Thirrja për të lexuar e konstatimet për peshën e librit tashmë janë shndërruar në refren, përderisa shifrat janë alarmi. Anash statistikave, Festivali dhe Panairi i Librit për Fëmijë s’heq dorë nga misioni që fëmijët t’i kthejë te libri. Është festa katërditore, e imazhi që ka dhënë në hapje edicioni i tretë i kësaj ngjarjeje, që ka nisur të mërkurën në sheshin “Zahir Pajaziti”, është një brez të rinjsh të interesuar për librin dhe leximin
Dritare për dije dhe për zhvillim të imagjinatës konsiderohet libri dhe të lexuarit. Kjo vlerë është promovuar në hapjen e edicionit të tretë të Festivalit dhe Panairit të Librit për Fëmijë, si një ngjarje e veçantë kulturore që po merr formë në emër të dedikimit ndaj librave, leximit dhe fëmijëve.
Me një program të pasur me aktivitete kulturore, edukative dhe artistike, organizuar nga organizata joqeveritare “ETEA”, kjo ngjarje është hapur të mërkurën në kryeqytet dhe do të zhvillohet për katër ditë, deri të shtunën. Në amfiteatrin e sheshit “Zahir Pajaziti” në mesditë është mbajtur ceremonia e hapjes, teksa qindra fëmijë dhe të rinj kanë qenë të pranishëm, jo vetëm për hatër të librave që janë ekspozuar në stendat e shtëpive botuese aty, por edhe për të krijuar shoqëri të reja me njëri-tjetrin.
Para se të fillonte festa me maskota dhe para se të niste dita e mbushur me aktivitete argëtuese për fëmijë, krahas punëtorive kreative e promovimeve të librave, nën tendën plastike të vendosur për mbrojtje nga shiu, është promovuar të lexuarit përmes fjalëve përshëndetëse të organizatorëve dhe përfaqësuesve të shtëpive botuese.
I pari e ka marrë fjalën Agon Ahmeti, drejtor ekzekutiv në organizatën “ETEA”, i cili u është drejtuar fëmijëve të pranishëm me thirrjen për të lexuar, duke ndarë me ta historinë personale të rifitimit të dashurisë ndaj librave. Ka kërkuar premtim që secili të lexojë të paktën një libër në muaj.

“Kur kam qenë sa ju, e kam dashur librin, por pastaj nuk më pëlqente shumë të lexoj dhe nuk kam qenë person që lexoja. Ka qenë një periudhë kohore kur nuk kam qenë i vetëdijshëm për rëndësinë e librit, por pas disa kohësh, kur fillova të lexoj, e pashë se sa me rëndësi është libri dhe leximi për ta ndërtuar personalitetin dhe për t’u bërë mbi të gjitha njeri i mirë dhe i dashur, për veten së pari, për familjen, për shokët dhe shoqet, por edhe për vendin ku jetojmë”, ka thënë ai në fjalën përshëndetëse, duke e ftuar presidenten e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu, për një fjalë rasti.
Ajo ka ripërsëritur nevojën për të lexuar. Sipas saj, “sa më shumë që lexon, aq më shumë gjëra do të dish”. Festë për mrekullinë e të lexuarit të librave për fëmijë e ka konsideruar këtë ngjarje, teksa ka bërë thirrje që të rritet vetëdijesimi për rëndësinë e të lexuarit.
“Çdo herë që hapim një libër, ne nuk hapim vetëm faqet e tij, por hapim edhe dritaret e botës, hapim edhe dritaren e imagjinatës dhe të dijes. Sot në edicionin e radhës të Festivalit dhe Panairit të Librit për Fëmijë jemi mbledhur për ta festuar mrekullinë, mrekullinë që vjen bashkë me leximin e librave për fëmijë. Në tregime, në përralla dhe në aventura ndodhen miqtë tanë më të mirë, janë personazhet, të cilët na bëjnë të qeshim, janë ata që na bëjnë të mësojmë, por edhe të guxojmë të veprojmë çdo ditë e më shumë”, ka thënë presidentja Osmani-Sadriu. Sipas saj, “çdo faqe libri ka fuqinë që të ndryshojë diçka brenda nesh”. Fëmijët i ka quajtur heronj të vërtetë të këtij festivali.
