Me dy sesione ka nisur dita e dytë e “Javës së Bibliotekës në Kosovë”, teksa në amfiteatrin e madh të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës janë prezantuar punët e hulumtuesve për çështjet e bibliotekonomisë që kanë të bëjnë kryesisht me zhvillimin e hovshëm të teknologjisë, digjitalizimin dhe inkorporimin e inteligjencës artificiale në sistemet bibliotekare. IA-ja është një shans për rizbulimin e thesareve të bibliotekave që po jetojnë në një epokë të re, në të cilën hapjen ndaj publikut e kanë domosdoshmëri
Inteligjenca artificiale dhe të drejtat e autorit kanë qenë kryefjalë e ditës së dytë të “Javës së Bibliotekës në Kosovë” dhe çështje si këto i përgjigjen edicionit të 22-të, që sivjet vjen në temën “Biblioteka mes traditës dhe inovacionit”. Të martën kanë nisur të trajtohen tema të veçanta në disa sesione, ku njohës e përfaqësues të bibliotekave kombëtare nga Kosova, Shqipëria e rajoni më gjerë, kanë prezantuar hulumtimet e tyre para një publiku të përbërë nga lexues dhe bashkëpunëtorë të projekteve mbi bibliotekonominë.
Një pjesë e trashëgimisë kulturore të vendit ruhet në hapësirat e Bibliotekës. Ajo vlerësohet jo vetëm për vlerat e rolin e rëndësishëm në formimin e gjeneratave, por edhe për vetë objektin ikonik, në të cilin zë vend njëri prej atyre me të cilin identifikohet Prishtina.
Edicioni i sivjetmë i “Javës...” po zhvillohet për ta promovuar Bibliotekën Kombëtare në epokën e teknologjisë. Teksa digjitalizimi i koleksioneve po vazhdon, po bëhet edhe rrjeti bibliotekar kombëtar për bibliotekat e vendit. Me 48 biblioteka publike në një sistem të përbashkët, Rrjeti Bibliotekar konsiderohet projekti më i madh dhe më vizionar i Bibliotekës. Nëpërmjet tij do të mundësohet katalogim i përbashkët, qasje online dhe shkëmbim burimesh ndërmjet bibliotekave.
Me dy sesione ka nisur e marta, teksa në amfiteatrin e madh në BKK janë prezantuar punët e hulumtuesve për çështjet e bibliotekonomisë, që kanë të bëjnë kryesisht me zhvillimin e hovshëm të teknologjisë, digjitalizimin dhe inkorporimin e inteligjencës artificiale në sistemet bibliotekare. Sesioni i parë ka nisur nën temën “Ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe digjitalizimi” me drejtues Genita Margatajn nga BKK-ja dhe Shpresa Mekajn nga ASHAK-u. Hulumtimi i parë me titull “Digjitalizimi në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës” është prezantuar prej Diellza Bardiqit nga BKK-ja, ndjekur nga Sokol Çunga prej Arkivit Qendror të Shtetit në Shqipëri me hulumtimin “Antikuarë të Bibliotekës së Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave në Tiranë si dëshmi të bibliotekave, zotëruesve të librave dhe shkollave gjatë periudhës pas-bizantine në Shqipëri”.
Prej Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Maqedonisë, Biljana Pavlichkovska e ka prezantuar temën “Bibliotekat – ruajtëse të trashëgimisë dhe udhëheqëse drejt së ardhmes”. Pas saj ka prezantuar Mehmet Demir nga Biblioteka Kombëtare e Turqisë me hulumtimin “E ardhmja e Bibliotekës Kombëtare: Balancimi i traditës dhe inovacionit në shërbimet bibliotekare në Turqi”, teksa nga Biblioteka e Maqedonisë ka prezantuar edhe Zorica Jakovleska. Ajo ka përgatitur hulumtimin “Sistemi i mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe Biblioteka Kombëtare”. Krahas saj, ka prezantuar edhe Bekim Aliu nga Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës, me temën “Digjitalizimi i materialeve arkivore dhe bibliotekare: standarde, sfida dhe bashkëpunim institucional”.
