“Roli duhet të jetohet. Rolet i luaj me shpirt. Aty janë edhe interpretimi, edhe aktrimi. I jetoj. Sepse skena është jetë më vete”, thotë balerina e Baletit Kombëtar të Kosovës, Jeta Musolli. Gati çerek shekulli në skenë, rrugëtimi dhe rrëfimi i saj janë një lloj sinonimi i historisë së re të baletit në Kosovë. Ajo i takon gjeneratës së parë të BKK-së. Është Jeta e baletit. E baleti për të është vetë jeta. “Baleti, pastaj të tjerat”, thotë ajo
Në një moshë kur baleti veçse do të duhej të perfeksionohej, po atëherë balerina Jeta Musolli nisi prej pikës zero. Këtë fat e patën të gjithë balerinët e gjeneratës së saj. Veç sa qe hapur Dega e Baletit në shkollën e mesme “Prenk Jakova” nga ish-drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj. Kur nisi karrierën prej balerine profesionale qe 13 vjeçe. Sot është njëra prej shtyllave të Baletit. Dashurinë për këtë art, çdo ditë ia sfidojnë kushtet.
Audicioni si pikënisje
Secila shfaqje është histori më vete. Në shumë prej tyre në role kryesore e edhe në të tjera, për balerinën Musolli secila është kapitull më vete. Jo veç kërcim, por edhe përjetim i karakterit, përfshirë aktrimin. Me këtë energji i ka sjellë të gjitha shfaqjet e Baletit, që nga viti 2002, kur iu bashkua Baletit Kombëtar. Përveç njërës, “Terminal”, të vitit të kaluar.
Në po të njëjtin vit që u regjistrua në shkollë të mesme në degën e Baletit, po atë vit edhe u bë pjesë e Baletit si soliste e parë e institucionit.
“Si fëmijë, si karakter dhe tip kam qenë e gjallë, më ka pëlqyer muzika, gjimnastika e patinazhi. Por për balet nuk është se e kam menduar sepse në atë kohë nuk flitej shumë për të. Ishte Ahmet Brahimaj, profesori ynë i ndjerë që bashkë me disa kishin hapur Degën e Baletit në shkollën ‘Prenk Jakova’. Mami ma propozoi dhe mua më pëlqeu. Më tha që ‘është një profesion i vështirë dhe ka sakrifica, por do të kënaqesh’. Shkova në audicion dhe menjëherë më pranuan. I përmbusha kriteret”, kujton balerina Jeta Musolli.
Kishte nisur shkollimin e re, si pesëvjeçare. Andaj ishte një hap përpara gjeneratës së saj të shkollës. Jo si çdo balerinë në botë që shkollimi i parë për ta janë mësimet për balet, Musolli nisi kur trupi veçse ishte pjekur dhe duhej punuar fort. Meritat e asaj çfarë është sot ia atribuon profesorit Brahimaj.
“Për ne ka qenë shumë e çuditshme, sepse gjithçka ka nisur prej zeros. Balerinët ia nisin si fëmijë, por ne nuk e kemi pasur shkollën e ultë dhe direkt në shkollë të mesme, në një moshë që nuk përshtatet shumë. Prandaj është dashur të punohet shumë, shumë disiplinë, sakrificë dhe përkushtim. Krejt këto i kemi mësuar nga Ahmet Brahimaj të cilin e kemi pasur si baba dhe ai na ka drejtuar në rrugën e drejtë që nëse do të merresh me këtë profesion duket të jesh shumë e fortë", shprehet Musolli.

Prova me qirinj ku kulmonte entuziazmi
Shfaqja “Tranzicion” ishte e para paraqitje e saj si balerinë profesionale. Ajo kujton se ishte ende fëmijë, por në skenë i duhej të sillej si e rritur. Ishte privilegj, e po aq përgjegjësi.
“Gjithçka ka qenë e veçantë. Ende më kujtohet. Është një pikë e fillimit që nuk mund ta harrosh kurrë. Ke qenë fëmijë, por është dashur të sillesh si i rritur, se ke shumë eksperiencë, por në fakt nuk është se e ke pasur. Është dashur t’ia dalësh disi", shprehet balerina Musolli.
