Kulturë

Bota sheh ekspozitën e “Haveit” nëpërmjet “The Guardian”

Prestigjiozja britanike “The Guardian” në listën e fotografive të ditës i ka bërë vend edhe fotografisë së Armend Nimanit, e cila paraqet imazhin e ekspozitës “Dita natë, nata vjet” nga kolektivi “Haveit” në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Ajo paraqitet si një fotografi që në qendër ka një subjekt me kokën lart teksa shikon instalacionin e ekspozitës, si një jorgan masiv që mbulon tavanet e përdheses së Galerisë Kombëtare të Kosovës

Në mesin e qindra imazheve që vijnë nga të katër anët e botës, aso që ilustrojnë ngjarje a figura me peshë, nuk është punë e lehtë të depërtohet edhe nga një vend i vogël si Kosova. Dhe atë me një ngjarje kulturore.

Në radhë me fotografitë nga frontet e luftës në Palestinë e Ukrainë, nga portretet e politikanëve si Dondald Trump, që shfaqet në një miting në New Hampshire, e nga një paraqitje e fustanit nga koleksioni i ri i shtëpisë së modës “Chanel”, zë vend edhe imazhi i ekspozitës se kolektivit “Haveit” në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Është në mesin e 16 fotografive të ditës.

Fotografia e fotografit nga Kosova, Armend Nimani, nga ekspozita “Dita natë, nata vjet” është në listën e fotove të ditës së prestigjiozes “The Guardian” me një kuadër i cili paraqet një subjekt në mes të ekspozitës teksa shikon instalacionin e ekspozitës – një jorgan masiv që mbulon tavanet e përdheses së Galerisë. Ky kompozicion krijon përshtypjen e mbërthimit të subjektit nga jorgani, duke piketuar direkt dhe vetë idenë prapa jorganit në ekspozitë, që ndër të tjera qe dhe roli i tij si mbulesë nga turpi.

Ekspozita nga kolektivi “Haveit” dhe e kuruar nga Lulzim Zeqiri, e hapur të premten e kaluar, ballafaqon ndërgjegjen me patriarkatin dhe efektet negative që burojnë prej tij. E përmes jorganit paraqitet frika fëmijërore dhe shërben si “strehë” për ta tejkaluar atë. Instalacionit që jep efektin e qëndrimit në re nëpërmjet një lloj labirinti nëpër korridoret e hapësirës i jepet dhe kuptimi që bart konceptin e jorganëve të vjetër, është portretizim për peshën që gratë e bartin mbi supe.

Fotografi Nimani gjatë 16 vjetëve karrierë si fotoreporter i agjencisë botërore AFP është munduar të promovojë ngjarjet kulturore dhe skenën artistike, si në Kosovë njëjtë dhe në Shqipëri. Ka pasur sukses disa herë.

“Gjatë këtyre viteve fotografitë e shkrepura në Kosove jo rrallëherë kanë zënë faqet e para të magazinave të mëdha, ose janë përzgjedhur si fotografitë më të mira të ditës. Një fotografi e shkrepur në vendin dhe momentin e duhur, gjithsesi që nuk i ik vëmendjes së redaktorëve të magazinave të mëdha nëpër botë, ndërsa gjithmonë më bën të lumtur fakti që Kosova është në mesin e këtyre përzgjedhjeve”, ka thënë Nimani të mërkurën në një prononcim për KOHËN.

Duke e vlerësuar punën e “Haveit” si të arrirë, ai ka thënë se pas punës së tyre, realizimi i fotografisë qe i lehtë për të.

“Realizimi i fotografive të bukura gjithsesi është më i lehtë kur ambienti është i bukur, në mënyrë që të bie në pah puna e ekspozitës, detajet. Unë kam vendosur që fotografitë t’i realizoj pas hapjes së ekspozitës, në një moment më të qetë ku fokusi do të ishte pikërisht në punimin e ekspozuar”, ka thënë Nimani, duke shtuar se përzgjedhja e fotografisë së tij nga redaktorët e “The Guardian” qe e mirëseardhur për të.

Por për fotografin Armend Nimani vlerësimi i punës së tij në skenën ndërkombëtare është prezent gjatë karrierës së tij.

“Gjatë viteve të punës sime ka pasur disa raste për të cilat jam ndier i vlerësuar. Në vitin 2016 prestigjiozja ‘TIME’ ka zgjedhur 100 fotografitë më të mira në botë, në mesin e të cilave ka qenë një fotografi e imja, ‘Rolling Stone’ ka ilustruar disa herë tekstet e tyre po ashtu me fotografi të shkrepura në Kosovë, ‘The New York Times’ një periudhë ka përzgjedhur fotografitë më të mira të javës nëpër botë, ku gjithashtu janë përzgjedhur fotografi nga Kosova disa herë dhe mediume të tjera botërore”, ka shtuar Nimani.

Lajmin për publikimin e fotografisë së Nimanit në këtë listë e kanë mirëpritur dhe vetë autoret e ekspozitës. “Ndihemi mirë, meqë fotografia e Armend Nimanit është përzgjedh në ‘Photos of the Day’ në ‘The Guardian’ sepse i jep ekspozitës publicitet edhe jashtë Kosovës. Po besojmë që bashkë me kuratorin Lulzim Zeqiri kemi krijuar një ekspozitë që flet me gjuhë universale dhe nuk duhet të shihet vetëm në kontekstin e Kosovës”, ka thënë kolektivi “Haveit” në një deklaratë të përbashkët.

E këtë, katërshja e “Haveit” – Alketë Sylaj, Hana Qena, Vesa Qena dhe Lola Sylaj – e sheh edhe si mundësi që ekspozita të ngrihet në nivel tjetër e edhe interesimi për të. Aty shihet dhe potenciali i saj, edhe pse si një instalacion masiv ai mund të ekspozohet e përshtatet në cilindo qytet të botës.

“Ne si artiste jemi befasuar kur e pamë punimin tonë të shpërndarë gjithandej në rrjetet sociale, tash besojmë që do të ketë më shumë kuriozitet për ekspozitën dhe për neve si artiste”, ka shkruar “Haveit”.