Historia e kinematografisë shqiptare nuk shkruhet dot pa titujt si “Lulëkuqe mbi mure”, “Komisari i dritës”, “Debatiku”, “Malet me blerim mbuluar” apo “Dueli i heshtur” e as pa emrin që ua la shqiptarëve këto thesare. Dhimitër Anagnosti vdiq të hënën. Në ditëvdekjen e tij, kujtimet e cilësimet për të, janë rikthyer si një shirit filmik. Ndër të tjera është cilësuar si babai i kinematografisë shqiptare, mjeshtër i ndërtimit të karaktereve e diktator i së bukurës. “Nuk është detyrë e artit të rrëfejë ngjarje, ato i takojnë historisë për t’i analizuar. Duhet shumë dashuri për të realizuar një film”, kishte thënë ai më 2006, kur sapo kishte realizuar filmin e fundit, “Gjoleka, djali i Abazit”. Por me krijimtarinë e tij, Anagnosti shkroi histori
Filmin e përkufizonte si art kohor që nuk ngjan me një pikturë, por është si një muzikë simfonike. “Jashtë kohës industriale, filmi është një kohë tjetër, pa rregulla të përcaktuara”, do të thoshte ai para nja dy dekadash, kur qetas do të vendoste ta thyente heshtjen, e të zhvishej prej epitetit si artisti hermetik në raport me mediat.
Por ka një antagonizëm në krejt këtë. Vepra e tij është e tejkohshme, e fjala e tij ishte filmi. Dikush do ta quante edhe “diktator të së bukurës”, por krejt bashkë e cilësuan kaherë si ikonë të kinematografisë shqiptare.
Në ditëvdekjen e tij, epitete si këto dhe jo vetëm, janë vulosur edhe më njashtu siç ka bërë ai në historinë e filmit shqip. Ikja e tij lë zbrazëti, por është kujtesë se figura si këto nuk zbehen dot.
Regjisori Dhimitër Anagnosti vdiq të hënën. Ishte 89 vjeç. Kumtin e kanë dhënë familjarët, e të shpejta kanë qenë reagimet e kujtimet për të që kanë ardhur sikur një shirit filmik me sekuenca veprash të tij. Lista e tyre është e gjatë.
“Nuk është detyrë e artit të rrëfejë ngjarje, ato i takojnë historisë për t’i analizuar. Duhet shumë dashuri për të realizuar një film”, kishte thënë ai më 2006, kur sapo kishte realizuar filmin e fundit, “Gjoleka, djali i Abazit”. Por me krijimtarinë e tij, Anagnosti shkroi histori.
I lindur më 23 janar 1936 në Vuno, në biografinë zyrtare të tij shkruhet se ai është një nga regjisorët shqiptarë më të rëndësishëm të shekullit XX. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes dhe shkollën unike dhe të mesme të përgjithshme i kreu në Vlorë. Më 1954 - 1960 ndoqi Institutin Kinematografik “VGIK” të Moskës, ku u diplomua për kinooperator. Së bashku me Viktor Gjikën xhiruan si punë diplome filmin “Njeriu kurrë nuk vdes”, një ekranizim i tregimit të Ernest Heminwayt, i cili u vlerësua me Çmimin e Parë në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematografike, që u zhvillua në Holandë më 1961.
“Filloi punë si operator në Kinostudion ‘Shqipëria e re’ në 1961, me filmin ‘Debatik’ (1961) e më pas me filmin ‘Toka jonë’ (1964). Xhiroi edhe të parin film dokumentar me ngjyra, ‘Gurët dekorativë’. Filmin e parë si regjisor e realizoi në vitin 1966, së bashku me Viktor Gjikën, ‘Komisari i dritës’ dhe një vit më vonë i vetëm si regjisor, filmin ‘Dueli i heshtur’. Në karrierën e tij 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, ka fituar mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë”, shkruhet në biografinë e tij.
