Kulturë

Disa të arrestuar për grabitjen 90 milionë euroshe në muzeun e Luvrit

Luvri

Muzeu i Luvrit

Foto: Associated Press

Mediat franceze kanë raportuar se dy të dyshuar janë arrestuar për vjedhjen e xhevahireve të çmuara të kurorës nga muzeu i Luvrit në Paris, që kanë vlerën e rreth 90 milionë eurove.

Sipas gazetës Le Parisien, burrat janë me origjinë nga periferia pariziene e Seine-Saint-Denis, dhe njëri po përgatitej të fluturonte nga Aeroporti "Charles de Gaulle".

Lajmin e arrestimit e ka konfirmuar edhe Prokurori i Parisit, ndonëse nuk ka treguar sa persona janë arrestuar.

Stoli me vlerë të madhe janë vjedhur nga muzeu më i vizituar në botë të dielën e kaluar, kur katër hajdutë me vegla elektrike hynë me forcë në ndërtesë në mes të ditës.

Ministri i Drejtësisë i Francës ka pranuar që atëherë se protokollet e sigurisë "dështuan", duke e lënë vendin me një "imazh të tmerrshëm". Edhe drejtoresha e muzeut, Laurence des Cars e ka pranuar se kishin dështuar në aspektin e sigurisë. Ajo kishte ofruar dorëheqjen pas rastit, por që nuk i është pranuar nga ministrja e Kulturës.

Bandat thuhet se kishin mbërritur në orën 09:30, pak pasi muzeu ishte hapur për vizitorët.

Të dyshuarit kanë hipur në katin e parë të Galerisë së Apollonit me një ashensor mekanik të montuar në automjetin që qëndronte afër ndërtesës.

Dy nga hajdutët hynë brenda duke prerë dritaren me mjete elektrike.

Më pas ata kërcënuan rojet, të cilët evakuuan ambientet, dhe prenë xhamin e dy vitrinave që përmbanin bizhuteri.

Policia franceze thotë se hajdutët qëndruan brenda për katër minuta dhe u arratisën me dy skuterë që prisnin jashtë në orën 09:38.

Masat e sigurisë janë shtrënguar rreth institucioneve kulturore të Francës, kanë thënë zyrtarët.