I pagëzuar si lojë fjalësh, lojë stilesh e periudhash të ndryshme muzikore, ka qenë koncerti i radhës i festivalit ndërkombëtar të muzikës kamertale “KamerFest”, “Espressiva Impressione”. Pianistja Veronika Koprivica nga Danimarka, violinisti Leonard Simaku dhe violonçelisti ukrainas, Alexander Zyumbrovskiy, kanë sjellë atë që e kanë konsideruar si shprehje të shprehjes midis romantikës e ekspresionit. Pjesa “Moj e bukura More” ka qenë kapitulli i veçantë i koncertit. Interpretimi delikat e ka bërë veprën tejet unike, e cila gjëllin prej vitit 1400. Në këtë version ka ardhur premierë
Bukuria muzikore është gërshetuar në programin e koncertit “Espressiva Impressione” të festivalit ndërkombëtar të muzikës kamertale “KamerFest”. Muzika romantike, ajo impresioniste dhe shqipe janë lidhur si poemë në tre kapituj unikë. E tillë ka qenë edhe vepra “Moj e bukura More” e aranzhuar nga Thomas Simaku, e cila si version për piano, violinë e violonçel është luajtur premierë.
Ka qenë koncert përplot emocion e elegancë muzikore. Pianistja Veronika Koprivica nga Danimarka, violinisti Leonard Simaku dhe violonçelisti ukrainas, Alexander Zyumbrovskiy, kanë sjellë atë që e kanë konsideruar si shprehje të shprehjes, e që është një lojë fjalësh.
Ka nisur me “Piano Trio nr.1” nga Mendelssohn, një prej veprave më të njohura për muzikë kamertale. Koha e parë “Molto allegro agitato” ka filluar me një temë nga violonçeli në shoqërim nga pianoja e më pas në linjë ritmike bashkohet edhe violina me një version të shtrembëruar të temës. Dy instrumentet harkore luajnë në unison, ndërsa pianoja zhvillon tema të tjera.
Në “Andante con moto tranquillo” piano e hap pjesën e cila përcillet nga violina e më pas vjen edhe si imitim nga violonçeli. Në “Scherzo. Leggiero e vivace” është më e shkurtër ku tema kryesore luhet nga pianoja dhe shkon duke e reduktuar shoqërimin e dy instrumenteve të tjera. Në “Finale. Allegro assai appassionato” ka përplot kontraste.
Pianistja Koprivica është shprehur se muzika e Mendelssohn është prej më të preferuarave të saj.
“Mendelssohn është një prej kompozitorëve të mi të preferuar. Mbase kompozitori më i rëndësishëm në shekullin e 19-të. Jo pse është më i miri, por sepse ishte mbështetës për shumë artistë të tjerë. Ishte dëshira jonë për ta dëgjuar të gjithë ju, sepse mendoj se është shumë e rëndësishme për njerëzit të rriten shëndetshëm me kulturën e muzikës dhe artet, si dhe të mendosh në paqe sepse muzika është gjuha më universale”, është shprehur ajo.
Në përgjithësi e ka vlerësuar përzgjedhjen e programit si të pasur.
“Ky që e luajtëm është edhe romantik e edhe ekspresionist. Shumëngjyrësh. Është një lloj lojë fjalësh me titullin ‘Espressiva Impressione’. Nuk do të thotë diçka të veçantë, por ndonjëherë dëgjon një vepër të re dhe ka mesazh universal që jep dhe që ka shprehje që mundohesh t’i shprehësh”, ka thënë më tej pianistja nga Danimarka.
Ajo është drejtoreshë artistike dhe themeluese e “Concertato Association” që prej vitit 2016 me fokus në zhvillimin e masterklasave për çka ajo ka ndarë përvojën e saj me shumë pianistë të rinj, përfshirë edhe ata nga Kosova.
“Është shumë e rëndësishme që Kosova mbështet këto ngjarje kulturore si vazhdimësi e kulturës muzikore. Njoh shumë të rinj të talentuar nga këtu që kanë ndjekur masterklasat e mia e që janë muzikantë shumë premtues. Jam shumë e lumtur që kemi interpretuar këtu”, ka thënë ajo.
