Kulturë

Bota e animuar për një sekondë deri në 24 skica

Flaka Kokolli

Flaka Kokolli po e plotëson opusin e saj me filma të animuar. Portreti i saj është një lloj sinonimi për skenën e tanishme të animacionit në vend, ndonëse ajo zgjerohet

Produkti final duket një vepër krejt e thjeshtë, por prapa ka orë të tëra pune e përkushtimi. Përkthyer në shifra, duhen nja pesë muaj punë për pesë sekonda animacion. “I bie që për një sekondë mund të ketë 8 deri 12 vizatime. Mund të shkojë edhe 24 nëse është një arsye specifike, por mesatarja do të thosha është 8 deri 12 vizatime. I skicon karakteret dhe një herë e punon. Është shumë punë konsumuese, merr kohë, por vështirësia e vetme që e njoh është se çdo animator ka problem me shpinën”, thotë Flaka Kokolli, animatorja pioniere e gjeneratës së saj. Rrugëtimi i saj u ngjan skicave të animacionit

Me themelimin e industrisë së filmit, paralelisht lindi edhe industria e filmave të animuar. Në Kosovën e pasluftës, vonë u realizua filmi i parë i animuar nga gjenerata e re, ani pse historia e këtij zhanri në këto anë njeh edhe vepra të tjera qysh në fillim të viteve ’80 me “TV Dur” të Gjon Markut.  Në vitin 2010, erdhi “Molla e kuqe” i metrazhit të shkurtër nga Mentor Berisha. Tek vitet e fundit vërtetë animohet filmi. Flaka Kokolli po plotëson opusin e saj me filma. Portreti i saj është një lloj sinonimi për skenën e tanishme të animacionit në vend, ndonëse ajo zgjerohet. Në kohë moderne, është ndër pionierët e filmit të animuar.

“Mardhë”, “Ninulla F”, “Këtu – Different Dreams” në bashkëpunim me Nora Jusufin e “Shpija” janë midis krijimeve të saj. I interesonte si fëmijë animacioni. Ajo i shihte filmat e animuar përtej asaj sesi i shihnin të tjerët. Nuk ka qenë thjesht një periudhë e ëndrrës për animacion. Për të as nuk ka pasur një moment specifik kur ka vendosur t’i japë kah karrierës drejt animacionit. Thjesht “ka vazhduar rrjedhshëm”.

Për Kokollin, asnjëherë animacioni nuk ka qenë i lidhur veç me fëmijëri.

“Më kanë pëlqyer shumë filmat, por ka qenë ndjenjë që e kam pasur të përbashkët me shokë e shoqe kur kemi qenë fëmijë. Duke u rritur, veç nuk ka pasur një tranzicion dhe nuk e kam pasur shumë të lidhur në kohë që filmi i animuar është i lidhur me fëmijëri. Nuk e kam pasur nevojën që, i kam bërë do vjet dhe po ndalem, s’po i shikoj. Ne si gjeneratë e kemi përparësinë e internetit që mund të përfundosh shumë thellë në detaje. Gjeja filma shumë të mirë që nuk ishin aspak për fëmijë dhe thjesht vazhdoi”, shprehet ajo.

Të preferuar e ka pasur “Spirited Away” të vitit 2001, shkruar e drejtuar nga japonezi Hayao Miyazaki. Ky film edhe është një prej kryeveprave të tij.

“Atë e mbaj mend që më pati ‘goditur’ në një formë. Më pati mbetur në kokë edhe pse nuk e dija shumë mirë se çfarë po ndodh, sepse i kisha nja tetë vjet ndoshta. Edhe sot kur e shikoj ka shumë të të japë. E shoh që prapë aty jam, filmat dinë të jenë më të pjekur nganjëherë, por edhe ti kur je e pjekur i sheh ndryshe. Por ‘Spirited Away’ ka qenë i pari që më pati shokuar. E mbaj mend që me titullin e përkthyer në shqip u mundova ta gjej, por nuk mundja”, kujton Kokolli me nostalgji.

Skenë nga animacioni “Shpija”, Flaka Kokolli, 7 minuta, 2022

Zgjedhja e frikshme për të ardhmen

Në këtë kohë, ajo veçse ndau mendjen për rrugëtimin profesional të jetës së saj. S’u ndikua prej kujt. Ishte koha kur nuk kishte industri të animacionit. Kur, siç shprehet ajo, zgjedhja e saj ka qenë e frikshme për të ardhmen e saj.

“Animacioni ka qenë shumë i frikshëm për të dy prindërit për këtë pjesë. Por pati ndikuar pozitivisht fakti që jam lindur dhe rritur në Prishtinë, pa pasur lidhje me Pejën, por pa qenë ‘Anibari’...”, shprehet Kokolli. Vazhdon të shikojë filma të animuar nga fëmijëria. Tash thjesht i kupton më mirë detajet dhe punën prapa tyre.