Sesioni i pasdites ka sjellë një frymë të ngjashme në sallën e amfiteatrit të madh në BKK. Me temën “Bibliotekat në epokën e transformimit: teknologjia, identiteti dhe kultura” ka nisur pjesa e parë e këtij sesioni, drejtuar nga Venera Nitaj e BKK-së dhe Majlinda Toçi nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, e cila ka prezantuar hulumtimin “Bibliotekat në epokën e Homo Deus: sfidat në menaxhimin e inteligjencës artificiale”, gjatë së cilës ka folur për rolin kyç të inkorporimit të inteligjencës artificiale në sistemet bibliotekare.
“Bibliotekat po hyjnë sot në një fazë të re, thelbësore, jo vetëm për karakterin e tyre që kanë këto institucione të kujtesës ndërmjet trashëgimisë kulturore dhe inovacionit teknologjik. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë parashihet të luajë një rol udhëheqës në përdorimin e inteligjencës artificiale, sa u përket digjitalizimit, katalogimit, ndërveprimit me publikun dhe në ruajtjen e këtyre materialeve në mënyra digjitale. Sikurse ndodh gjithmonë, transformimet e mëdha përcillen edhe me sfida po kaq të mëdha, prandaj ato duhet të adresohen menjëherë”, ka thënë gjatë prezantimit Toçi, e cila është zëvendësdrejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë
Dalif Saiti i BKK-së e ka prezantuar temën “Digjitalizimi i trashëgimisë periodike: praktikat dhe arritjet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës”. Gjatë këtij prezantimi, ai ka theksuar rëndësinë e digjitalizimit dhe ruajtjes së trashëgimisë periodike, duke i quajtur dëshmi të drejtpërdrejta të historisë, të cilat në kohë reale tregojnë reagimet dhe perceptimet.
“Trashëgimia periodike përfshin të gjitha ato botime, të cilat janë publikuar dhe kanë vazhduar të botohen, siç janë për shembull gazetat, revistat e buletinet. Këto janë burime shumë të rëndësishme, janë dëshmi të drejtpërdrejta të historisë, ku ruhet jo veç informacioni për ngjarjet që kanë ndodhur, por edhe për gjuhën, stilin dhe frymën e epokës, në të cilën janë shkruar. Ndryshe nga botimet retrospektive, materialet periodike reflektojnë momentin duke ruajtur reagimet dhe perceptimet në kohë reale. Pikërisht për këtë arsye, ruajtja dhe digjitalizimi i tyre zënë një vend të veçantë në punën e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës”, ka theksuar ai.
Nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, Mirela Mersini ka folur për vështirësitë e të pasurit punë me digjitalizim të periodikëve. Në temën “Digjitalizimi i periodikëve – sfida dhe arritje”, ajo ka dalluar veçanërisht brishtësinë e koleksioneve në përmasa të mëdha të periodikëve, me të cilat duhet të kihet kujdes, pavarësisht sa investon në skanerë.
“Gjatë punës me periodikët në retrospektivë, mua ata më janë dukur si fëmijë të përkëdhelur që një periodik del si i përditshëm, një i përjavshëm, një i përdyjavshëm e të tjera, ose ndonjërit edhe mund t’i teket të ketë vetëm një numër unik dhe më pas kjo gjë duhet të bëhet një zbërthim i madh. Kompleksiteti i këtyre materialeve vjen nga mungesa e vijimësisë, shpeshherë janë të paplota, cilësia jo e duhur e letrës dhe e shkëlqimit për periodikë me përmasa shumë të mëdha, të cilët kushtëzojnë blerjen e skanerëve, sepse vërtet mund të ketë një skaner të teknologjisë së fundit, por ka dy elemente shumë të rëndësishme: është përmasa e koleksionit, njëkohësisht edhe brishtësia e tyre”, ka thënë Mersini gjatë prezantimit të temës, me të cilën është marrë.
Edhe Antonio Çikollari nga qendra “Sotir Kolea” ka prezantuar temën “Biblioteka si urë lidhëse mes klasikes dhe modernes”, për t’u mbyllur pjesa e parë e sesionit me temën “Bibliotekat e shekullit të ri: roli i marrëdhënieve publike në ringjalljen kulturore të institucioneve kombëtare”, prezantuar nga Jola Tasellari prej BKSH-së. Ajo ka spikatur nevojën e përfshirjes së një sektori të marrëdhënieve me publikun në biblioteka, duke e konsideruar atë si ndërlidhës mes institucionit dhe komuniteteve të përdoruesve.