Naime Beqiraj, drejtoreshë e bibliotekës “Hivzi Sylejmani”, ka nisur fjalën e saj me një pyetje drejtuar fëmijëve që zhurmonin duke komunikuar njëri me tjetrin.
“Kush prej jush mendon se libri është arma e të diturit?”, ka pyetur, teksa vetë ka ngritur dorën e para. Bashkë me të, qindra fëmijë kanë mbajtur dorën të ngritur, teksa ajo ka bërë thirrje për lexim dhe për fuqizim të gruas përmes të lexuarit, duke ofruar shembullin e vajzave sportiste nga Kosova që kanë pasur sukses ndërkombëtarisht.
“Kjo është skenografia më e bukur që mund ta shohë njeriu në këtë kryeqytet. Unë jam lindur dhe rritur në një qytet shumë të bukur të Kosovës, në një lagje që nuk ka pasur lidhje me leximin. I vetmi fëmijë që ka lexuar kur unë isha fëmijë, ishte shoku im më i mirë i fëmijërisë, Driton Kuka, djali që i ka prodhuar identitet Kosovës në olimpiadat botërore, mësuesi sportiv i Majlindës, i Norës dhe i Distrisë. Desha ta marr si shembull, se ndonëse sportiste shumë të njohura, vajzat janë bashkudhëtare dhe në njëfarë forme gardiane të librit”, ka thënë poetja Beqiraj, duke njoftuar se për këto katër ditë, në të gjitha pikat e bibliotekës “Hivzi Sylejmani” në kryeqytet do të ketë regjistrim falas “për të gjithë kalamajtë e qytetit të Prishtinës”. Biblioteka “Hivzi Sylejmani është bashkorganizatore e kësaj ngjarjeje, krahas organizatës “ETEA”.
Edhe Fatlum Hetemi, përgjegjës në sektorin e menaxhimit të shtëpisë botuese “Albas” në Kosovë, ka theksuar gatishmërinë për mbështetje përmes angazhimit ndaj botimeve për fëmijë. Mbështetjen më të veçantë, mes shumë tjerash, e ka quajtur atë për këtë festival në Prishtinë.
“Kjo ngjarje është e mirëseardhur në këtë kohë, andaj ne i përgëzojmë organizatorët, shprehim gatishmërinë tonë për t’i mbështetur dhe për ta dëshmuar si ‘Albas’ përkushtimin tonë ndaj botimeve për fëmijë dhe krijimit të shprehisë së leximit te brezat e rinj. Këtë vit e fillojmë 25-vjetorin dhe gjatë gjithë vitit do të bëjmë organizime në lidhje me librin në Tiranë, Prishtinë, Tetovë dhe Preshevë, por ta them të drejtën, mbështetja për këtë festival është më e veçanta”, ka thënë ai në fjalën e tij përshëndetëse.
Me këtë rast janë shpërndarë mirënjohje dhe dhurata për lexuesit e vitit, shpallur nga biblioteka “Hivzi Sylejmani”, duke i lënë rend kështu fillimit të festës me maskota dhe me aktivitete argëtuese për fëmijë. Gjatë ditës është mbajtur edhe një punëtori kreative dedikuar kuzhinës, ku është folur për “Librin e recetave”. Shtëpia botuese “Albas” ka përuruar serinë e librave “Majori i vogël Tom”, teksa pasdite, lexuesit e vitit kanë pasur mundësi të takohen dhe të bashkëbisedojnë me autoren e librave për fëmijë, Dije Demiri-Frangu. Mes tjerash janë mbajtur edhe punëtori të tjera në edukimin e fëmijëve për inxhinieri, robotikë dhe kodim. Ndërkohë, gjatë gjithë ditës, për fëmijët dhe të rinjtë pjesëmarrës, instituti “Atomi” ka shpërndarë falas librin “Rrugëtimi”.