Aktorja e cila si regjisore me filmat e saj ka çuar zërin e Kosovës në festivalet më me nam, kalon në një tjetër nivel. Luana Bajrami në marsin e sivjetmë do të parakalojë në tapetin e kuq të edicionit të 98-të të çmimeve “Oscar” , pasi filmi në të cilin luan, “Deux personnes échangeant de la salive”, është nominuar në kategorinë e filmave të shkurtër. E enjtja e nominimeve ka thyer rekord: “Sinners” i kaloi të gjithë filmat e tjerë duke u nominuar në 16 kategori. Lista e filmave, për kritikët, dëshmon se bota e filmit po ndryshon
Shpallja e të nominuarve për trofeun më të madh në kinematografi është përherë shkundje për botën e filmit, e në mesin e filmave që futen në garë për “Oscar” është edhe ai në të cilin luan aktorja me prejardhje nga Kosova, Luana Bajrami. “Two People Exchanging Saliva” është në mesin e pesë filmave të shkurtër të nominuar për “Academy Awards”. Në bashkëprodhimin midis Francës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me titull origjinal “Deux personnes échangeant de la salive”, Bajrami luan rolin e Malaises. Është rol qendror në filmin bardhezi, me skenar dhe regji të dyshes Alexandre Singh dhe Natalie Musteata. Sipas sinopsisit, imagjinon një Paris distopik ku shuplakat në fytyrë kanë zëvendësuar paranë dhe puthjet janë të ndaluara, madje të dënueshme me vdekje. Kur një grua e re, Malaise (Luana Bajrami), fillon punën në një butik magjepsës, ajo krijon shpejt një lidhje me një klient të pasur, Angine, duke ndezur zilinë e mbikëqyrëses së saj. Një komedi e errët mbi tërheqjen dhe rivalitetin, e zhvilluar në një sfond të çuditshëm dhune të stilizuar, filmi u shfaq premierë në Festivalin e Filmit në Telluride të SHBA-së dhe mori Çmimin e Madh të Jurisë në “AFI Fest”, i organizuar nga Instituti Amerikan i Filmit. Producente ekzekutive të projektit janë Julianne Moore dhe Isabelle Huppert.
“Këtë nderim të jashtëzakonshëm ua dedikojmë njerëzve të guximshëm të Iranit. Zemrat tona janë me të gjithë ata”, është shkruar në ueb-faqen e filmit, fill pas lajmit për nominim për “Oscar”.
Mëngjesi i së enjtes, sipas orës lokale në SHBA, ka qenë pritje nën ethe për botën e filmit, me ceremoninë e shpalljes së nominimeve nga aktorët Danielle Brooks dhe Lewis Pullman, drejtpërdrejt në emisionin “Good Morning America” në televizionin ABC, si dhe në kanalin zyrtar të “Oscarit” në YouTube.
Filmi me vampirë i Ryan Cooglerit, “Sinners”, i kaloi të gjithë filmat e tjerë duke u nominuar në 16 kategori për ceremoninë e 98-të të çmimeve të mëdha dhe duke shënuar rekord për numrin më të madh të nominimeve në historinë e çmimeve “Oscar”.
Votuesit e Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Filmit e nominuan këtë projekt më së shumti, duke thyer rekordin prej 14 nominimesh të vendosur nga “All About Eve”, “Titanic” dhe “La La Land”.
Përveç kategorisë për Filmin më të mirë, Coogler u nominua për Regjinë më të mirë dhe Skenarin më të mirë, ndërsa ylli Michael B. Jordan që i portretizon dy role, arriti ta fitonte nominimin e tij të parë “Oscar” në kategorinë për Aktorin më të mirë.
Saga revolucionare që trajton raportin baba e bijë e regjisorit Paul Thomas Anderson, “One Battle After Another”, vjen pas “Sinners” me 13 nominime gjithsej. Katër prej këtyre nominimeve shkojnë për yjet e filmit, Leonardo DiCaprio, Teyana Taylor, Benicio del Toro dhe Sean Penn, ndonëse aktorja e re, por shumë e pëlqyer, Chase Infiniti, mbeti jashtë kategorisë për Aktoren më të mirë.

Të dy filmat vijnë gjithashtu të realizuar nga “Warner Bros”. Studioja 102-vjeçare shënoi suksesin më të madh ndonjëherë të nominimeve për “Oscar”, duke dominuar në gjithsej 33 kategori. Në një mesazh drejtuar punonjësve, drejtori ekzekutiv David Zaslav e quajti këtë “një moment të artë për kompaninë”.
