Kulturë

Filharmonia e Kori në alegro, maestro Rudi nderohet për punën kolosale

Pjesëtarë të Orkestrës e të Korit të Filharmonisë së Kosovës janë mbledhur jo për ndonjë koncert, por për ta festuar një vit suksesesh e për ta nderuar atë që u dha frymë Korit e skenës muzikore klasike në vend – kompozitorin e dirigjentin, Rafet Rudi. Viti që vjen për Korin do të jetë edhe më i bujshëm se i sivjetmi me shumë performanca si në fillim të vitit 2024 në Shkup e Tiranë, pastaj në muajin mars në Itali e për t’ua lënë radhën dhe vendeve të tjera në pjesën tjetër të vitit si në Bullgari, Kroaci e Slloveni

Filharmonia e Kosovës dhe Kori bashkë me të, kanë pasur arsye vitin ta përmbyllin alegro. Këso atmosfere ka pasur festa e organizuar te “Menza Ramiz Sadiku” që ka bashkuar muzikantët e bashkëpunëtorët e këtij institucioni.

Shkrepjet e fotografive mes kolegësh, të destinuara të shërbejnë si kujtim edhe për një vit suksesesh u ndërprenë kur fjalën e mori Baki Jashari, drejtor i Filharmonisë së Kosovës i cili e ka përmbledhur gjithë veprimtarinë e bujshme të institucionit për vitin 2023, por theksoi rëndësinë e shënimit të 20-vjetorit të Korit të Filharmonisë së Kosovës. E pikërisht si njeriun meritor për suksesin e këtij ansambli e cilësoi kompozitorin dhe dirigjentin Rafet Rudi, të cilit i ka ndarë mirënjohje për kontributin e tij të vazhdueshëm në këtë lëmi.

“Rol vendimtar në krijimin e fizionomisë artistike të Korit të Filharmonisë ka luajtur kompozitori dhe dirigjenti Rafet Rudi. i cili barti përvojën e tij të madhe shumëvjeçare përgjatë periudhave të ndryshme të zhvillimit muzikor në Kosovë. Puna e tij kolosale u pasqyrua nëpërmjet një numri impozant të paraqitjeve koncertale që nga viti 2006 e tutje”, ka thënë Jashari të martën mbrëma teksa ka ftuar Rudin për t’ia dorëzuar mirënjohjen.

Shoqëruar me duartrokitje, Rudi është falënderuar për nderimin që i është bërë. “Profesioni më i vështirë është të drejtosh Korin. Përderisa kompozitorit i mjafton një copë letër dhe lapsi, dirigjenti e ka më të vështirë. për shkak se e ka një ansambël të tërë të cilit duhet t’ia imponojë idenë e vet artistike dhe t’i bëjë të funksionojnë bashkërisht si duhet dhe është në një situatë shumë të çuditshme gjithë kohën. sepse duhet t’i bindësh ata“, ka thënë kompozitori e dirigjenti.

Image
E gjatë ka qenë festa e Filharmonisë dhe e Korit. E merituar për ta përmbyllur një vit suksesesh (Foto: Arben Llapashtica)

Sopranoja e njohur, Besa Llugiqi, ka folur me admirim për profesor Rudin duke kujtuar kohën kur ajo ishte vetë pjesë e Korit të Filharmonisë.

“Shtylla kryesore e gjithë punës dhe e zhvillimit të Korit ka qenë Rafet Rudi. Çdo provë me të ka qenë si një ligjëratë, niveli i tij ka qenë i tillë që ti nuk ke mundur ta anashkalosh asnjë informatë në mënyrën se si ai i ka transmetuar njohuritë e tij te ne. Ai është një thesar i këtij vendi dhe jam e lumtur që sot mori mirënjohje. Duhet të vlerësohen personat si ai”, ka thëne Llugiqi teksa uroi që gjeneratat e reja të sjellin figura që sado pak për nga profesionalizmi i afrohen Rudit.

Viti 2023 për Korin e Filharmonisë me shënimin e 20-vjetorit të themelimit, që në fillim të vitit kishte qenë i projektuar në atë formë që ansambli koral të ishte më prominent me paraqitje e koncerte të ndryshme. Theksi qe vënë te realizmi i veprave të mëdha vokal-instrumentale të cilat Kori deri sivjet nuk i kishte në repertorin e tij. Por që në dy dekadat e themelimit ishte menduar që pjekuria e tij teknike kishte arritur në nivelin për të performuar vepra si “Requiem” i Giussepe Verdit dhe “Stabat Mater” nga Giochino Rossini. Qenë teste të kaluara me sukses.

Dardan Selimaj, menaxher i Filharmonisë së Kosovës kur ka folur për ecurinë e punës së Korit të Filharmonisë për vitin 2023 është kthyer edhe në retrospektivë, duke rikujtuar gjendjen e Korit në fillimet e tij, kur ai kishte qenë pjesë e formacionit.

“Na vjen mirë që në këtë përvjetor kemi arritur shumë me Korin dhe tash e tutje kemi hyrë në një rrugë e cila e obligon Filharmoninë që të marrë përsipër realizimin e veprave më të avancuara vokalo-instrumentale. Unë si anëtar i formacionit të parë të Korit të Filharmonisë, nuk kam menduar që për 20 vjet do të arrihet një nivel në të cilin është tani ky Kor, dhe gjithashtu ka qenë e rëndësishme me e përmbyllë me Rafet Rudin, i cili është një personalitet që e ka formësuar këtë Kor”, ka thënë Selimaj duke paralajmëruar se viti që vjen do të jetë edhe më i bujshëm se i sivjetmi me shumë performanca si në fillim të vitit 2024 në Shkup e Tiranë, pastaj në muajin mars në Itali e për t’ua lënë radhën dhe vendeve të tjera në pjesën tjetër të vitit si në Bullgari, Kroaci e Slloveni.

E gjatë ka qenë festa e Filharmonisë dhe e Korit. E merituar për ta përmbyllur një vit suksesesh, po se po.