Tematika e letërsisë e ka hapur Seminarin të mërkurën, por pa ikur nga fryma linguistike e një dite të mëparshme, ku është folur për mënyrën habitore. Studiuesi i letërsisë, akademik Sabri Hamiti, ia ka kushtuar një ligjëratë “Formulës së pagëzimit”, ku ka theksuar rëndësinë e këtij dokumenti si pikënisje të letërsisë shqipe dhe si monument kulturor që shënon kalimin e gjuhës së folur në gjuhë të shkruar
Dita e tretë e edicionit të 43-të të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare e ka zënë sallën e kuqe me tematikë letërsie, por pa ikur nga fryma linguistike e një dite të mëparshme, ku është folur për mënyrën habitore. Studiuesi i letërsisë, akademik Sabri Hamiti, të mërkurën ia ka kushtuar një ligjëratë “Formulës së pagëzimit”, ku ka theksuar rëndësinë e këtij dokumenti si pikënisje të letërsisë shqipe dhe si monument kulturor që shënon kalimin e gjuhës së folur në gjuhë të shkruar.
Ligjërata ka nisur nën drejtimin e anëtarit korrespodent të Akademisë, Nysret Krasniqi, i cili ka nënvizuar se prezantimi i Hamitit është i panevojshëm, duke e marrë parasysh punën e tij shumëvjeçare në fushën e albanistikës.
“Profesori e akademiku Sabri Hamiti nuk ka nevojë të prezantohet nga unë, ngase konsideroj se nuk ka albanolog serioz apo që do të bëhet serioz, që nuk e njeh veprën e tij albanistike”, ka thënë Krasniqi.
“Formula...” – formulë e pagëzimit të shqipes së shkruar
Më 8 nëntor 1462, kryeipeshkvi i Durrësit, Pal Engjëlli, kishte shkruar një letër qarkore në latinisht, por në të kishte përfshirë një formulë liturgjike në shqip, që përdorej për pagëzimin e fëmijëve në rast rreziku. Teksti i saj përmbante frazën “Vnte’ paghesont premenit Atit et birit et spertit senit”, që është transliteruar nga Rexhep Ismajli si “Un të pagëzonj p’r emënit (t’) Atit e t’birit e t’shpertit shênjtë”. Ky konsiderohet të jetë dokumenti më i vjetër i shkruar në shqip me datë të saktë.
Sipas Hamitit, ky akt është “formula e pagëzimit të shqipes së shkruar”, që jo vetëm dëshmon autorin shqiptar, vendin dhe kohën, por edhe ruan alfabetin latin, duke shpalosur sfidën e shkrimit të shqipes me një alfabet të huaj.
“’Formula e pagëzimit’ është formulë e pagëzimit të shqipes së shkruar dhe merr karakterin e një dokumenti dhe të një monumenti kul¬turor shqiptar dhe pikënisjen e letërsisë shqipe. E dëshmon autorin, Pal Engjëllin, shqiptar; e dëshmon kumtin në shqip; e dëshmon vendin e shkrimit, Matin, tokën shqiptare; e dëshmon alfabetin latin. Të gjitha këto dëshmi të shprehura në një formulë nisën shumëfish dramën kulturore e shpirtërore shqiptare”, ka thënë akademik Hamiti, duke shtuar se përballja e latinitetit me autenticitetin shqiptar shënon hyrjen e gjuhës shqipe në letërsinë e shkruar.
Mes gërmimeve të shkrimeve të asaj kohe, Hamiti është ndalur edhe te dorëshkrimet letrare, duke përmendur veprën e Gjon Buzukut, “Mesharin” (1555), të cilin e quajti metaforë të rezistencës kulturore shqiptare. Sipas tij, vonesat në qarkullimin e dorëshkrimeve shqiptare, nga shekulli XVI deri në shekullin XX, janë dëshmi të paradokseve të kulturës shqiptare, shpesh të ndaluara nga pushtuesit ose nga regjimet e mëvonshme.
