Këngët janë përzgjedhur qëmoti, provat orkestrale kanë nisur e gati gjysma e punës skenike është përfunduar. Salla e djegur e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve që shfrytëzohet si hapësirë për mbajtjen e këtij festivali prej kur është themeluar, po shndërrohet nga zeroja në një skenë që publikut i premton art përmes këngëve, me synimin për të krijuar një traditë e, në njëfarë mënyre, për ta vazhduar atë të vjetrën që pati frymuar me “Akordet e Kosovës”
Më pak se dhjetë ditë janë në dispozicion për t’u përfunduar të gjitha përgatitjet për edicionin e tretë të Festivalit të Këngës në RTK. Këngët janë përzgjedhur qëmoti, provat orkestrale kanë nisur e gati gjysma e punës skenike është përfunduar. Salla e djegur e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve që shfrytëzohet si hapësirë për mbajtjen e këtij festivali prej kur është themeluar, po shndërrohet nga zeroja në një skenë që publikut i premton art përmes këngëve, me synimin për të krijuar një traditë e, në njëfarë mënyre, për ta vazhduar atë të vjetrën që pati frymuar me “Akordet e Kosovës”.
Ishte paraparë që festivali të mbahej në fundtetor, siç kishte ngjarë në dy edicionet e para, mirëpo është shtyrë për arsye pikëtakimi me çështje elektorale. Datat tani janë 6, 7 dhe 8 nëntor. Në këtë pikë, drejtimi zyrtar ia ka vënë vulën arsyetimit. Drejtor gjeneral i festivalit është Rilind Gërvalla, e i atillë artistik është sërish Florent Boshnjaku. Dirigjentë sivjet janë Lindita Isufi, Alfred Kaçinari dhe Memli Kelmendi.
“Arsyeja kryesore e shtyrjes së datës ka qenë zhvillimi i zgjedhjeve lokale dhe procesi i balotazhit”, ka thënë drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Rilind Gërvalla. Sipas tij, është marrë parasysh edhe mungesa e ngrohjes në sallë dhe ulja e temperaturave, ndaj java e parë e nëntorit është parë si zgjidhje më e përshtatshme, duke mundësuar njëkohësisht koordinim më të mirë me MKRS-në dhe Komunën e Prishtinës në kulmin e angazhimeve elektorale. Ndryshimi i datës, sipas tij, ka rezultuar pozitiv për cilësinë e përgatitjeve.
Në skenën që ka nisur të marrë formë, pllakat e drurit po mbulojnë dyshemenë që zakonisht shfrytëzohet si parking; një hapësirë e ftohtë që transformohet çdo vjeshtë në teatër dritash. Forma gjysmërrethore në pjesën e ngritur me vija horizontale krijon perspektivë për ekranin që do të vendoset nën shputat e interpretuesve. Përballë, dy platforma rrethore ia shtojnë hijeshinë skenës, përmasat e së cilës janë 33 metra e gjatë dhe 20 e gjerë. Këto janë përmasa, por edhe premtim, sidomos te publiku që e ka parë më parë sallën të shndërrohet si me magji në tri net të njëpasnjëshme.
Koncepti skenik i këtij edicioni i është besuar artistes Vesa Kraja.
“Këtë vit, skenografia është një realizim i plotë artistik që nga ideja fillestare deri te ndërtimi final, e cila i është besuar artistes Vesa Kraja. Koncepti i skenës është menduar me kujdes për të sjellë një përvojë vizuale më të gjerë dhe më të thellë emocionale për publikun”, ka thënë Gërvalla, duke bërë të qartë se këtë herë skena do të jetë dukshëm më e madhe dhe do të përfshijë elemente autoktone që lidhen me trashëgiminë muzikore shqiptare.
Qasja synon të krijojë një lidhje simbolike mes së kaluarës dhe së tashmes, një bashkëbisedim rrënjësh me modernitetin. Në të njëjtën kohë, ndriçimi bashkëkohor, LED-i dhe efektet vizuale me stil pop-rock janë menduar të ruajnë energjinë e sotme, pa u shkëputur nga autenticiteti i asaj që quhet frymë e trashëgimisë. Kjo ndodh në një sallë të djegur, e cila, përkundër “plagës”, po shndërrohet në hapësirë për art.
“E kaluara dhe e tashmja takohen jo vetëm në tingull, por edhe në pamje në një hapësirë që respekton traditën dhe e transformon atë në përvojë bashkëkohore artistike, përkundër që festivali mbahet në sallën e djegur të Pallatit të Rinisë”, ka shtuar drejtori Gërvalla.
