Kulturë

CNN: “Zjerm” e Shqipërisë, kënga më e mirë e “Eurovisionit”

Shkodra Elektronike

Foto: Associated Press

“Nuk ka asgjë tjetër si kjo performancë dhe ata po marrin mbështetjen e merituar nga fansat”, është përshkrimi që ia bën gjiganti mediatik CNN dyshes së “Shkodrës Elektronike”, e cila me “Zjerm” e ka çuar Shqipërinë në finalen e edicionit të 69-të të garës evropiane të këngës, “Eurovision”

Mediumi prestigjioz amerikan CNN e ka vlerësuar këngën “Zjerm” të “Shkodrës elektronike” si këngën më të mirë të edicionit të sivjetmë të garës evropiane të këngës “Eurovision”. Në një artikull të publikuar të premten, duke renditur të 26-të këngët finale, CNN në numrin një ka lënë Shqipërinë.

Në përshkrimin për këtë këngë, dyshja e “Shkodrës elektronike” shihet si “dyshja më e papritur” e “Eurovisionit”.

E në një deklaratë për CNN-in, këngëtarja Beatriçe Gjergji ka thënë se “Eurovisioni” në fakt nuk është një tip i muzikës së tyre. Pikërisht kjo, sipas autorit Rob Picheta, ka bërë që Shqipëria të ketë përparësi dhe se për shkak të mosngjashmërisë me asnjë këngë tjetër, po merr vëmendjen e merituar nga fansat.

“Emocionet janë të mëdha, skena është e madhe, presioni është i madh”, citohet të ketë thënë Gjergji.

CNN e nis me një përshkrim mbi dy këngëtarët shqiptarë, Kolë Laca dhe Beatriçe Gjergji. Sipas rrjetit televiziv amerikan, “Shkodra

Elektronike” mund të jetë befasia e këtij edicioni. “Një zotëri ‘kokërruar’ dhe një këngë e cila jep atmosferën e një kulti, ku bashkë me Beatriçen formojnë çiftin më origjinal të “Eurovisionit”. “Shkodra Elektronike” mund të kapitalizohet mbi mesataren e këngëve të tjera, gjë e cila mund ta bënte të arrinte një fitore shokuese në Eurovision”, shkruan CNN.

CNN shkruan më tej se dyshja duhet të jetë adhuruese e madhe e “Eurovisionit”, Gjergji përgjigjet: “Jo, aspak, nuk është lloji ynë i muzikës”. Rrjeti amerikan shpjegon më tej se ambivalenca e tyre është një pasuri: nuk ka asgjë tjetër si kjo performancë dhe ata po marrin mbështetjen e merituar nga fansat.

“Nëse besoni në llojin e muzikës që doni më shumë, mbase diçka mund të ndodhë”, citohet Gjergji.

Finalja e “Eurovisionit” mbahet të shtunën. Shqipëria do të performojë e fundit.

Në këtë artikull të CNN-it, kënga e dytë më e mirë është vlerësuar “Wasted Love” e JJ, që përfaqëson Austrinë. Top-pesëshja kompletohet me finlandezen Erika Vikman dhe këngën “Ich Komme”, përfaqësuesen e Zvicrës, Zow Më, me “Voyage” dhe Louanen nga Franca me “Maman”.

Shqipëria e kualifikua në finale të “Eurovisionit” të martën në natën e parë gjysmëfinale.

Shqipëria kohëve të fundit nuk i ka pasur punët mirë me “Eurovisionin”. Në edicionin e kaluar, me votat e publikut, të drejtën e përfaqësimit të Shqipërisë në “Eurovision” e kishte Besa Kokëdhima me këngën titulluar “Zemër n’dorë”. Përderisa në Shqipëri komuniteti artistik e dinte se Festivalin e Këngës në RTSh do ta fitonte Kokëdhima, ajo s’ia doli dot të shkonte në finalen e “Eurovisionit”.

Shqipëria vazhdon të mbajë rekordin e përfaqësuar me Rona Nishliun nga Kosova në vitin 2012. Ajo me këngën “Suus” qe radhitur në vendin e pestë. Po nga Kosova ishte edhe Lindita Halimi me “World” në vitin 2017. Shqipëria për herë të parë mori pjesë në garën e njohur evropiane të këngës “Eurovision” në vitin 2004. Atë vit u përfaqësua nga Anjeza Shahini me këngën “The Image of you” (Imazhi yt), me të cilën zuri vendin e shtatë. Kjo pozitë mbeti më e larta që arriti deri në vitin 2012. Në vitin 2022 shtetin e përfaqësoi Ronela Hajati me “Sekret”. Kurse më 2023 me Albina Kelmendin dhe familjen e saj morën 76 pikë në total dhe u rendit e 22-ta në finale.

Zvicra u bë nikoqire e edicionit të sivjetmë të “Eurovisionit”, pasi vitin e kaluar Nemo me “The Code” kishte marrë trofeun në Malmo të Suedisë, që u përshkrua edhe si një finale dramatike.

Sivjet janë 37 shtete që marrin pjesë në Festival, bashkë me Malin e Zi, që është rikthyer pas dy vjetëve pauzë. Prej tyre pesë të përhershmet shkojnë direkt në finale: Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Italia. Dy kantautorët e “Shkodrës...” janë emigrantë në Itali. “Shkodra Elektronike” u themelua më 2019 dhe repertori i tyre kryesisht përfshin rikrijime e ripërpunime të perlave të këngës shqiptare. Kishte filluar si grup dhe në këtë kohë performoi në shumë ngjarje të rëndësishme italiane dhe shqiptare. E para ishte me rastin e hapjes së Pavijonit të Kosovës dhe Shqipërisë në Bienalen e Venecias më 2019. Më tej vazhdoi ta thellonte zhanrin me hapjen e ekspozitës personale në Tiranë të artistit Adrian Paci dhe në edicionin e katërt të festivalit “Zā Fest” e të tjera. Në vitin 2020, “Shkodra”... nisi të publikonte këngët e para. Kënga origjinale “Ku e gjeta vendin” ishte fituese e çmimit special në “Festivalin Lule Borë" e më tej kishin nxjerrë edhe të tjera një vit më pas, si “Synin si qershia” e “Turtulleshë”. “Zjerm”, që përfundon me thirrjen “shndrit”, ka marrë vëmendje gjithandej duke u ripërpunuar e risjellë në versione të ndryshme.