Kulturë

Festivali i Këngës mban ritmin e zbulimit të kapitujve të rinj muzikorë

Nata e parë e Festivalit të Këngës në RTK, të enjten mbrëma, ka ardhur si një mozaik zërash e tingujsh që kanë gërshetuar traditën dhe rrymën moderne (Foto: Arben Llapashtica)

Nata e parë e Festivalit të Këngës në RTK, të enjten mbrëma, ka ardhur si një mozaik zërash e tingujsh që kanë gërshetuar traditën dhe rrymën moderne (Foto: Arben Llapashtica)

Me synimet për t’u shndërruar në institucion të mirëfilltë të nxjerrjes në skenë të artistëve e krijimeve të reja muzikore, Festivalit të Këngës në RTK ka hapur kapitullin e tretë. Sivjet, në garë janë 20 këngë të përzgjedhura nga 44 aplikime, duke përfshirë këngëtarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi e diaspora. Është thënë të jetë një prodhim tërësisht vendor, realizim autokton i Radiotelevizionit të Kosovës, një skenë gjigante përballë një publiku dukshëm më të vogël se në edicionet e kaluara, por megjithatë mban ritmin

Skena është mbuluar nga dritat shumëngjyrëshe, publiku pret nisjen dhe orkestra përgatitet. Mbrëmja e së enjtes ka shënuar hapjen e edicionit të tretë të Festivalit të Këngës në RTK. Kjo natë e parë ka nisur maratonën e tri netëve ku muzika, zërat e rinj dhe përfaqësimi nga hapësira të ndryshme shqiptare janë bërë boshti i një spektakli që synon bashkimin përmes artit. Do të ishte vërtet spektakël sikur edhe salla e djegur e Pallatit të Rinisë të mbushej plot me spektatorë.

Organizuar nga Radio Televizioni i Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Festivali ka për qëllim të promovojë muzikën e mirëfilltë dhe bashkëpunimin ndërmjet artistëve nga të gjitha trojet shqiptare. Sivjet, në garë janë 20 këngë të përzgjedhura nga 44 aplikime, duke përfshirë këngëtarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi e diaspora. Është thënë të jetë një prodhim tërësisht vendor, realizim autokton i Radiotelevizionit të Kosovës, një skenë gjigante përballë një publiku dukshëm më të vogël se në edicionet e kaluara.

Menjëherë pas intros së Festivalit e ka hapur natën kori “Siparantum” me këngën “Këngë moj”, kompozuar nga Musa Piperku, teksa orkestrën e dirigjonte Memli Kelmendi. Prezantuesit e Festivalit – aktorët Rina Krasniqi dhe Dukagjin Podrimaj  – e kanë cilësuar festivalin si një ngjarje që lidh traditën me të renë dhe e kanë ftuar publikun për ta përjetuar të tillë.

Nga 20 këngët konkurruese, natën e ka hapur kënga “Amin” si thirrje për emancipim, interpretuar nga Teutë Halili. Pas saj, Almir Kraba ka kënduar këngën “Nuk ka si ti” në zhanrit hip-hop, për t’ia lënë vendin këngës “A po m’sheh” nga Elmedinë Ramushi, teksa skena e ka mbushur hapësirën e sallës me një kombinim ngjyrash të ngrohta e të ftohta. Prezantuesja Krasniqi ka ironizuar me mënyrën se si baladat dikur nisnin me një piano, teksa i është afruar Gjergj Kaçinarit, që interpretonte me piano në orkestër. Nën tingujt vetëm të asaj pianoje, ajo e ka kënduar një pjesë të këngës “Let it be” nga “The Beatles”. Menjëherë pas saj është prezantuar një pop-baladë dashurie, ardhur prej Semi Tafajt nga Elbasani përmes këngës “Vazhdoj”.

