Kulturë

Ermonela Jaho me frymën e operave botërore në skenën e improvizuar të Prishtinës

Ermonela Jaho

Personazhet si Manon, Violetta, Adriana Lecouvreur, Angelica në lojën vokale e aktrimin e Ermonela Jahos kanë tjetër peshë. Shkathtësitë e saj teknike përkojnë me krejt cilësimet e çmimet që ka marrë deri më tash. Kalimet e saj nga ariet dramatike tek ato më lirike kanë natyrshmëri të thellë. Qëllimi i Jahos që në moshë të re ka lënë Tiranën, s’është një interpretim i mirë. Me thellësinë në role edhe në vende si Kosova ku organizohen edhe festivale sa për sy e faqe, ka dëshmuar se artin e ka mision. Ajo edukon me artin e saj (Foto: Enes Sahiti)

Ylli botëror i operës, Ermonela Jaho, ka ndriçuar si askush tjetër skenën në sheshin qendror të kryeqytetit. Përballë saj publiku është futur në personazhet e disa operave dhe për një orë e gjysmë s’janë vërejtur kushtet e vobekta që Prishtina ofron për një koncert të nivelit të Jahos. Sopranoja që ka performuar në shtëpitë më të mëdha operistike në botë, bashkë me përvojën që ka, s’ka dhënë thjesht një koncert operistik. Ka dhënë shkollë se si interpretohen rolet e disa prej operave më të njohura në botë. Së bashku me Orkestrën e Filharmonisë dhe Operës së Kosovës nën dirigjimin e Jakopo Sipari di Pescasseroli, Jaho ka çuar në tjetër nivel skenën e improvizuar të Prishtinës

Vlerësimi i kritikës se Ermonela Jaho këndon tinguj shpirti është bërë i prekshëm dhe kuptimplotë edhe në Prishtinë. Ylli botëror i operës ka ndriçuar si askush tjetër skenën në sheshin qendror të kryeqytetit. Përballë saj publiku është futur në personazhet e disa operave dhe për një orë e gjysmë s’janë vërejtur kushtet e vobekta që Prishtina ofron për një koncert të nivelit të Jahos. Sopranoja që ka performuar në shtëpitë më të mëdha operistike në botë, bashkë me përvojën që ka, s’ka dhënë thjeshtë një koncert operistik. Ka dhënë shkollë se si interpretohen rolet e disa prej operave më të njohura në botë. Së bashku me Orkestrën e Filharmonisë dhe Operës së Kosovës nën dirigjimin e Jakopo Sipari di Pescasseroli, Jaho ka çuar në tjetër nivel skenën e improvizuar të Prishtinës.

Detyrimi ndaj brezit të ri

Me fustanin ku e bardha dhe e zeza kanë dominuar, Ermonela Jaho që më 18 korrik mbush 51 vjeç është paraqitur në skenë. Thjeshtësia e saj e bën që ta mbushë skenën. Përballë të pranishmëve të shumtë në sheshin “Skënderbeu” Jaho ka nisur të interpretojë arie që tash e tri dekada i luan në kryeqendrat botërore. Me ngjyrimet dramaturgjike, hijezimet  e vokalit, delikatesën në interpretim, ka bërë që kryepersonazhet e veprave botërore të jenë të plota si asnjëherë më parë në Prishtinë. 
Manon, Violetta, Adriana Lecouvreur, Angelica në lojën vokale e aktrimin e Jahos kanë tjetër peshë. Shkathtësitë e saj teknike përkojnë me krejt cilësimet e çmimet që ka marrë deri më tash. Kalimet e saj nga ariet dramatike tek ato më lirike kanë natyrshmëri të thellë. Qëllimi i Jahos që në moshë të re ka lënë Tiranën, s’është një interpretim i mirë. Me thellësinë në role edhe në vende si Kosova ku organizohen edhe festivale sa për sy e faqe, ka dëshmuar se artin e ka mision. Ajo edukon me artin e saj.  Sikur edhe në konferencë për media e në takime me udhëheqës shtetërorë, edhe në skenën ku ka interpretuar, ka bërë thirrje për të shtyrë përpara projektin e Teatrit të Operës dhe Baletit në Kosovës.

Përtej imazhit e madhështisë së Ermonela Jahos në skenë, koncerti ka qenë edhe një lloj alarmi sidomos për radhën e parë të publikut. Atë të politikanëve që premtojnë salla koncertale e teatro të operës që deri tash janë veç projekte në letër (Foto: Enes Sahiti)

Madje ka shkuar edhe më tej.

