Ndërtesës së braktisur tash e një vit i janë nxjerrë edhe kabllot e rrymës prej mureve për t’i shitur si material bazë në tregjet e hekurishteve. Ndërtesa që gjendet në qendër të Ferizajt me një histori të gjatë prej dekadash si shkollë fillore “Gjon Serreçi”, e pastaj strehë e dy shkollave të mesme, tashmë është kthyer në një gërmadhë. Krejt kjo ka ndodhur prej janarit të vitit të kaluar. E prej vitit 2021, ndërtesa është monument në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme
Ish-ndërtesa e shkollës fillore “Gjon Serreçi” në Ferizaj është plaçkitur në detaje. E gjësendet që s’kanë hyrë në punë për t’u shitur janë demoluar. Ndërtesës së braktisur tash e një vit i janë nxjerrë edhe kabllot e rrymës prej mureve për t’i shitur si material bazë në tregjet e hekurishteve. Ndërtesa që gjendet në qendër të Ferizajt me një histori të gjatë prej dekadash si shkollë fillore, e pastaj strehë e dy shkollave të mesme, tashmë është kthyer në një gërmadhë. Krejt kjo ka ndodhur prej janarit të vitit të kaluar. E prej vitit 2021 ndërtesa është monument në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme.
Shumica e dritareve janë thyer dyert janë marrë e muret janë gërryer. Ngjan sikur të jetë dëmtuar nga ndonjë luftë apo tërmet i fortë. Por aseti i trashëgimisë kulturore që është pronë e Komunës së Ferizajt është përballur me vandalizëm. Ndërtesa – me një histori të bujshme në arsimin e asaj ane – është kthyer në mollë sherri midis Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Ferizajt. Të dyja institucionet i drejtojnë gishtin njëra-tjetrës. E realiteti është i vrazhdë. Zor të ketë në qytetin e Ferizajt një tjetër ndërtesë që ka përjetuar atë lloj zallamahie.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSë fundmi monumenti është bërë lëndë edhe për Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore që vepron në kuadër të Ministrisë së Kulturës. Një Raport i inspektimit që e ka siguruar KOHA nga MKRS-ja është i hartuar në fillim të shkurtit të këtij viti. Në janar të vitit të kaluar ndërtesa ku kohëve të fundit ndahej midis dy shkollave të mesme, gjuhësores “Shaban Jashari” e shkollës së mjekësisë “Elena Gjika” është braktisur pasi nxënësit kanë kaluar në objekt të ri. Oborri i ndërtesës tash shërben edhe si parking. Raporti i inspektorëve Pajtim Zogaj e Labëri Dakaj specifikon se më 2021 Komuna e Ferizajt, nuk ka qenë dakord me përfshirje të kësaj ndërtese në listën e aseteve të trashëgimisë kulturore, “ndër të tjera për faktin e planifikimeve të tjera në këtë hapësirë”.
“Sipas dokumentacionit kadastral të dorëzuar nga Drejtoria për Gjeodezi, Komuna e Ferizajt, shumica e pronave përreth shkollës janë prona publike, përkatësisht prona të Komunës së Ferizajt; Shkolla ka etazhitet B+P+2; Ndërtesa është kryesisht e ndërtuar nga materiali i betonit dhe hapësirat e brendshme të ndara me tulla të pjekura të argjilës; Ndërtesa ka sipërfaqe prej 15 mijë e 200 metrash katrorë”, shkruhet te konstatimet në Raport. Aty sqarohet se gjatë vitit 2024 Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka bërë inspektim në hapësirën e asetit dhe ka ndaluar punimet e paautorizuara.