Teatri ka qenë i zymtë atë kohë. Pa drita, pa ngrohje, pa të ardhura e nën kundërmim. Sfidat kanë qenë të llojllojshme.
“Kur kemi shkuar në Teatër për të parën herë paslufte, as rrymë nuk ka pasur, ka ndodhur që kemi mbajtur prova me qirinj, sepse provat kanë vazhduar për shfaqjet moderne që patëm nisur t’i bëjmë. Nuk ka pasur ngrohje, buxhet, shpesh as para për të ngrënë, por ia dilnim disi. Gjithçka ka qenë përvojë që mendoj se arsyeja pse jemi këtu ku jemi sot dhe pse vazhdojmë të funksionojmë është që i kemi kaluar krejt këto dhe veç na kanë bërë të fortë", kujton Musolli.
Rikthimi në improvizime çerek shekulli pas
Kushte jo më të mira e përcjellin Baletin edhe sot, çerekshekulli pas. Për Musollin, ka përmirësim, ka përkrahje, ka publik, nuk ka paragjykime si në fillim, por ende mungon kushti elementar – hapësira e duhur për të performuar.
“Në sallat dhe në skenat që interpretojmë pas mbylljes së objektit të Teatrit, janë veç improvizim sa të bëjmë shfaqje dhe t’ia ofrojmë publikut për t’i kënaqur ata. Përndryshe asnjëra prej sallave në të cilat kemi interpretuar nuk i përmbushin kushtet për balet. Janë thjesht improvizime”, shprehet Musolli.
Të merresh me balet në Kosovë, sot, edhe para mbylljes së Teatrit, e veçmas tash, do të thotë sfidë, sakrificë, e një lloj barre e dy institucioneve midis së cilave ka mbetur: ansamblit “Shota” ku Baleti bën provat dhe Teatrit Kombëtar në hapësirën e të cilit jep shfaqjet dhe me të cilin institucion ka stafin e përbashkët teknik.
Kontrasti me skenat e jashtme
E balerina Musolli me kolegë i gjen kushtet që i meriton veç kur udhëton jashtë vendit. Madje edhe në rajon.
“Aty e sheh çfarë respekti dhe çfarë përkrahjeje kanë balerinët në këto vende. Sesi trajtohemi ne si balerinë të Baletit Kombëtar të Kosovës kur paraqitemi diku jashtë. Ky është si motiv shtesë për të vazhduar sepse qëllimi ynë, gjatë tërë jetës, ka qenë të mos krijojmë karrierë individuale, që nëse të vjen mundësia, të dalësh jashtë. Por që t’ia bëjmë me dije botës që Kosova ka një balet duke punuar brenda këtyre kushteve dhe duke mos u dorëzuar kurrë”, thotë Musolli.
Pos vendeve të rajonit ka performuar në Zvicër, Austri, Kore të Jugut, Gjermani, Francë, Finlandë, Turqi dhe jo vetëm.
Balerina flet me admirim për përvojën në një teatër të vërtetë. Së fundi trupa e Baletit është paraqitur në Venecia me shfaqjen “Carmina Burana”, në një teatër me traditë të gjatë, me arkitekturë klasike.
“E sheh një teatër që është me kate, ballkone, skena të mëdha, pastaj publiku pret në rend të futet brenda. Vjen dy orë më herët, blen biletat. Aty nuk ka familjarë që të thuhet se duartrokitjet vijnë për hatër. Kush e sheh se vlerësohesh në këtë mënyrë dhe ovacionet zgjasin me minuta, është një lloj ushqimi shpirtëror sepse ne punën e bëjmë për publik. Mundohemi ta bëjmë më të mirën”, shprehet ajo.

“Baleti, pastaj të tjerat”
Për të, jo të rralla janë momentet kur gjithçka bëhet e tepërt. “Sa u përket kushteve... ne do ta linim moti dhe të hiqnim dorë duke vazhduar me profesionet tona”, thotë ajo. Të tilla momente e kanë përcjellë në afër 90 premiera në të cilat ka dhuruar magjinë e saj të baletit.
