletët që shquhen për punë. Por kësaj radhe janë në fazën e gjetjes së një zgjoi të ri. Për këtë janë në kërkim e sipër. Vijnë me lëvizje të ndryshme. Sikur japin një lajm. Herë tremben e herë sikur rrëfejnë. I bashkon një qëllim: gjetja e një zgjoi që në gjuhën e masave shpesh i thuhet koshiq. Simbolikisht balerinët janë kthyer në bletë. Është një lojë që deri diku përshkruan Baletin Kombëtar të Kosovës qysh prej themelimit në vitin 1972. Prej atëherë balerinët janë pa shtëpi të tyren. E viteve të fundit, qiraxhinj.

Balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës, të mërkurën mbrëma, kanë pasur një premierë me dy pika. Nisi me “Bletë”, me koreografi të Clébio Oliveiras. Koreografi i baletit kontemporan i njohur kryesisht në botën gjermane ka hulumtuar pak nga tradita vendore. Këtë gjë e ka si ritual për të ngacmuar veten me ndonjë ide krijuese për vendin e trupën me të cilën synon të punojë. Ka marrë vesh se xhubleta është një veshje shqiptare me shumë nam, madje edhe aset i trashëgimisë kulturore shpirtërore botërore, e njohur nga UNESCO-ja. E po ashtu edhe se projekti i ri i Teatrit të Operës dhe Baletit i arkitektit Bjarke Ingels ka për bazë xhubletën. Simbolika e ka dërguar deri te ngjasimi i xhubletës me zgjoin tradicional në këto anë të punuar me llaç e shkopinj.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Shfaqja “Bletë” si koncept u përgjigjet shumë rrëfimit e kërkesave të Baletit Kombëtar të Kosovës. Bashkon energjinë e harxhuar për temën e një shtëpie të veten. Me vallëzim kontemporan në Ditën Ndërkombëtare të Vallëzimit, bletët e BKK-së kërkojnë, rrëfejnë, dhe sikur bëjnë me dije se kanë gjetur zgjoin e ri. Energjia e kësaj shfaqjeje, ku ka shumë përsëritje, është e madhe. Vitet e fundit, Baleti kushtëzohet nga hapësira, duke mos pasur mundësi të sjellë shfaqje klasike. Edhe të mërkurën, balerinët i bashkoi amfiteatri i Pallatit të Rinisë dhe Sportit, që shfrytëzohet nga Teatri Kombëtar i Kosovës, po ashtu qiraxhi.

“Më duhet të gjeja një ide që të inspirohesha. Provoja të gjeja një temë me të cilën lidhet Baleti Kombëtar i Kosovës. Gjeta traditën e bukur të xhubletës. U magjepsa dhe nisa të lexoja për të. Pastaj erdha tek ideja e zgjoit. Mandej lidha bletët që kërkojnë zgjoin. Për 17 ditë duhej të punoja shpejt dhe në mënyrë precize”, ka treguar koreografi Oliveiras. Ka sqaruar se është lidhje interesante se si bletët kur duan të ndërrojnë zgjoin e të ndahen nga disa të tjera, kërkojnë në vend të ri.

“We Will Never Give Up on Love” bashkoi përsëri balerinët në skenë, ku nëpërmjet lëvizjeve shpalosen pasioni dhe lufta për dashurinë. Bëhet fjalë për luftën për dashuri individuale dhe kolektive

“Këto bletë pasi kërkojnë vendin kthehen në zgjoin e vjetër dhe mundohen t’i bindin të tjerët se kanë gjetur zgjoin e ri. Teorikisht balerinët do të ketë ‘zgjoin’ e tyre, pra teatrin e ri dhe sonte i tregonin publikut se po e gjejnë atë”, ka thënë ai. Teorikisht ky lajm s’është i rrallë në Kosovë. Daton në vitin 2009, kur disa prej balerinëve të pranishëm qenë dëshmitarë të një guri themeltar për Teatrin e Baletit dhe Operës. Por ai projekt s’u realizua kurrë. Të mërkurën kanë dhënë simbolikisht lajmin për një tjetër projekt që pritet të nisë prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve. Por ende flitet veç për projekt, ide e synime.