“Kur i shikon të njëjtit si i rritur, veç i shijon më shumë sepse ke më shumë kapacitet t’i kuptosh. Vazhdoj t’i shikoj sepse e kam pjesë të jetës”, thekson Kokolli.

Ajo u lind më 7 tetor 1998 në Prishtinë, ku u rrit dhe përfundoi shkollimin deri në ato të nivelit akademik. Studimet universitare i ndoqi në “Metropolitan University” në Budapest duke qenë se në Kosovë ende nuk ofrohet animacioni si zgjedhje për studentë. Por qe festivali i animacionit “Anibar” ku ajo qe pjesëmarrëse dhe vullnetare  për disa vjet.

Si 16-vjeçare mori pjesë në punëtoritë e Akademisë së Animacionit e më pas u bë anëtare e panelit përzgjedhës për programin “Kids and Teen”.

Në këtë kohë, ajo veçse kishte fletoret e mbushura me vizatime. Aty kishte kuptuar se të njëjtat punë mund të ktheheshin në karaktere të filmit të animuar.

“E kanë pasur një punëtori. Pata shkuar dhe thjesht, nuk kemi bërë ndonjë punë të madhe. Vizatimin e pata bërë për qejf dhe nuk ka qenë diçka konkrete. Aty u bë pak më konkrete, e pamë se bëhet animacion ai vizatim. Si fëmijë nuk e ke sensin e pasojave dhe thjesht nuk më dukej se mund të shkojë diçka gabim”, shprehet ajo.

Bashkëmoshatare e studentëve të vet

Flaka Kokolli aktualisht është tutore në Akademinë e Animacionit që zë vend në qytetin e Pejës. Në kohën kur nisi, qe thuaja në të njëjtën gjeneratë me studentët.

“Kam filluar tash e rreth gjashtë vjet duke punuar aty. Ka qenë viti i tretë i akademisë ndoshta. Kam qenë në moshë të afërt me studentët. Tash janë më të rinj dhe gjithë ata që kanë qenë studentë tash janë kolegë. Përderisa nuk ka fakultet të animacionit, ka mbetur si mënyrë e mirë. Më duket shumë kualitativ si program. Kështu bëhet industria dhe ndihesh që je duke dhënë, jo vetëm duke marrë. Tek e fundit, nesër nëse do ta bëj një film më të gjatë, krejt këta njerëz do të më duhen”, konsideron ajo.

Për të, animacioni po lulëzon duke qenë se ka shumë kërkesa për të ndjekur mësimet aty. Po aq sa kërkesa, aq edhe refuzime. Kokolli tregon se çdo vit aplikojnë midis 30 e 40 të interesuar, ndërsa ata nuk mund të zgjedhin më shumë se dhjetë.

Kokolli ka punuar dhe vazhdon të punojë për projekte të komisionuara, por “Shpija” ka qenë filmi i parë personal i saj. Flet me admirim për filmin teksa biseda e saj për anën profesionale në përgjithësi është tejet e sinqertë.

Filmi qe shfaqur premierë në vitin 2022 në festivalin ndërkombëtar të filmave dokumentarë dhe të shkurtër “DokuFest” në kategorinë e filmave kombëtarë, midis filmash të tjerë të shkurtër e me praninë e saj.

“Në momentin kur del, sheh plot gjëra që do t’i bëje ndryshe. I vëren ato gjëra tërë kohën, por kalon me kohën”, kujton Kokolli.

Ajo flet hapur për momentet kur është ndier e pasigurt. Si në rastin e filmit “Shpija”.

“Vështirësi është fakti që ne nuk e kemi pasur fatin të punojmë në një studio ekzistuese, që dalëngadalë ngjitesh në role të ndryshme, ke ‘feedback’ tërë kohën nga dikush që din dhe eventualisht mbërrin tek ideja që mund ta bësh një film vetëm”, shprehet ajo.

Të qenit pioniere në gjeneratën e re është privilegj për të, por jo përparësi.

“Ne nuk e kemi pasur këtë proces sepse nuk ke qenë kurrë duke punuar në një studio që e ka bërë më parë këtë punë. Ka pasur shumë privilegje fakti që e kemi këtë status si pionierë në sensin e filmit sepse si teknikë ekziston, për reklama dhe plot të tjera. Në anën tjetër i bie të krijosh përvojë e të udhëheqësh kur nuk ke qenë kurrë e udhëhequr që ta kesh si shembull. Mungesa e shembujve, për gjithçka, mbase ka qenë pjesa më e vështirë”, thotë ajo.

Skenë nga animacioni “Mardhë”, Flaka Kokolli, 4 minuta e 17 sekonda, 2021

“Shpija” e debutimit dhe “Mardhë” e luftës

Filmi “Shpija” në shtatë minuta rrëfen se si shtëpia dhe rehatia shpesh mund të gjenden në gjërat që na turpërojnë, na vënë në grackë e na dëmtojnë. Se si ta lësh shtëpinë mund të jetë e vështirë, por ta kesh atë si fantazmë që të ndjek, përherë del të jetë edhe më e vështirë.