“Jam prekur mbrëmë sepse bëmë një provë dhe kur po këndoja ‘O mio babbino caro’ ishin këtu disa fëmijë për të cilët thashë se mendojnë: çfarë po bërtet kjo teta. Dhe ata po kërcenin me mua. Mendoj për atë brez të ri, ne kemi një detyrim kaq të madh që t’u japim kaq shumë dashuri dhe t’u japim mundësinë të qëndrojnë në vendin e tyre”, ka thënë sopranoja Jaho. Ne vendin e saj ka përfunduar Liceun Artistik, ndërsa studimet i ka vazhduar në Itali. Është prej artisteve që e ikur nga Shqipëria në vitet ’90 është përballur me shumë paragjykime. I është dashur shumëfishi i punës në raport me kolegët tjerë për t’ia dalë. Dhe e ka bërë këtë. Interpretimi i saj ka edhe ngjyrat e një njeriu që ka hequr goxha për të kapur majat. Është vlerësuar si Artistja e Vitit në Çmimet Ndërkombëtare të Muzikës Klasike, Këngëtarja më e mirë në çmimet “Oper” të Gjermanisë dhe Artistja më e mirë e Huaj në çmimet “Opera XXI” në Spanjë për vitin 2024.

Ka interpretuar në skenat më prestigjioze si “Royal Opera House” në Londër, “Metropolitan Opera” në New York, “Bayerische Staatsoper”, “Teatro alla Scala” në Milano, në Operën Kombëtare të Parisit, dhe shumë të tjera. Shkathtësia e saj ka bërë të mundur që në Prishtinë të mos duket se po interpreton disa arie në një koncert operistik. Futja e saj në thellësinë e disa personazheve në pak më shumë se një orë qe mbresëlënëse. Komunikimi i saj me publikun është mjeshtëror dhe pa u sforcuar aspak. Emocionet që përcjell me ariet e operave të Puccinit, Verdit e Cileas s’ia ka parë më herët skena e Prishtinës. 

Ajo zhytet në përjetimin e personazhit dhe rezultatin pos në raport me publikun, e arrin edhe te Orkestra e drejtuesi i saj. Fuqia e Jahos e bën skenën një. Në rolet ku ka qarë s’qe e vetme në vaj. Në lot ka shpërthyer edhe dirigjenti Jakopo Sipari di Pescasseroli.

“Njeriu i vetëm që mund të të thërrmojë në shpirt”

“Pas ‘Sour Angelica’ po e shikoja Ermonelën, ajo po qante, unë po qaja. Ishte e pamundur. Të punosh pranë Ermonelës nuk është përvojë normale, sepse ndien gjithçka. Unë i them gjithmonë se: ‘nuk është e lehtë të punosh me ju, sepse je njeriu i vetëm që mund të të thërrmojë në shpirt’. Ishte e mrekullueshme. Në provën e parë, pas aries së parë e gjithë orkestra po qante. Ajo është e vetmja që mund ta bëjë këtë”, ka thënë maestro Sipari. Mjeshtri italian ka thënë se kjo e bën atë sopranon më të mirë në botë.

“Mendoj se ajo është interpretja më e mirë në botë. Absolutisht është ajo që u jep të gjithëve sensin e jetës, energjinë, pasionin, kuptimin e libreteve të operave. Sheh ‘Tosca’, ‘Madam Butterfly’, ‘Sour Angelica’. Nuk e sheh Ermonelën, e sheh karakterin. Ajo është numër një në botë që mund ta bëjë këtë. E dija sa shumë donte të interpretonte këtu, sepse e do Kosovën shumë dhe për të ishte përvojë emocionale dhe jo thjesht një koncert”, ka thënë ai.

Sopranoja e vlerësuar nga kritika si e parezistueshme ndaj emocioneve që përcjell, përthekohen mjeshtërisht skenën. Diapazoni i saj vokal e dramatik e bën të admirueshme. 

Gjatë gjithë kohës duartrokitjeve të publikut u është përgjigjur me nderim të Orkestrës e sidomos dirigjentit e koncermjeshtres, violinistes, Abigeila Voshtina. Sopranon Jaho, Voshtina, e cila ka qenë drejtoreshë e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë e ka konsideruar unike në rrëfimin e arieve.

“Të gjithë sytë, zemrat, emocionet, karizmat që Ermonela dhe dirigjenti transmetuan, treguan një punë të jashtëzakonshme. Ka qenë një punë kolosale, ua them me sinqeritet. Është punuar në veçanti, është pastruar çdo pjesë operistike, sepse jo çdo orkestër ka fatin të luajë muzikë operistike, sepse Filharmonia është prej vitesh këtu, por jo gjithmonë bën gala operistike, ndoshta jo këtë program dhe jo me këtë interprete. Ermonela është unike në atë tregim e saj të arieve”, ka thënë Voshtina. Ka pasur lëvdata edhe për instrumentistët vendorë. 

