Kulturë

“Carmina Burana” historike në Kosovë si univers paqeje e harmonie

Skenë nga kantata skenike “Carmina Burana” nën dirigjimin e mjeshtrit japonez Toshio Yanagisawa, me koreografi origjinale të Toni Candeloros  (Foto: Arben Llapashtica)

Skenë nga kantata skenike “Carmina Burana” nën dirigjimin e mjeshtrit japonez Toshio Yanagisawa, me koreografi origjinale të Toni Candeloros (Foto: Arben Llapashtica)

Nën dirigjimin e mjeshtrit japonez, Toshio Yanagisawa, me koreografi origjinale të Toni Candeloros, me përfshirjen e solistëve ndërkombëtarë dhe një trupe të gjerë artistësh vendës, kantata skenike “Carmina Burana” e kompozitorit gjerman, Carl Orff, është shndërruar në një moment të rrallë dhe historik për jetën kulturore të Kosovës. Në esencë, ka krijuar një univers ku triumfojnë paqja e harmonia, e cila ka qenë emërues i përbashkët edhe në bashkëpunimin midis institucioneve që e kanë sjellë në skenë

Kur muzika, vallëzimi dhe zëri shkrihen në një frymëmarrje të përbashkët, skena bëhet vendlindje e një momenti historik për kulturën. Në këtë format, të premten dhe të shtunën mbrëma në sallën “AMC Hall” në Obiliq, një bashkim i paprecedent i tri institucioneve më të rëndësishme të kulturës në Kosovë – Filharmonisë së Kosovës, Operës së Kosovës dhe Baletit Kombëtar të Kosovës – ka sjellë për publikun një nga veprat më madhështore të repertorit klasik botëror: kantatën skenike “Carmina Burana” të kompozitorit gjerman, Carl Orff.

Me këtë vepër, Filharmonia e Kosovës e përmbyll sezonin, përpara se ta bien edhe një vepër të komisionuar në fund të qershorit.

Nën dirigjimin e mjeshtrit japonez Toshio Yanagisawa, me koreografi origjinale të Toni Candeloros, me përfshirjen e solistëve ndërkombëtarë dhe një trupe të gjerë artistësh vendës, kjo shfaqje është shndërruar në një moment të rrallë dhe historik për jetën kulturore të Kosovës. Të mbështjellë nga tingujt e fuqishëm të orkestrës dhe zërat e korit, publiku ka përjetuar një natë ku arti nuk ka qenë thjesht performancë, por një përvojë kolektive e lartësuar nga pasioni, përkushtimi dhe bashkimi institucional.

Në sallën gjysmë të errësuar të “AMC Hall”, skena është shndërruar në një univers të tensionit dramatik dhe harmonisë kolosale. Nga të dy anët e saj, koristët kanë qëndruar në pozicione të lartësuara, të vendosur në formë amfiteatri, ndërsa në qendër, Orkestra e Filharmonisë ka krijuar një strukturë të dendur tingujsh që është përhapur fuqishëm në ajër. Drita e zbehtë dhe tymi i lehtë i skenës kanë krijuar një ndjesi mesjetare e mitologjike, ndërkohë që trupa e baletit ka sjellë lëvizjen në mes të këtij peizazhi të ndërtuar me precizitet muzikor. Në sfond, një projektim fluid dhe abstrakt ka shtuar dimensionin vizual të veprës, duke bërë që çdo moment të duket si pjesë e një riti të madh të përbashkët. Publiku ka përjetuar një natë ku arti është bërë një përvojë kolektive që ka kapërcyer kufijtë e të zakonshmes.

Në sallën gjysmë të errësuar të “AMC Hall”, skena është shndërruar në një univers të tensionit dramatik dhe harmonisë kolosale (Foto: Arben Llapashtica)

Nën ritmet e Carl Orffit, me kantatën e kompozuar më 1936, bazuar në tekste të dorëshkrimeve të mesjetës, “Carmina Burana” është një ndër veprat më të njohura të muzikës klasike. Hapet dhe mbyllet me pjesën “O Fortuna”, një himn dramatik për pafuqinë njerëzore ndaj fatit. Midis këtyre kulmeve zhvillohen tema që prekin natyrën, dashurinë, epshin dhe jetën si festë e përkohshme. Këto përmbajtje kanë marrë jetë përmes një interpretimi shumëdimensional në skenën e Obiliqit.