“Edhe pse kaq e vonuar, hyrja në qarkullim e këtyre vlerave kulturore dhe letrare shqipe do ta prishë kornizën e gozhduar të letërsisë shqipe, duke e çmontuar ‘Shtratin e Prokrustit’ të kësaj letërsie”, ka thënë ai.
Tradita e rrënjëve shqipe me letërsi në gjuhë tjetër
Në vijim ai ka përmendur edhe traditën e letërsisë në gjuhë tjetër, duke sjellë shembuj nga Barleti, De Rada, Frashëri, Konica, Noli e deri tek autorët bashkëkohorë si Ornela Vorpsi, Gazmend Kapllani e Pajtim Statovci. Ky fenomen i të shkruarit në gjuhë të tjera, sipas tij, nuk e dobëson letërsinë shqipe, por dëshmon një realitet kulturor të dyfishtë që gjithsesi ruan “albanizmën e paevitueshme”.
“Paradoksi është që të gjithë këta gjuhë të nënës e kanë shqipen dhe janë rritur në botën shqiptare. Tani s’mund të cilësohen fëmijë plangprishës të idiomës shqipe, ndonëse, ka që veprën e vet më të re e shpallin të shkruar në shqip, siç është rasti i Gazmend Kapllanit me romanin ‘I keqi i vetes’, në udhë për t’u kthyer në shtëpi”, ka argumentuar Sabri Hamiti.
Në fund ai ka theksuar se kanoni i letërsisë shqipe ndërtohet mbi këtë trashëgimi, duke përfshirë veprat e shkruara në shqip dhe ato në gjuhë të tjera, të cilat duhen përkthyer e duhen bërë të qarkullueshme.
“Vetëdija që kultura e shkrimit shqip dhe shqiptar, pra i letërsisë, është mirazi më i madh i kulturës nacionale, shtron vetvetiu kërkesën që kjo krijimtari të trajtohet tërësisht, tashmë e verifikuar si vlerë kombëtare dhe humane, e domosdoshme për vetveten dhe përfaqësuese identitare përpara kulturave të tjera. Ky vlerësim është instrument i domosdoshëm që synon sistemimin e vlerave të trashëgueshme për kohët dhe brezat që vijnë”, ka përfunduar ai, duke theksuar se këtë ligjëratë e ka realizuar për hatër të Rexhep Ismajlit.

100-vjetori i vdekjes së “div-dragoit të Dragobisë”
Ndërkaq fill pas mesditës ka nisur një tjetër ngjarje në kuadër të edicionit të 43-të të Seminarit. Tryeza shkencore kushtuar 100-vjetorit të vdekjes së Luigj Gurakuqit dhe Bajram Currit ka sjellë kumtesa të vyeshme në këtë aspekt.
Drejtuar nga Durim Abdullahu, i cili edhe ka lexuar kumtesën e tij për këtë temë, tryeza ka sjellë edhe katër studiues të tjerë, historianë e anëtarë institutesh e akademish, për t’i lexuar kumtesat e tyre.
I pari në radhë ka qenë Jusuf Bajraktari me kumtesën “Kushtuar jetës dhe veprës së Bajram Currit (1862-1925)”, por në mungesë të tij për arsye shëndetësore, siç u tha, tekstin e tij e ka lexuar Shkodran Imeraj nga Instituti i Historisë. Bajraktari në studimin e tij është fokusuar në rolin e Bajram Currit, në jetën politike e shoqërore të Shqipërisë në tërësi, por me fokus të veçantë te kontributi i tij për Kosovën. Sipas tij, ky moment jubilar i vrasjes së tij “imponon nevojën që para studiuesve, miqve e intelektualëve të huaj të Seminarit të Gjuhës dhe Kulturës Shqiptare të prezantojë tri faza të jetës dhe veprës së tij markante”, të cilat reflektojnë historinë e Kosovës.