“Asnjë nga ne që jemi profesionistë prej shumë vitesh në këtë zanat nuk do thoshte se ishte një orkestër e re”, është shprehur Voshtina, e cila në janar qe soliste me Filharmoninë e Kosovës ku interpretoi “Koncertin për violinë nr.1” të Max Bruchit. Po nga ai koncert, violinistja e shquar u bë urë komunikimi midis institucioneve muzikore dhe sopranos së njohur në skenën botërore të operës.  

Jaho ka interpretuar edhe ariet “Ave Maria”  nga opera “Otello” e Verdit, “Io son l’umile ancella” dhe “Poveri fiori” nga opera “Adriana Lecouvrer” të Francesco Cilea, arien “Sola, perduta, abbandonata” nga “Manon Lescaut” e Puccinit, “Un bel di vedremo” nga “Madama Butterfly” po ashtu e Puccinit e “Addio del passato” nga “La Traviata” e Verdit.  

Rrëfimet që ka sjellë Jaho kanë qenë edhe ato për lumturinë. E tillë ka qenë aria “O mio babbino caro” nga Puccini, para këndimit të së cilës, sopranoja ka uruar fëmijëve t’u plotësohen kushtet që të jetojnë në vendin e tyre. Po ashtu s’ka lënë pa përmendur nevojën për teatër të operës. 

“Falënderoj të gjithë ata që organizuan këtë koncert kaq të bukur dhe qoftë një ogur i mirë që herës tjetër, një koncert të tillë ta bëjmë në shtëpinë e Operës së Kosovës. Po e mbyll koncertin me një arie që është e gëzuar”, është shprehur derisa ka mbajtur të veshur një fustan me ngjyrë të kaltër dhe të zezë.

Përjetimi sikurse në sallë të mirëfilltë

Kompozitori e dirigjenti Rafet Rudi ka thënë se i mahnitur me interpretimin e Jahos.
“Këtë që e dëgjuam sonte nuk besoj që kemi dëgjuar më parë. Ermonelën e kemi hasur në koncerte, por me këtë program, jo të konjukturave të ditës dhe program tepër i guximshëm për një publik që ende e gjykoj në formim, ishte për mua poenta e koncertit dhe ishte aq bukur, me aq profilime dramaturgjike. Është çudi, sepse unë e kam përjetuar gjithë këtë prezantim si në një sallë të mirëfilltë operistike, ndonëse ambienti ndryshon shumë nga ajo që ne do të dëshironim dhe nga ajo që Ermonela është mësuar të performojë në këtë kohë”, ka thënë Rudi.

E thirrjen e saj për teatër të operës, Rudi e ka konsideruar tronditëse.

“Unë jam pak më skeptik, por kjo është një thirrje tronditëse e Ermonelës që e di se ky vend më në fund duhet ta ketë një ndërtesë, por unë jam skeptik që kjo do të bëhet shpejtë”, është shprehur kompozitori e dirigjenti Rafet Rudi.

Sopranoja Besa Llugiqi ka thënë se Jaho është si muzë për të. Se me të drejtë është ndër sopranot më të mira në botë.

“Unë jam emocionuar jashtëzakonisht shumë me gjithë ato ngjyrime, me gjithë atë interpretim, dramaturgji, një interpretim i jashtëzakonshëm që nuk e di nëse mbërrin çdo artist të prek zemrat e publikut në një masë kaq të madhe. Ermonela Jaho është e rrallë, është një artiste që nuk përsëritet, me plot gojë. Një program jashtëzakonisht impenjativ, shumë i vështirë teknikisht në interpretim. Ka treguar një fuqi të jashtëzakonshme të një gruaje të cilën unë definitivisht e kam si muzë”, ka thënë Llugiqi, e cila ka një karrierë të pasur operistike në Bullgari. 

Sopranoja Jaho s’u jep shpirt veç personazheve që i luan. U ka dhënë shumë kurajë e zemër studentëve në Prishtinë që të ndjekin ëndrrat e tyre. U ka rrëfyer për paragjykimet e vështirësitë që ka pasur. E po ashtu që s’ka hequr dorë. Përtej imazhit e madhështisë së saj, koncerti ka qenë edhe një lloj alarmi sidomos për radhën e parë të publikut. Atë të politikanëve që premtojnë salla koncertale e teatro të operës që deri tash janë veç projekte në letër. Interpretimi ka qenë shkollë edhe për disa koncerte e festivale që organizohen gjoja për të interpretuar arie operistike. Mbi të gjitha qe një edukim shpirtëror. Aso që veç arti e ka fuqinë ta bëjë. Dhe atë, kur Ermolena Jaho ia nxjerr në pah krejt ngjyrat.