Në këtë produksion madhështor, kanë marrë pjesë Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, Kori i Operës së Kosovës, si dhe koristët e Korit të Fëmijëve “Okarina” dhe ata të shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë. Në rolet solistike janë paraqitur sopranoja Besa Llugiqi, tenori italian Federico Buttazzo dhe baritoni Ivo Yordanov, ndërsa trupës së baletit i janë bashkuar emra të shquar si Antonella Albano nga “Teatro alla Scala” dhe balerinët kosovarë: Sead Vuniqi, Fatmir Smani, Behie Murtezi, Leonora Rexhepi, Mërgime Morina, Aulona Nuhiu, Fisnik Smani, Blerta Fanaj, Ensar Lutaj, Isa Gjocaj, Donmir Bilalli, Met Bikliqi, Rigon Krasniqi, Nik Musolli, Ilir Krasniqi dhe Liridon Mziu. Për një mbrëmje, të gjithë këta emra janë bërë një trupë e vetme në shërbim të artit dhe të një vepre që sfidon kufijtë estetikë e organizativë të skenës vendore.

Dirigjenti japonez Toshio Yanagisawa, emër i shquar për Filharmoninë e Kosovës, për herë të parë ka bashkëpunuar me Baletin në një vepër të tillë, e ka cilësuar përvojën si befasuese dhe emocionale.

“Jam shumë i emocionuar, sapo e përfundova drejtimin e ‘Carmina Buranas’ dhe jam i befasuar, Kori ishte jashtëzakonisht i mirë, Orkestra dhe kori i fëmijëve, gjithashtu edhe Baleti. Është hera ime e parë që bashkëpunoj edhe me Balet, andaj jam i befasuar sepse ishte shumë i bukur, nganjëherë shumë i fuqishëm dhe është një ndjesi shumë e mirë për mua”, ka thënë ai për KOHËN, duke treguar se ndihet shumë i lumtur me rezultatin.

“Meqë s’kam bashkëpunuar deri tani, u befasova që tani e mora në dorë dhe doli tepër mirë. Nuk kam pasur mundësi deri tash ta bëj këtë, kështu që sivjet desha të bëj diçka që s’kam bërë më parë, isha kurioz dhe tani që e bëra jam shumë i lumtur”, ka shtuar ai.

Dardan Selimaj, ushtrues detyre i drejtorit të Filharmonisë, ka theksuar përmasën e rrallë të këtij bashkëpunimi institucional.

“’Carmina Burana’ është një prej veprave më të popullarizuara të repertorit klasik, është moment me të cilin Filharmonia e Kosovës e përmbyll sezonin përpara se të sjellim edhe një vepër të komisionuar në fund të qershorit. Është vepër që është interpretuar tre vjet më parë, por jo në formatin e saj skenik, është vepër shumë komplekse që është e vështirë të vihet në skenë dhe jam shumë i lumtur që kemi arritur ta sjellim për publikun dhe për ta arritur një moment, në të cilin e gjithë trupa e muzikantëve të Filharmonisë, Kori i Operës, Kori i Filharmonisë dhe trupa e valltarëve të Baletit Kombëtar të Kosovës të bëhen bashkë nën koreografinë e një prej balerinëve ikonikë italianë, Toni Candeloro”, ka thënë Selimaj.

Të mbështjellë nga tingujt e fuqishëm të orkestrës dhe zërat e korit, publiku ka përjetuar një natë ku arti nuk ka qenë thjesht performancë, por një përvojë kolektive e lartësuar nga pasioni, përkushtimi dhe bashkimi institucional (Foto: Arben Llapashtica)

Ai ka spikatur edhe sfidat logjistike që lidhen me mungesën e një hapësire të përbashkët.

“Natyrisht edhe solistët të cilët kanë qenë pjesë e natës së sontme janë jashtëzakonisht të rëndësishëm, solistët e trupës së baletit por edhe ata lokalë si Besa Llugiqi, Ivo Yordanov dhe tenori italian Federico Buttazzo. Dua të them që një moment i tillë e ka pasur mundësinë ta sjellë përpara publikut kapacitetin që tri institucione të rëndësishme të kulturës e kanë, por që e sjell në rrethana jashtë shtëpisë së tyre, ka qenë shumë më sfiduese. Unë shpresoj që kur ta risjellim herët e ardhshme të jemi në shtëpinë tonë dhe besoj që atëherë do të jetë më e thjeshtë edhe për ne edhe për publikun, për produktin dhe rezultatin final”, ka shtuar ai.