“Shfaqja, me të vërtetë, ishte shumë e mirë. E realizuar në mënyrën më të denjë, si në pikëpamje artistike ashtu edhe fizike. Ishte një shfaqje me dy pika. Është një risi për ne. Një holandez e ka pasur zhanrin e njëjtë. Sonte u ndamë të kënaqur me lojën e këtyre balerinëve që janë vetëm për lëvdatë”, ka thënë balerini veteran, Rrustem Bajrami, i cili ka nisur karrierën dhe e ka përfunduar si anëtar i një institucioni që gjithnjë qe mysafir, asnjëherë rezident në skenë e shtëpi të veten. Vazhdimisht kanë ushqyer një dashuri të madhe për profesionin, pavarësisht kushteve.

E pjesa e dytë e mbrëmjes solli pikën tjetër që lidhet pikërisht me dashurinë.

“We Will Never Give Up on Love” (Ne kurrë nuk do të heqim dorë nga dashuria) me koreografi të Erion Krujës bashkoi përsëri balerinët në skenë, ku nëpërmjet lëvizjeve shpalosen pasioni dhe lufta për dashurinë. Bëhet fjalë për luftën për dashuri individuale dhe kolektive. Kjo pikë po ashtu do energji të madhe e bashkim stilesh vallëzimi duke e mbajtur kontemporanen gjithnjë si bosht.

“Flet për dashurinë, për të gjitha konceptet e dashurisë. Për dashurinë që na duhet midis personave, midis familjes dhe në krejt shoqërinë. Në këto vitet e fundit, si shoqëri, na duhet pak më tepër dashuri. Shfaqja thotë se ne asnjëherë nuk do të heqim dorë nga dashuria. Kështu që publiku sheh një pamje energjike që flet për të gjitha aspektet e dashurisë. Anën e brishtësisë dhe atë dashurinë e egër për të mbajtur gjërat gjallë. Na duhet pak ajo lufta për dashurinë për ta mbajtur lart”, ka thënë Kruja. Është një shfaqje ku pavarësisht që kërkohet shumë energji, sa i përket realizimit artistik, nuk shquhet për ndonjë prurje. Por merret vesh qartë se personazhet s’heqin dorë nga dashuria. Në ditët e sotme kur luftërat kanë prekur disa anë të botës dhe siguria shpesh vihet në pikëpyetje në shumë aspekte, balerinët bëjnë thirrje për më shumë dashuri. Këtë e përmend edhe udhëheqësi i BKK-së.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, Kreshnik Musolli, njëherësh balerin, ka thënë se këto ditë ka nevojë për shumë më shumë dashuri. Sipas tij, në këto kohë të turbullta globale dashuria është ajo që mund ta shpëtojë njerëzimin. Ka treguar se ky koncept me dy pika brenda mbrëmjes ka dalë të jetë i pëlqyeshëm.

“Ideja ka qenë të sjellim diçka të re, diçka më atraktive për publikun dhe t’i japim mundësinë publikut të shohë diçka të re e të ndryshme, dy shfaqje brenda një nate. Besoj që është pëlqyer edhe në bazë të duartrokitjeve”, ka thënë Musolli.

Kjo mbrëmje e Baletit Kombëtar të Kosovës, në Ditën Ndërkombëtare të Vallëzimit, bashkë me reprizën e së enjtes, janë mbajtur në prag të një turneu të gjatë që Baleti e nis javën që vjen në disa shtete të asaj që njihet si Amerika Latine. “Bletët” e baletit me të tjera shfaqje do të bredhin larg për t’u kthyer prapë në vendin e tyre. Do të jenë prapë në kërkim të shtëpisë.