Edicioni i tretë e mban numrin njëzet në listën e këngëve garuese. Të gjithë në kërkim të të njëjtit trofe, “Diamanti blu”, simbol që tashmë i është ngjitur festivalit që prej fillesës. Në program janë paralajmëruar bashkëpunime mes brezave, interpretime të veçanta dhe një gamë zhanresh. Emrat e mysafirëve dhe të jurisë profesionale, siç bën me dije RTK-ja, do të prezantohen një ditë para nisjes, në konferencën për media të festivalit.
Festivali synon të krijojë vazhdimësi dhe identitet të vetin, përderisa sytë i drejton kah skena ndërkombëtare si horizont i natyrshëm i rritjes. Është nënvizuar se vazhdimësia, më shumë se spektakli i çastit, e mban këtë ngjarje në vijë tradite. Kjo ide e traditës përmblidhet në rikthimin e “Akordeve të Kosovës” si “një ombrellë kulturore që bashkon dy ngjarje të rëndësishme muzikore”, festivalin e këngës dhe atë të fëmijëve. Gërvalla e ka konfirmuar këtë vizion, duke e lidhur me historinë.
“Këtë vit, fokusi është që festivali të shërbejë si një urë lidhëse mes periudhave të ndryshme të historisë sonë muzikore: nga kontributdhënësit e dekadave të arta të viteve ‘60, ‘70 dhe ‘80 – kur u formua identiteti muzikor modern i Kosovës, deri tek artistët e viteve ‘90, që përmes artit rezistuan dhe ruajtën shpirtin krijues edhe në rrethana të vështira, si dhe te brezi i sotëm që po e zhvillon muzikën bashkëkohore”, ka thënë Gërvalla. Në këtë mënyrë, festivali nuk ofron vetëm garë, por një platformë reflektuese ku e kaluara frymon në skenën e sotme.
Në dy edicionet e para, spektakli vizual ka qenë shenjë dalluese, ndërsa besueshmëria artistike është provuar të forcohet me interpretimin “live”. Në sfond rri ambicia e kahershme e RTK-së për ta përdorur këtë format si urë drejt Evrovizionit nëse krijohen kushtet e anëtarësimit, një objektiv i artikuluar qysh në nisje të festivalit, i pranishëm në narrativën kuratoriale të tri edicioneve. Qëllimi nuk është i fshehur: të ndërtohet një skenë kombëtare me standarde televizive e muzikore që, duke mos u varur nga rrethanat teknike të një salle, prodhon kujtesë kulturore dhe profil estetik që e kalon një sezon.
Në këtë përpjekje, salla e djegur e Pallatit të Rinisë shndërrohet në metaforë. Mungesa e ngrohjes, dyert që hapen për instalime, dritat që montohen deri në orët e vona, dyshemeja që mbulohet me dërrasa e kabllot e shumta rreth skenës, zëvendësojnë luksin me disiplinë. Spektakli, siç është parë, ka mbërritur edhe në kushte të tilla.
Nga ana institucionale, festivali është menduar si projekt vjetor i RTK-së dhe është përfshirë në dokumentet e bashkëpunimit me MKRS-në viteve të kaluara, me synimin për profilizim kulturor dhe realizim me standard. Ishte paraparë që nga Ministria e Kulturës të jepen 200 mijë euro. Para dy vjetësh, nëpërmjet një memorandumi të bashkëpunimit Ministria e Kulturës kishte zotuar për RTK-në 750 mijë euro për tre vjet. Për edicionin e parë janë dhënë 300 mijë euro, për të dytin ishin paraparë 250 mijë e për atë të këtij viti 200 mijë. Por, nuk ngjau kështu. U nënshkrua një aneks memorandumi, një marrëveshje për të mos e lënë në baltë Radiotelevizionin dhe u dhanë sërish 300 mijë euro.
Për publikun, tri netët e nëntorit vijnë me shijen e së njohurës dhe të pritshmërisë. E njohur, sepse formati tashmë ka krijuar besueshmëri tek audienca që e ndjek në RTK dhe në sallë; dhe pritshmëri, sepse skena e re, përmasat dhe koncepti vizual premtojnë një pamje më të gjerë e më të thellë emocionale.
“Ajo që dëshirojmë që publiku të mbajë mend nga ky edicion është ndjenja e vazhdimësisë, fakti se muzika jonë ka rrënjë të forta, por edhe aftësinë për t’u rilindur në çdo brez me forma të reja, me dritë dhe me frymë bashkimi”, ka përfunduar Gërvalla.
Vitin e kaluar, pas tri netësh festë, çmimin kryesor të festivalit, trofeun “Diamanti blu”, e kishte marrë kënga “Flas me gjethen” nga Endrit Krasniqi, e edicionin debutues e kishte fituar Arbër Salihu, i njohur si “La Fazani”, me këngën “Oj Kosovë”.