Për cilësitë e tij të rralla artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze është nderuar me titullin “Artist i Popullit” më 1987 dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10-të Filmit Shqiptar. Viti 1991 e gjen në lëvizjen demokratike për pluralizmin në Shqipëri, motiv për të cilin zgjidhet edhe deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë (1991-1996). Më 12 prill 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post të cilin e mbajti deri në 4 dhjetor 1994, ku dha dorëheqjen. Në vitin 2001 shkroi dhe vuri në skenë në Teatrin Kombëtar dramën e vetme “Nata e trokitjeve në xham”.
Qysh më 1976, Anagnosti do ta shënjonte kinemanë shqiptare me “Lulëkuqe mbi mure”. “Njeriu kurrë nuk vdes”, qe i pari me të cilin hyri në botën e artit të shtatë, sot mbase një titull që do të mund të shkruhej edhe për të. “Kthimi i ushtrisë së vdekur (1989), “Përrallë nga e kaluara” (1987), “Gurët e shtëpisë sime” (1985), “Kujtime nga Gjirokastra” (1983), “Vëllezër dhe shokë” (1982), “Në shtëpinë tonë” (1979), “Monumenti” (1977), “Kur hiqen maskat” (1975), “Cuca e maleve” (1974) “Përjetësi” (1974), “Motive nga dita e diel” (1973), “Malet me blerim mbuluar” (1971), “Parafabrikatet” (1970), “Plagë të vjetra” (1968), “Duel i heshtur” (1967), “Komisari i dritës” (1966), janë veprat që mbajnë vulën e tij e pa të cilat nuk shkruhet dot historia e artit shqiptar. Veproi në kohë diktature, vetë do të deklaronte se nuk mohon asgjë duke kujtuar edhe artikullin e tij “Jam ndihmës i Partisë”, tek theksonte se arti kinematografik, në kohën e diktaturës ishte arti i propagandës komuniste.
“Por, jo të gjithë kemi pasur të njëjtat vizione. Kam qenë i ndërgjegjshëm që ky sistem e ka një fund. Këtë e dija, edhe atë tjetrën, se do të përgjigjesha një ditë për filmat e mi. Ndoshta prandaj unë nuk kam krijuar personazhe komikë dhe qesharakë. Kam qenë i idesë që personazhi të mbrojë idetë e veta. Kujtoj filmin ‘Malet me blerim mbuluar’, i cili për mua mbetet dinjitoz. Nuk më kanë tërhequr ngjarjet. Përpjekja ime ka qenë krijimi i karaktereve. Historia e filmit është historia e artit të personazhit, është ‘arti i syve’, asaj që buron nga brenda. Kanë qenë karaktere realiste. Kam bashkëpunuar me njerëz të talentuar. Ndoshta kështu kanë mbijetuar filmat e mi”, kishte thënë ai në intervistë për gazetaren Milena Selimi. Dhe, po, filmat e tij kanë mbijetuar dhe jetojnë ende.
Ka qenë aktori Mevlan Shanaj ai që e ka quajtur Angnostin “diktator të së së bukurës” e maja e arritjeve artistike të ekranit shqiptar.
“Lamtumirë mjeshtri i ndërtimit të karaktereve shqiptare! Nuk ka më Anagnost ekrani, nuk ka një të dytë si ai! Shqipëria sot ka pësuar një humbje të madhe, sa e varfër kinemaja pa ty Anagnost! Sa të pasur na e ke lënë dijen për jetën shqiptare!”, ka shkruar ai.
Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka shkruar se largimi i Dhimiter Anagnostit është një humbje që ndjehet thellë, një boshllëk që nuk mund të plotësohet.
“Ai nuk ishte thjesht një artist, ishte një shpirt që e ndiente çdo detaj të jetës dhe e pasqyronte atë në çdo vepër filmike. Me çdo fjalë, çdo skenë, çdo dritë të imagjinatës së tij, na mësoi që kinemaja është arti më i bukur. Nuk ishte vetëm krijues, ishte një njeri që e bëri artin një pasion që të zinte frymën. Në çdo pjesë të veprës së tij, mbeti një shenjë e pashlyeshme: ajo e një njeriu që ia dha gjithçka artit që besonte”, ka shkuar QKK-ja.