Filmat e saj janë informues e edukativ. Për filmin “Shpija” ka marrë “Special Mention” në “Anibar” në vitin 2022, ndërsa në “DokuFest”, në të njëjtin vit, Çmimin e Distribuimit. Po ky film, u vlerësua si Filmi më i Mirë në Shqip, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë. Po ashtu qe zgjedhur nga “Animation Nights New York” për të qenë pjesë e “Short Film Corner” në Festivalin e Cannes, tre vjet më parë.

“DokuFest” e ka vlerësuar edhe filmin e saj “Mardhë” më 2021 me “Special Mention”. Filmi katërminutësh trajton luftën në Kosovë. Ka në qendër një grua që dëbohet me dhunë për në Bllacë bashkë me familjen me familjen. Kjo vepër e saj, është edhe një lloj prove se animacioni nuk korrespondon me fëmijët. E sipas saj, ky paragjykim po zbehet.

“Tërë kohën ka pasur filma të animuar që janë tema shumë serioze, që nuk bën t’i shohim fëmijët. Në filma të animuar ka edhe dokumentarë për luftën, për njerëz të vdekur, për përdhunim, për vrasje. Në përgjithësi mendimi i njerëzve është ky, por nuk më pengon sepse e di prej nga vjen. Nuk vjen me ndonjë qëllim negativ, prej ndonjë nënçmimi, por për shkak se për shumë njerëz asocimi i animacionit me fëmijëri është veç një e vërtetë e jetës, por po më duket që po ndërron”, vlerëson animatorja Kokolli.

Sipas saj, insistimi për të shënjestruar fëmijët me animacion, e ka ndërruar komplet industrinë.

“Animacioni në fillim nuk ka nisur për fëmijë edhe aq shumë. Në Evropë është punuar goxha herët. Është përdorur edhe për propagandë nga Bashkimi Sovjetik, por ka qenë edhe për qëllime artistike, jo të lidhura me fëmijët. Një prej besimeve të përgjithshme të animatorëve, edhe të miat, ‘Disney’ ka punuar gjëra shumë të mira dhe në atë proces kanë qenë shumë të fokusuar në shitje në animacion si industri profitabile”, thotë Flaka Kokolli.

Por se ky paragjykim, sipas saj, “i bën pak dëm sepse është vështirë t’i bësh njerëzit ta marrin seriozisht”. Ka theksuar se paragjykime të tilla nuk gjenden te institucionet e kulturës, e veçmas festivalet, që përherë i mirëpresin filmat e saj.

Në “DokuFest”, sivjet ajo gjithashtu ka marrë çmimin “Euro Connection” në Forumin e Filmit të Shkurtër me projektin e saj “I still haven’t cried” të cilin tash ka vendosur ta zhvillojë me animatoren Elsa Talla. Për këtë film ka bërë të ditur se do të punojë gjithë vitin në ardhje, ndërsa premierën parashihet ta ketë në vitin 2027.

“Vitin e ardhshëm, gjithë vitin, do të punoj vetëm në pre-produksion të filmit, domethënë vetën në skenarë, në storje, në ilustrimet e para. Jam duke shikuar ta bëj bashkëprodhim me Francën, Bullgarinë dhe Kroacinë. Jam në komunikim. Do të ishte e mrekullueshme nëse ndodh. Ky çmim është për të shkuar në Clermont-Ferrand dhe të kontaktoj me njerëz të tjerë për bashkëpunime. Besoj që tek në vitin 2027 do t’ua nisi ta punoj tamam”, bën me dije Kokolli.

Pesë muaj punë për pesë sekonda animacion

Se sa mund e përkushtim kërkon filmi i animuar, Flaka Kokolli me bashkëpunëtorë e patën hapur një ekspozitë në korrikun e 2023-s në “Europe House” në Prishtinë. “Animated Worlds” rrëfente sfidat e animatorëve. Sesi pesë muaj punë zbërthehen në pesë sekonda animacion.

“Ne e vizatojmë çdo skicë. Çdo sekondë i ka 24 ose 25 ‘frame’, por jo secilën duhet ta vizatosh, shumicën e kohës e vizatojmë çdo të dytën. I bie që për një sekondë mund të ketë 8 deri 12 vizatime. Mund të shkojë edhe 24 nëse është një arsye specifike, por mesatarja do të thosha është 8 deri 12 vizatime. I skicon karakteret dhe një herë e punon. Është shumë punë konsumuese, merr kohë, por vështirësia e vetme që e njoh është se çdo animator ka problem me shpinën”, shpjegon Kokolli duke qeshur.

Për animatoren Flaka Kokolli, animacioni ka potencial e hapësirë. Ka vend për përmirësime. Të qenët pioniere në gjeneratën e saj ka privilegje e mangësi. Regjisorja e filmave të animuar shprehet se animacioni nuk është industri e shtypur. Por se e ka rrugën e hapur drejt lulëzimit në skenën kinematografike. Ajo tashmë është shembulli.