Koreografi italian Toni Candeloro, që ka ardhur për herë të dytë në Kosovë, këtë herë si koreograf dhe jo vetëm si balerin, është shprehur thellësisht i prekur nga kjo përvojë.

“Për mua është me shumë rëndësi të vij për herë të dytë, meqë hera e parë ishte në dhjetor si valltar, ndërsa tani si koreograf. Ishte shumë e rëndësishme të jem mes tyre për dy muaj, sepse e kam zbuluar një pjesë tjetër të vetes, meqë të gjithë janë kosovarë; në vendet e tjera ka italianë, francezë... ndërsa këtu secili është i të njëjtit gjak. Për mua ishte emocion i madh, sepse kur të gjithë e ndiejnë të njëjtën gjë brenda grupit është një mrekulli, sikur ke material për ta ndërtuar një skulpturë”, ka thënë koreografi Candeloro për KOHËN. Sipas tij, ky ka qenë një moment historik për skenën kosovare.

“Sepse është një ekip njerëzish që kanë dashur të bëjnë teatër, opera, baleti, është produksion shumë i madh, krejt këto bashkë është e jashtëzakonshme dhe tregon dashurinë për kulturën. I përgëzoj, sepse është e vështirë të shohësh në Evropë diçka të këtillë në ditët e sotme dhe ky është një fillim me shumë rëndësi”, ka shtuar ai.

Edhe solisti bullgar Ivo Yordanov ka ndarë entuziazmin e tij, duke vlerësuar lart të gjitha trupat që janë bërë bashkë për këtë “natë fantastike”.

“Ishte shumë kënaqësi, është fantastike. Kjo është muzika! Gjithashtu kasta ishte e mrekullueshme: kolegët e mi ishin shumë të mirë, orkestra ishte për mrekulli, Kori ka qenë mahnitës dhe prapa shpine kishim baletin që nuk e pamë, por na kanë treguar se janë shumë të mirë. U kënaqa shumë, një natë fantastike.... Jam shumë krenar dhe i lumtur që hera ime e parë në Kosovë e në Prishtinë ishte me ‘Carmina Buranan’, që është kantatë që e performoj shpesh dhe e dua shumë”, ka thënë baritoni Yordanov.

Nga këndvështrimi i audiencës, për koncertin ka folur Besa Luzha, profesoreshë e muzikës në Universitetin e Prishtinës, e cila e ka vlerësuar lart performancën e përbashkët.

“Mbrëmja e organizuar nga Filharmonia, Opera dhe Baleti i Kosovës, ku u shfaq kantata skenike nga Carl Orff, ‘Carmina Burana’ ishte e shkëlqyeshme. Bashkëpunimi në mes të Orkestrës, Korit, Solistëve dhe trupës së Baletit ngjante në një mobilizim për të transmetuar mesazhin e triumfit të së mirës ndaj të keqes, te paqes kundrejt dhunës. Studentët që patën fatin të jenë pjesë e këtij projekti muzikor kanë përjetuar bukurinë e muzikimit të përbashkët”, ka thënë Luzha.

Në një vend ku sfidat infrastrukturore shpesh kufizojnë prodhimet skenike të përmasave të tilla, kjo shfaqje ka dëshmuar se kur ekziston vullneti, bashkëpunimi dhe përkushtimi artistik, skena e Kosovës mund të prodhojë spektakle që qëndrojnë krahas çdo shfaqjeje evropiane (Foto: Arben Llapashtica)

Në një vend ku sfidat infrastrukturore shpesh kufizojnë prodhimet skenike të përmasave të tilla, kjo shfaqje ka dëshmuar se kur ekziston vullneti, bashkëpunimi dhe përkushtimi artistik, skena e Kosovës mund të prodhojë spektakle që qëndrojnë krahas çdo shfaqjeje evropiane.

“Carmina Burana” në Kosovë, më shumë se një koncert i zakonshëm, ka qenë dëshmi se kultura nuk njeh kufij kur përqafohet si vizion i përbashkët.