“Ndërtesës i janë përcaktuar perimetri dhe zona mbrojtëse rreth perimetrit; Hapësira e asetit është e regjistruar në kadastër si pjesë e trashëgimisë kulturore; Ky aset përveç kufijve ka të përcaktuar politikat për konservimin dhe zhvillimin e tij; Në kohën kur shkolla është përfshirë në mbrojtje ka qenë duke u zhvilluar procesi mësimor në këtë shkollë, përkundër faktit se e njëjta ishte në gjendje shumë të rëndë fizike; Që nga përfshirja në mbrojtje e kësaj shkolle, nuk është ndërmarrë më asnjë masë për ndërhyrje institucionale”, shkruhet në Raport. Aty specifikohet se Komuna ka arsyetuar mungesën e ndërhyrjeve për mirëmbajtje me faktin e ndërtimit të ri të objektit shkollor
“Pas zhvendosjes së nxënësve në shkollën e re, aseti ka mbetur i braktisur; Nuk është caktuar asnjë përgjegjës për mbikëqyrjen e saj; Shkolla nuk ka të angazhuar sigurim fizik, për rrjedhojë qasja e personave të paautorizuar në shkollë është e vazhdueshme; Për më tepër, hyrja në objekt nuk është e ndaluar e as nuk ka ndonjë shenjë paralajmëruese; Janë marrë dhe dëmtuar dyer, dritare, rrethoja të ballkoneve e pjesë të tavaneve; Janë shkaktuar dëmtime në strukturën e brendshme të ndërtesës, përfshirë tavanet dhe muret”, shkruhet në Raport. Madje është konstatuar se në njërën nga hapësirat e shkollës vërehet se është shkaktuar zjarr përderisa pjesa dërrmuese e instalimeve elektrike janë marrë dhe dëmtuar. Aty po ashtu ceket se Ministria e Arsimit në vitin 2023 ka angazhuar kompani projektuese për projekt për ndërhyrje restauruese, por nga pamundësia e qasjes në hapësirat e bodrumit për matje, shkaku i gjendjes së keqe higjienike, projekti ka mbetur pezull. Sipas inspektorëve, është hapur një tender dhe i njëjti ka dështuar.
“Për shkak të ndërhyrjeve të paautorizuara këtij aseti po i humbet autenticiteti dhe integriteti; Hyrjet e paautorizuara të personave të cilët përvetësojnë materialet e ndryshme të shkollës janë problemi kyç; Këto dëmtime nuk janë të raportuara në organet e ndjekjes penale”, shkruhet në Raport.
Inspektorati Raportin ia ka përcjellë një numri institucionesh, përfshirë Komunën e Ferizajt. Komunës i është rekomanduar që në afat urgjent të bëhet mbyllja e të gjitha hyrje-daljeve të shkollës me mjete teknike mbrojtëse të përkohshme.
“Të vendoset rrethim fizik mbrojtës përreth shkollës; Të vendoset shenjëzim paralajmërues për ndalimin e qasjes së personave të paautorizuar; Të angazhohen sigurimi fizik apo monitorimi me kamera; Të vlerësojë mundësinë për marrjen nën administrim të ndonjë përgjegjësi për këtë objekt deri në një fazë tjetër; Të bëhet një pastrim i hapësirës përmes një asistence nga institucionet e trashëgimisë kulturore”, shkruhet te rekomandimet. Kurse Stacionit të Policisë në Ferizaj i është rekomanduar të rritet prania e Policisë së Kosovës dhe patrullimi deri në sigurimin e shkollës nga Komuna e Ferizajt dhe të fillohet hetim lidhur me dëmtimet e ndodhura në këtë aset të trashëgimisë kulturore.

Në ditën e 13 shkurtit Komuna e Ferizajt ka lëshuar në “sqarim publik”. në fjalinë e parë ka sqaruar se ish-objekti i shkollës “Gjon Serreçi” nuk është në menaxhimin e Komunës, por në përgjegjësi të Ministrisë së Kulturës
“Ka vite që ish-objekti i shkollës ‘Gjon Serreçi’ nuk menaxhohet nga Komuna, por është në përgjegjësi e në mbrojtje të Ministrisë së Kulturës si objekt i trashëgimisë kulturore”, shkruhet në sqarimin e Komunës pas disa reagimeve të bëra në rrjete sociale.