Menjëherë pas intros së Festivalit e ka hapur natën kori “Siparantum” me këngën “Këngë moj”, kompozuar nga Musa Piperku, përcjellë nga orkestra dirigjuar nga Memli Kelmendi (Foto: Arben Llapashtica)

Prezantuesit e kanë ftuar për performancë fituesin e edicionit të kaluar, Endrit Krasniqi, i cili në skenë e ka riinterpretuar këngën triumfuese “Flas me gjethen”. Ai ka pasur edhe një mesazh për të gjithë artistët e rinj që kanë garuar në edicionin e tretë.

“Merreni me sportivitet, kënaquni, është një shans që nuk vjen shpesh”, ka thënë ai.

Pas kësaj në ekranin e madh një klip ka rikthyer festivalin “Akordet e Kosovës”. Aty paraqiten performanca e intervista që janë bërë me artistë të ndryshëm pjesëmarrës përgjatë viteve. Është shoqëruar në fund edhe me zhurma njoftimesh për mesazhe në telefon.

Këngët kanë sjellë motive që lëvizin mes dashurisë, kujtesës dhe identitetit. Art Lokaj me kitarë elektrike në dorë ka kënduar këngën “Ty” e pas tij Kiara Juba këngën “Nirvana”. Egzon Pireci ka kënduar baladën “Kënga jonë”, pasuar nga kënga “Rreze zjarr”, interpretuar nga Arsi Bako. Laorjan Ejlli nga Shkodra e ka interpretuar këngën “Një natë shkruajta për ty”, e cila është cilësuar si një jazz-baladë, e pas tij, kënga e radhës “Alo” me motive feministe është kënduar nga Vjosa Shehu që është përmendur të ketë ardhur nga Belgjika, ndërkaq Klea Dina me “At” ka sjellë një reflektim të brendshëm për boshllëkun pas dashurisë.

Prezantuesit e kanë ftuar për performancë fituesin e edicionit të kaluar, Endrit Krasniqi, i cili në skenë e ka riinterpretuar këngën triumfuese “Flas me gjethen” (Foto: Arben Llapashtica)

Përveç trofeut kryesor i quajtur “Diamanti blu” dhe dy çmimeve të radhës, vendi i dytë dhe i tretë, është përmendur se do të ketë edhe një çmim të orkestrës; një çmim të quajtur “Pena e argjendtë” për tekstin më të mirë si dhe “Okarina e artë” për arritje jetësore.

Në nderim të Benito Mares është dhënë një interpretim nga këngëtarja Eneda Tarifa, shoqëruar me tri soliste të tjera, një kolazh amerikan me motive të viteve ’60, punuar enkas për këtë edicion. Tarifa është prezantuar si e ftuara speciale e këtij edicioni.

Pas interpretimit, këngëtarja ka përgëzuar organizatorët për festivalin, teksa ka uruar edhe artistët pjesëmarrës.

“Urime për këtë performancë të mrekullueshme. Po duket çdo gjë si përrallë, bravo, bravo, bravo”, ka thënë ajo.

Nata ka vazhduar kështu edhe me gjysmën tjetër të këngëve.

Fituesi i “The Voice of Albania”, Florent Abrashi, ka interpretuar këngën Unë dhe ti”. Nën tingujt indie është kënduar kënga “Afër” nga Dea Berisha, për t’i lënë vend Zergjina Hasanajt me këngën “Pres”, e cila trajton temën e humbjes. Në nderim të Violeta Rexhepagiqit, është kënduar kënga “Vjollca” nga vetë moderatorja Rina Krasniqi.

Orkestra e RTK-së ka shoqëruar interpretimet nën drejtimin e Memli Kelmendit, Lindita Isufit dhe Alfred Kaçinarit, ndërsa skenografia dhe ndriçimi kanë përforcuar ndjesinë e spektaklit. Orkestra ka qenë e vendosur në dy skajet e skenës, teksa dirigjentët hipnin mbi platformën rrethore në anën e majtë për ta drejtuar orkestrën.