“Mungesa e një strukture të formalizuar të marrëdhënieve me publikun (PR) në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë ka sjellë një zbrazëti të thellë komunikimi dhe të gjatë mes institucionit dhe komuniteteve të përdoruesve, mediave dhe aktorëve të tjerë kulturorë apo grupeve të interesit. Bën dallim Biblioteka Kombëtare e Francës nëpërmjet PR-it si një nga shtyllat strategjike, përtej konceptimit teknik të komunikimit. Në kontekstin e bibliotekonomisë, PR-i duhet kuptuar si një ndërlidhës ndërmjet institucionit, punës pas shkencës së bibliotekës, dhe ruajtjes e shpërfaqjes së kujtesës kolektive. Për një kohë të gjatë, bibliotekat janë perceptuar si hapësira hermetike, akademike, të destinuara për kërkues të specializuar apo të përkushtuar. Përfshirja e një PR-i dhe e një strategjie komunikimi na krijon mundësinë e ndërtimit të një narrative moderne të bibliotekës”, ka thënë ajo.
Pjesa e dytë e sesionit të pasdites ka përfshirë emra si Ledia Dushi e Sidita Halluni nga Biblioteka publike “Marin Barleti” e Shkodrës, të cilat kanë folur për modelet e digjitalizimit, metodat dhe qasjen publike të antikuarëve në Arkivin e Bibliotekës së Shkodrës. Boyana Mincheva nga Biblioteka Kombëtare e Bullgarisë ka folur për trashëgiminë e dorëshkrimeve dhe dokumenteve në Bibliotekën Kombëtare “Shën Kirili dhe Metodi” të Bullgarisë.
Nga Universiteti i Tiranës ka prezantuar Andi Rembeci temën “Dorëshkrimet greke në Shqipëri: Qarkullimi i librave dhe bibliotekat”, teksa nga Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Maqedonisë ka prezantuar Jana Mihajlovska, e cila ka folur rreth fuqizimit të rrjeteve bibliotekare përmes trajnimit të vazhdueshëm. Ederina Demo nga BKSH-ja ka prezantuar punimin “Rrënjë të vjetra, rrjedha të reja”, ndërkaq Merve Yavuzdemir nga Drejtoria e Përgjithshme e Bibliotekave dhe Botimeve e Turqisë ka prezantuar me temën “Ndërthurja e bibliotekave kombëtare dhe publike: Strategji për shërbime bibliotekare gjithëpërfshirëse në Turqi”.
Pasdite është realizuar edhe pranimi i librave nga biblioteka “Karl Kaser”, duke shënuar aktin simbolik të bashkëpunimit ndërkombëtar midis BKK-së dhe bibliotekës “Karl Kaser” nga Austria, e cila ka dhuruar një koleksion librash me qëllim pasurimin e fondit të Bibliotekës Kombëtare, teksa në hollin e ekspozitave në korridor të BKK-së është ekspozuar koleksioni i dhuruar.
Edicioni i 22-të i “Javës së Bibliotekës” mbahet nga 6 deri më 12 tetor. Në kuadër të “Javës..” planifikohet të bëhet lansimi i rrjetit bibliotekar të Kosovës. Në vazhdim do të ketë sesione shkencore shtesë mbi digjitalizimin, ruajtjen e trashëgimisë, teknologjinë dhe identitetin kulturor, promovimin e leximit, përkthimin e letërsisë shqipe dhe qasjen ndërkombëtare, të drejtën e autorit dhe rolin e bibliotekave. Po ashtu aktivitete më vete janë edhe diskutimet mbi inteligjencën artificiale dhe bibliotekat, me ekspertë kombëtarë. Do të bëhet promovim i katalogut “Thesare të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës”, përkujtim për Martin Camajn në 100-vjetorin e lindjes. Pos këtyre, do të ketë edhe program kulturor e letrar me lexime, promovime librash dhe diskutime me shkrimtarë e përkthyes, përfshirë shfaqje filmash nga kinematografia kosovare çdo mbrëmje në Bibliotekën Kombëtare.