“Komuna e Ferizajt me dhjetëra herë në çdo paraqitje publike, por edhe përmes shkresave e komunikimeve zyrtare me institucionet përgjegjëse të nivelit qendror, ka kërkuar që Komuna të lejohet të zhvillojë punime në këtë hapësirë, ashtu që e njëjta të rregullohet, duke eliminuar çdo mundësi pasigurie për dhe rreth këtij objekti. Megjithatë, një gjë e tillë nuk është lejuar deri më tani nga institucionet përgjegjëse qendrore e për të cilën Komuna e Ferizajt vazhdueshëm përsërit këtë kërkesë dhe është në komunikim zyrtar me institucionet përgjegjëse qendrore ashtu që të lejohet ndërhyrja në hapësirën e ish-shkollës ‘Gjon Serreçi’”, shkruhet në reagim. Por sipas Ligjit për trashëgimi kulturore përgjegjëse, për asetet e trashëgimisë kulturore janë institucionet lokale e ato qëndrore. Madje mbi të gjitha pronari, në këtë rast, Komuna. Fotografia me të cilën e ka shoqëruar sqarimin Komuna është ditëve kur shkolla qe në gjendje të mirë. Por Komuna e Ferizajt për publikun ka sqarim tjetër e për institucionet e trashëgimisë kulturore krejt tjetër. Në shkresa interne me Ministrinë e Kulturës dhe Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore i pranon dhe i merr përsipër – të paktën me letra – përgjegjësitë që i takojnë.
Para se t’i sqarohet publikut më 13 shkurt, Komuna më 9 shkurt Inspektoratit dhe Ministrisë së Kulturës i ka treguar gatishmëri për disa nga rekomandimet e marra.
“Komuna e Ferizajt ka gatishmërinë e plotë për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas mundësive të saj buxhetore dhe në kompetencën tonë në lidhje me rekomandimet tuaja për mbrojtjen e këtij objekti, përkatësisht: Në afatin urgjent të bëhet mbyllja e të gjitha hyrje-daljeve të shkollës me mjete teknike mbrojtëse të përkohshme; Të vendoset rrethim fizik mbrojtës përreth shkollës; Të vendoset shenjëzim paralajmërues për ndalimin e qasjes së personave të paautorizuar; Të bëhet një pastrim i hapësirës përmes një asistence nga institucionet e trashëgimisë kulturore”, shkruhet në shkresën Drejtorisë së Arsimit të komunës së Ferizajt për MKRS-në dhe Inspektoratin.
Sa u përket rekomandimeve të tjera, Komuna ka thënë se mund të bëjnë vetëm monitorimin me kamera përderisa angazhimi i sigurimit fizik dhe caktimin e ndonjë administratori të ndërtesës nuk mund të realizohet në pamundësi buxhetore.
“Të gjitha rekomandimet e lartcekura janë të ndërvarura edhe më kërkesën tonë të vazhdueshme që kemi paraqitur pranë MKRS-së dhe organeve të saj, e që ka të bëjë me lejimin e realizimit të projektit për rregullimin e parkut dhe rikonstruktimin e rrugës ekzistuese të cilat sipas vlerësimit tonë dhe organeve të sigurisë, ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë e këtij objekti dhe mbrojtjen e kësaj trashëgimie, andaj sa më sipër, kërkojmë nga ana juaj urgjentisht që të na lejohet, përmes shkresës zyrtare zhvillimi i projektit përkatës që siguron në afatgjatë mbrojtjen dhe kujdesin për këtë objekt të trashëgimisë kulturore në mbrojtje nga ana juaj”, shkruhet në këtë shkresë. Po ashtu, në shkresën e drejtorit të Drejtorisë së Arsimit, Afrim Llabjani, kërkohet edhe një takim me krejt akterët.