Pjesa “Moj e bukura More” ka qenë kapitulli i veçantë i koncertit. Interpretimi delikat e ka bërë veprën tejet unike. Ritmi i ngadalësuar nga pianoja e nis rrëfimin muzikor të kësaj vepre, perlë arbëreshe. I njëjti tingull pasohet te violina e pastaj edhe te violonçeli. Të tri instrumentet bashkë e zhvillojnë pjesën tjetër të rrëfimit.
Violonçelisti Zyumbrovskiy ka thënë se kjo vepër ka qenë shumë e pasur me harmoni e emocion.
“Sot e kemi dëgjuar veprën origjinale për violinë solo dhe orkestër simfonike. Ishte shumë e pasur me harmonitë e saj. Është shumë e mirë, shumë e pasur me emocione dhe tonalitete të ndryshme. Ishte shumë më e gjatë sesa ajo që kemi interpretuar sot. Mendoj se është vepër e rëndësishme për repertorin e muzikës shqiptare”, është shprehur ai.

I paktë ka qenë publiku në sallë, por i zgjedhur. Disiplina ka qenë maksimale dhe këtë e ka vlerësuar violonçelisti ukrainas, i cili është shprehur i mahnitur me këtë gjë edhe në koncertin paraprak të “KamerFest” me këngë nga sopranoja Adelina Paloja e tenori Ismet Vejseli, përcjellë me piano nga Shkëlzen Baftiari.
“Dje dëgjuam një tjetër koncert me të cilin isha i mahnitur, sikur edhe me publikun. Ishin shumë të disiplinuar dhe me shumë vëmendje e ndiqnin. Sonte gjithashtu ishte shumë mirë publiku. Jam mahnitur edhe me qytetin, për të cilin nuk prisja të ishte kaq i mirë dhe kaq i qetë”, është shprehur violonçelisti ukrainas Alexander Zyumbrovskiy.
Violinisti Leonard Simaku ka thënë se është hera e parë që kjo vepër është interpretuar në këtë formacion.
“Pjesa ‘Më e bukura Mora’ është këngë tradicionale arbëreshe e 1400-s dhe Thomas Simaku e ka marrë dhe ka bërë një aranzhim të kësaj pjese për trio: violinë, violonçel dhe piano. Kjo ishte premiera botërore, sepse është luajtur edhe me violinë dhe orkestër, që e kam luajtur në Tiranë, pastaj ka edhe aranzhime të tjera për violinë dhe piano, por për trio ishte hera e parë që u prezantua", ka thënë ai.
Në pjesën e fundit të koncertit është luajtur “Piano trio” nga Debussy.
“Është një program tej mase i vështirë duke përfshirë muzikën romantike, atë impresioniste franceze dhe atë shqiptare. Në përgjithësi jemi shumë të kënaqur, sepse ky festival u jep mundësi instrumentistëve të muzikës së dhomës dhe programi për këtë lloj muzike ka një bagazh shumë të gjerë. Harqet janë gjithmonë në dialog me instrumentin e pianos. Peshën më të madhe e ka pianoja sepse shoqëron, është tematike, ndërsa violina dhe violonçeli kanë tema që shprehin një moment. Gjithçka është e vështirë, sepse duhet të ketë komunikim midis instrumenteve të tjera”, ka thënë violinisti Simaku. Është interpretuar në katër kohët e saj: “Andantino con moto alegro”, “Scherzo: Moderato con alegro”, “Andante espressivo” dhe "Finale: Appassionato".
Vepra është tejet atraktive dhe me plot harmoni. Hapet me tingujt atraktivë të pianos.
Pianistja Veronika Koprivica ka thënë se nëpër ritmet e veprës së kompozitorit francez janë peizazhet e bukura të Italisë, të cilat Debussy i vizitonte.
“Debussy udhëtonte nëpër Itali. Ishte në Capri, në Firence dhe ishte frymëzuar shumë nga natyra. Mbase mund të dëgjoni elemente të jetës që rrjedh lehtë, të asaj që atje e quajnë ‘dolce vita’. Kjo është një nga shprehjet e tij. Gjithashtu Leonardi na dha një ide të bukur të luajmë veprën e Simakut dhe ishte një gjë shumë e bukur. Ne të gjithë jemi udhëtarë jashtë vendeve ku kemi lindur dhe mësojmë se cila është muzika nostalgjike e vendeve të tjera”, ka shpjeguar ajo.
Krejt në fund trioja ka interpretuar në bis një vepër nga argjentinasi Julian Plaza.