Për Cooglerin, regjisorin 39-vjeçar të filmave “Fruitvale Station” dhe “Black Panther”, ky ishte një moment kulmor i karrierës. Si një nga regjisorët më të vlerësuar, por edhe më modestë të Hollywoodit, Coogler e ka quajtur “Sinners” veprën e tij më personale.
“E shkrova këtë skenar për xhaxhain tim që ndërroi jetë 11 vjet më parë”, ka thënë Coogler në një intervistë të enjten në mëngjes. “Më pëlqen të imagjinoj se ai po dëgjon ndonjë muzikë ‘blues’ tani për të festuar”.
Dhjetë filmat e nominuar për Filmin më të mirë janë: “Bugonia”, “F1”, “Frankenstein”, “Hamnet”, “Marty Supreme”, “One Battle After Another”, “The Secret Agent”, “Sentimental Value”, “Sinners” dhe “Train Dreams”.
Adaptimi i pasur vizual i Mary Shelleyt nga Guillermo del Toro, “Frankenstein”, odiseja historike e pingpongut nga Josh Safdie, “Marty Supreme”, dhe drama familjare e Joachim Trierit, “Sentimental Value”, morën secili nga nëntë nominime. Drama spekulative shekspiriane e Chloé Zhaos, “Hamnet”, u nominua në gjithsej tetë kategori. Me përjashtim të del Toros, këta regjisorë, bashkë me Paul Thomas Andersonin, po ashtu janë në garë për Regjinë më të mirë.
Nëntë nominimet për filmin “Marty Supreme”, përfshijnë edhe nominimin e tretë për “Oscar” të aktorit 30-vjeçar, Timothée Chalamet. Krahas tij dhe Michael B. Jordanin, të nominuarit e tjerë në kategorinë për aktorin më të mirë janë: Ethan Hawke për “Blue Moon”, Wagner Moura për filmin “The Secret Agent” dhe Leonardo DiCaprio për rolin në “One Battle After Another”.
Në një intervistë telefonike, DiCaprio ka thënë se nominimet për filmat, “One Battle After Another” dhe “Sinners” sinjalizojnë një ndryshim të madh në një industri.
“Për mua, ajo që ka rëndësi janë idetë e mëdha dhe realizimi origjinal i filmave”, citohet të ketë thënë DiCaprio. “Mendoj se po vjen një valë ndryshimi që do të ndodhë, pavarësisht se si ndihemi për të”.
Të nominuara për aktoren më të mirë janë: Jessie Buckley (“Hamnet”), së bashku me Rose Byrne (“If I Had Legs I’d Kick You”), Kate Hudson (“Song Sung Blue”), Renate Reinsve (“Sentimental Value”) dhe fituesja e dyfishtë e “Oscarit”, Emma Stone, e cila mori nominimin e saj të gjashtë për performancën e jashtëzakonshme në filmin e grekut Yorgos Lanthimos, “Bugonia”.
Filmi më i shikuar i vitit, me më shumë se gjysmë miliardi shikime në Netflix, “KPop Demon Hunters”, mori nominime si për “Këngën më të mirë” për “Golden”, ashtu edhe për “Filmin më të mirë të animuar”. Studioja “Sony Pictures” e zhvilloi dhe e prodhoi filmin, por pasi ia shiti atë “Netflixit”, e pa të shndërrohej në një sensacion botëror.
Në anën tjetër, nominimet e sivjetme nuk qenë në favor të filmave me buxhet të lartë. “Wicked: For Good” mbeti plotësisht jashtë garës ndërsa, “Avatar: Fire and Ash” mori nominime për Kostumografinë më të mirë dhe Efektet vizuale. Është filmi i parë “Avatar” që nuk nominohet për kategorinë kryesore atë për Filmin më të mirë. Filmi i suksesshëm në arkat filmike që sivjet garon në këtë kategori, është “F1” me protagonist aktorin Brad Pitt. Ky është një prodhim i platformës “Apple TV” që mori gjithsej katër nominime.
Sivjet organizatorët e ceremonisë “Oscar” prezantuan një kategori të re, “Best Casting” apo “Përzgjedhja e aktorëve”. Kjo kategori i ndihmoi filmat “Sinners” dhe “One Battle After Another” të rrisin statistikat e tyre tashmë mbresëlënëse. Së bashku me këto dy projekte, të nominuar janë edhe “Hamnet”, “Marty Supreme” dhe “The Secret Agent”.