“Një skenë që mbledh në vete artistë të shquar të vendit tonë, një orkestër fantastike, këngëtarë fantastikë, krijimtari fantastike. Me thënë të drejtën është diçka që i ka munguar vendit tonë dhe jam shumë i lumtur që vendi ynë tashmë e ka një festival, që përfaqëson dhe një festival që besoj se do të na dërgojë në piedestalin më të lartë kulturor”, ka thënë dirigjenti Memli Kelmendi.

Derisa mbrëmjes i ka ardhur fundi, njerëzit herë pas here kanë lëshuar sallën ende pa përfunduar spektakli në sallën e ftohtë. Raundi i fundit i interpretimit të këngëve garuese ka përfshirë Bledi Kason me këngën “S’do të doja dy jetë” e duetin mes Nita Latifit dhe Algert Salës me “Pija”. Arjeta Palushaj me “Andrra” e ka nisur dy herë këngën, për shkak se herën e parë ka dështuar zërimi. Ky problem teknik është mbuluar me duartrokitje nga audienca e paktë që ka mbetur.

Arbëreshi Santino de Bartolo që vjen në festival për herë të dytë, ka sjellë në gjuhën arbëreshe këngën “Naze naze” që flet për marrëdhënie toksike të dashurisë. Vlera Kastrati ka ardhur me një dedikim për nënën përmes këngës “Nanë”, teksa garën e ka mbyllur këngëtari Xuxi me këngën “Identitet”, shoqëruar edhe me tinguj të lahutës.

Kombinimi mes traditës dhe gjuhës bashkëkohore të muzikës është ndier në mbarë mbrëmjen. Drejtori i festivalit, Rilind Gërvalla, i cili njëherësh është edhe drejtor televizioni në RTK, ka thënë se krejt puna është bërë nga RTK-ja.

“Këtë herë jemi përpjekur që ta gërshetojmë traditën me modernen, brenda një skenografie që e ka punuar skenografja jonë, Vesa Kraja. Gjithçka që shihni është punë e RTK-së. Kjo skenë e madhe sot është mbushur plot me artistë të mëdhenj”, ka thënë ai.

Për ta përmbyllur natën e parë të këtij edicioni të tretë, skenën e kanë pushtuar të njëzet artistët konkurrues, duke interpretuar këngën “Baresha” të Rexho Mulliqit kënduar nga ikona Nexhmije Pagarusha.

Drejtori artistik i festivalit, Florent Boshnjaku ka ritheksuar se festivali është institucion më vete, duke shpresuar se me të njëjtin ritëm do të shkojnë edhe netët në vazhdim.

“Jam i lumtur që u finalizua nata e parë. Festivali është krijuar si institucion që e kemi nisur si dy vjet. Mendoj që sonte publiku ka pasur kënaqësinë ta shijojë krejt këtë show, krejt këto performanca të artistëve garues, por edhe mysafirë”, ka thënë ai.

Për ta përmbyllur natën e parë të këtij edicioni të tretë, skenën e kanë pushtuar të njëzet artistët konkurrues, duke interpretuar këngën “Baresha” të Rexho Mulliqit kënduar nga ikona Nexhmije Pagarusha (Foto: Arben Llapashtica) 

Nëpërmjet ndërrimeve të shpejta skenike e kostumeve të kuruara, mbrëmja ka rrjedhur si një mozaik zërash e tingujsh që kanë gërshetuar traditën dhe rrymën moderne. Festivali vazhdon edhe në dy netët e ardhshme, ku do të interpretohen këngët e mbetura në garë dhe do të shpallet fituesi i edicionit të tretë.

Të gjitha njëzet këngët që garojnë në edicionin e sivjetmë, do të interpretohen edhe në natën e dytë (të premten), e gjysma prej tyre do të përzgjidhen për natën finale, të shtunën mbrëma. Gjon’s Tears, këngëtari nga Kosova që e kishte përfaqësuar Zvicrën në Eurovizion më 2021, është paralajmëruar si performues në finale.