Marenglen Verli, i cili është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ka qenë i dyti që e ka lexuar kumtesën e tij me titull “Refleksion për disa shkrime të mia të viteve 1980-1992 kushtuar Bajram Currit”, në të cilën ka përfshirë, mes tjerash, periudhën e ballafaqimeve të ashpra politike e ushtarake të brendshme shqiptare të Bajram Currit, i cili nga bashkëkohësi i tij, Fan Noli, është quajtur “trim-tribun i vegjëlisë” dhe “div-dragua i Dragobisë”. Ai ka theksuar se Curri i qe bashkuar frymës së re liberale të grupit të Nolit dhe të tjerëve.
“Në rastin e Bajram Currit, bëhet fjalë për një njeri që u largua nga llogorja e konservatorizmit, i bejlerëve dhe atyre që ishin më shumë të lidhur me të kaluarën se me perspektivën dhe iu afrua grupimit të Nolit dhe të tjerëve, por që do të vlerësoheshin më tepër me fjalën e një vështrimi të ri liberal për trajtimin e problemeve, sesa me fjalën demokraci”, ka thënë ai.
Diplomati i vrarë pak javë para Bajram Currit
Për Luigj Gurakuqin, i cili ishte vrarë pak javë para Bajram Currit, ka prezantuar i pari Frashër Demaj me kumtesën “Luigj Gurakuqi: politikan e diplomat”. Ai ka ritheksuar kontributin e tij si një nga personalitetet më të shquara në fazën e fundit të Rilindjes Kombëtare dhe periudhën e shtetndërtimit të Shqipërisë. Sipas Demajt, në personalitetin e Gurakuqit “përbashkohen vlerat dhe dimensionet e politikanit e diplomatit, shtetarit të shquar, gjuhëtarit, poetit e prozatorit, kritikut letrar, pedagogut dhe tekstologut ndër më të njohurit të kohës së tij”.
Edhe Teki Kurti ka prezantuar kumtesën e tij në lidhje me Luigj Gurakuqin, për të cilin ka thënë se është shquar në gjithë veprimtarinë e tij politike, shoqërore, kulturore e letrare si ideolog i veçantë i kulturës dhe i lëvizjes kombëtare mbarëshqiptare. I fundit ka folur vetë udhëheqësi i tryezës, Durim Abdullahu, i cili përmes kumtesës me titull “Traditat e politikëbërjes në Shqipërinë e çerekshekullit XX: profile dhe kultura politike”, ka treguar rëndësinë e një analize të traditave të ndryshme të politikëbërjes në Shqipëri gjatë asaj kohe. Sipas tij, edhe pas Luftës së Parë Botërore, në Shqipërinë e pavarur, kasta e politikanëve shqiptarë të periudhës osmane e ka vazhduar aktivitetin politik, duke iu përshtatur përmasave ideologjike të asaj kohe.
“Në dy dekadat e para të shtetit shqiptar që qe krijuar më 1912, atentatet ndaj politikanëve, gjegjësisht eliminimi i rivalëve politikë dhe kundërshtarëve, ishte praktikë normale, aq sa viktimat ndiqeshin edhe jashtë vendit, në mërgim, por në periudhën e vonë osmane, shqiptarët e përfshirë në politikëbërje ishin politikanë dhe diplomatë me karrierë, ushtarakë apo zyrtarë administrativë, të shkolluar në Stamboll, në Selanik e në Paris... Më shumë kryenin detyrat e ndërlidhësve mes shtetit dhe banorëve të disa zonave të izoluara dhe autonome”, ka thënë ai.
Në mbrëmje janë prezantuar kumtesa në kuadër të referimeve shkencore nga Maria Morozova, Dimitri Hacipemou, Alexandra Dugushina, Françoise Demir, Emilia Conforti, Aleksander Novik dhe Bleta Berisha, teksa e enjtja sjell ligjëratën e Lumnije Jusufit mbi “Kontaktet gjuhësore të shqipes në dritën e terminologjisë së profesioneve”.