Homazhet në nderim të tij do të mbahen të martën në hollin e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka shkruar se me vdekjen e Anagnostit “plejadës së artistëve të mëdhenj shqiptarë iu shkëput një tjetër yll.
“Shqiptarët do të vazhdojnë të magjepsen nga arti yt i madh”, ka thënë presidenti Begaj, e kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka kujtuar nëpërmjet veprave por edhe si figurë nga jeta e tij e përditshme.
“Babai i kinemasë shqiptare, autori i shumë skenarëve që shënjuan rrugën e kinematografisë sonë të re në një kohë tejet të vështirë për ëndrrat krijuese, regjisori i plot filmave të arrirë dhe i filmit kult ‘Lulëkuqe mbi mure’ që ka mbetur sot e gjithë ditën si kryetitulli i ekranit të historisë së filmit shqiptar, mjeshtri i shumërespektuar nga i madh e i vogël dhe vunjotësi kryeneç që mezi e priste verën për t’u arratisur nga qyteti e shkuar poshtë, te shtëpia e fëmijërisë në Vlorë, e më vonë te kasollja e tij buzë detit në Jalë, Barba Taqo, siç e njoha unë kur isha fare i vogël e ai ende shumë i ri apo Dhimitër Anagnosti, siç e njohin të gjithë dashamirët e filmit dhe tërë ata që e deshën a jo, ndërroi jetë pasi jetoi gjithnjë me kokën lart”, ka shkruar ai.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar se me krijimtarinë e tij artistike ai e ngriti edhe më tej lartësinë e çmimit që iu akordua: artist i popullit. Ka përmendur edhe angazhimin e tij politik.
“Në çdo moment të jetës, si deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë apo si ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ai dëshmoi virtytin e maturisë. Regjia e tij është pa dyshim një ndër më të pjekurat e historisë së kinemasë shqiptare. Falë regjisë së tij ne trashëgojmë një fond të vërtetë stilistik. Falë lojës me kamerën e ndriçimin, në filmat ‘Dueli i heshtur’ dhe ‘Malet me blerim mbuluar’ na mbetën në mendje portretet më të mirë të yjeve tanë të kinemasë. Lartësinë e bjeshkëve dhe ashpërsinë e virtytit e zbuluam në ‘Cuca e maleve’ dhe ‘Gjoleka, djali i Abazit’. Dramaturgjinë e lartë të skenës do ta trashëgojmë me filmin monument ‘Lulëkuqet mbi mure’”, ka shkruar Kurti, duke shtuar se kinemaja e tij “është shembullore për brezat që duan të ndjekin udhët e vështira të artit”. “Ngushëlloj mbarë shoqërinë tonë për humbjen e artistit, miqtë e tij të artit, familjarët dhe mbi të gjitha bashkëshorten e tij, znj. Roza Anagnosti, aktoren tonë fisnike”, ka shkruar kryeministri Kurti.
“Regjisor të jetës sonë” e ka quajtur e bija Juna Anagnosti, kur ka dhënë kumtin për vdekjen e regjisorit të madh. “Pas një lëngimi të gjate iu binde ligjit të jetës!”, ka shkruar ndër të tjera ajo për regjisorin i cili artin e përkufizonte si përzgjedhje.
“Asgjë të re s’ka më në këtë botë. Nuk nisem të pasqyroj ngjarjet, pasi filmi nuk është një pasqyrim fotografik, por njerëzit mbi përgjithësimet filozofike, karakteret dhe sjell magjinë e tyre. Arti është krijuar për të dhënë emocione”, do të thoshte ai.
Dhimitër Anagnosti dha emocione. Aso që nuk shuhen dot dhe mbesin të përjetshme nëpërmjet thesarit që ai i ka lënë artit shqiptar.