Akademia, e cila viteve të fundit ka zgjeruar anëtarësinë e saj jashtë vendit, vazhdoi gjithashtu prirjen drejt filmave ndërkombëtarë. Çdo kategori përfshin nga një prodhim ndërkombëtar. Për të tetin vit radhazi, një film që s’është në gjuhën angleze nominua për Filmin më të mirë, që është drama norvegjeze e Trierit, “Sentimental Value”. Ajo dominoi kategoritë për “Aktorin dhe aktoren më të mirë në rol dytësor, me nominime për Stellan Skarsgård, Inga Ibsdotter Lilleaas dhe Elle Fanning. Të nominuara për aktoren dytësore, përveç Lilleaas dhe Fanning janë edhe: Teyana Taylor për rolin e saj në “One Battle After Another”, Amy Madigan për “Weapons” dhe Wunmi Mosaku për filmin “Sinners”. Në kategorinë për Aktorin më të mirë në rol dytësor, krahas Skarsgård garojnë: Benicio del Toro dhe Sean Penn me “One Battle After Another”, Jacob Elordi me “Frankenstein” dhe Delroy Lindo me filmin “Sinners”.
Kategoria për Filmin më të mirë ndërkombëtar pasqyroi gjendjen e trazuar të botës. Ajo përfshin dramën iraniane të hakmarrjes që mori “Palmës së Artë” të Cannes, “It Was Just an Accident” nën regji të Jafar Panahit. Ai ka folur me pasion kundër shtypjes së vazhdueshme të demonstruesve në vendin e tij. Gjithashtu të nominuar në këtë kategori janë: Filmi tunizian “The Voice of Hind Rajab” që flet për vullnetarët e Shoqatës së Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze, trileri politik brazilian “The Secret Agent”, filmi apokaliptik spanjoll, “Sirât” dhe “Sentimental Value” i danezo-norvegjezit Joachim Trier, i cili javën e kaluar mori atë që njihet si “Oscari” i Evropës në edicionin të 38-të të Çmimeve Evropiane të Filmit të mbajtur në Berlin.
Kategoria e Filmit më të mirë ndërkombëtar është ajo në të cilën Kosova sivjet ka hyrë në vitin e tretë pa propozim. Më 2023 përbërja e atëhershme e Komitetit përzgjedhës erdhi në përfundim se s’ka film që i plotëson kushte për kandidim për nominim në kategorinë e filmave ndërkombëtarë të “Oscar”. Më 2024, arsyetimi se QKK-ja kishte “probleme me e-maile” qe goditja e radhës, që shënoi mospraninë e Kosovës në listën e shteteve që dërguan kandidatët. Vjet serish u vlerësua se s’ka film që i plotëson kushtet. Suksesi i madh i Kosovës deri më tani drejt “Academy Awards” mbetet nominimi për “Oscar 2016” i filmit “Shok” i Jamie Donoghue në kategorinë e filmave të shkurtër. Më 2021 ishte shënuar edhe një sukses kur “Zgjoi”, nën regji të Blerta Bashollit, u fut në listë të ngushtë, por që nuk u kurorëzua me nominim.
E, tash së paku një aktore si Luana Bajrami, e njohur edhe si regjisore, tërthorazi çon zërin e Kosovës në “Oscars”. “Kosova për mua është inspirim shumë i madh dhe besoj që ka shumë storie për të treguar”, kishte thënë Bajrami në një intervistë për KOHËN, dy vjet më parë.
Nëpërmjet filmave të saj si “Luaneshat e kodrës” ajo e çoi Kosovën në festivalet më me nam sikurse Festivali i Filmit në Cannes më 2021. Në Festivalin e Filmit në Venecie, Bajrami shkoi si aktore në “Heppening” të Audrey Diwan që mori “Luanin e Artë” më 2021 e aty u rikthye një vit më pas me filmin e saj “Bota jonë” një rrëfim për realitetet e ashpra të jetës në Kosovën e pasluftës dhe dëshirën e zjarrtë të të rinjve për t’i kapërcyer ato vështirësi.
Luana Bajrami i ka kapërcyer kufijtë. Ajo do të parakalojë në tapetin e “Oscars” në ceremoninë 98-të më 15 mars në teatrin “Dolby” në Los Angeles. Ceremonia do të transmetohen drejtpërdrejt në “ABC” dhe “Hulu”. Marrëveshja e re me platformën YouTube për transmetim ekskluziv nuk do të hyjë në fuqi deri në vitin 2029. Këtë vit komediani i dashur për publikun mbarëbotëror, Conan O’Brien, do të rikthehet si prezantues i ngjarjes.
Ky shkrim bazohet në raportimin e “The Associated Press” .