Musolli u lind më 2 shkurt të 1989-s në Prishtinë. Është soliste e parë e BKK-së që nga viti 2002. Nisur me “Tranzicion” si shfaqja e parë në të cilat ka luajtur, ka qenë edhe pjesë e shfaqjeve të tjera. Te “Mbrëmje e baletit klasik” ka luajtur si Medora, te "Bukuroshja e fjetur" si Zana e Kuqe dhe Kësulëkuqja, “Te Balloja e Diplomës” si Vajza e Dytë, te “Lidhja” si zonja Bregu, te “Don Kishoti” si Mercedes, te “Netët arabe” si Nouria, te “Le Corasire” si Gulnara, te “Giselle” edhe si Myrtha e te “Romeo dhe Zhulieta" si Infermierja.
I fundit rol klasik është Clara nga “Arrëthyesi” i Tchaikovskyt. E solli dy vjet më parë në fundvit. Edhe vitin e kaluar. Synohej të bëhej traditë, por sivjet për shkak të kushteve nuk u mbajt fare, ndonëse një gjë e tillë parashihej me programin vjetor të Baletit.
Pos këtij roli, balerina Jeta Musolli veçon edhe rolin titullar nga baleti “Carmen” dhe Aegina nga “Spartacus”.
“I fundit rol klasik është Clara. Një rol shumë i veçantë dhe i vështirë. Më ka pëlqyer shumë. I ka pasur vështirësitë e veta por mendoj se ia kam dalë. Më ka pëlqyer edhe Carmen sepse pak a shumë është karakter i imi, më e fortë, më e prerë, por në anën tjetër ka pasur anën sensuale dhe elegancën. Gjithashtu edhe Aegina, edhe pse ka qenë rol negativ te ‘Spartaku’”, shprehet ajo.
Ka luajtur edhe në shfaqjet “S'po dëgjohet gongu”, “Kontrast”, “Performance”, “Kolazh baleti”, “Dashuria që vret”, “Kopelia”, “Lidhja”, “Kopelia”, “My stories, your story”, “Recomposed”, “O.Taka”, “New Born”, “Liria ime”, “Verdi: Aty drita bie“, “Fluturimi drejt dritës”, “Pushimi i kalorësve”, “Sisters”, “Exil”, “Tanziminiaturen & Tangata”, “Untittle” e shumë të tjera.
Për të, Baleti ka qenë përherë pjesë shumë e rëndësishme e jetës së saj. Madje primare.
“Ka qenë baleti, pastaj të tjerat. Në secilën shfaqje, në secilin rol, mundohesh ta jetësosh atë dhe të të flejë ai personazh në trupin tënd. Ta luash më së miri. Kur të dalësh si ai personazh, të të duket se e luan më së miri në botë. Ka shumë sfida, të vjen shpirti në fyt, nuk mund të gënjej se është gjithçka lule. Ka momente kur thua po e lë krejt, se je lodhur”, shprehet ajo në rrëfimin e saj për KOHËN.
Musolli ka marrë pjesë është në shumë shfaqje teatrore. Në një të tillë edhe po punon aktualisht. Bashkë me balerinën Aulonë Nuhiu, me koreografi të Sead Vuniqit, do të shfaqet në “Kabare 1999” nën regji të Zana Hoxhës, produksion i Teatrit të Gjilanit. Jepet premierë në janar.
Jeta është skenë më vete për të dhe secili duhet ta përjetojë.
“Roli duhet të jetohet. Rolet i luaj me shpirt. Aty janë edhe interpretimi, edhe aktrimi. I jetoj. Sepse skena është jetë më vete. Ne e kemi një shprehje që ‘sa herë del të vallëzosh në një shfaqje, duhet të vallëzosh sikur të jetë e fundit’. Sepse ajo është jeta jote në atë moment. Kam luajtur shumë role klasike dhe secili më ka pëlqyer”, shprehet balerina Musolli.
Është një lloj sakrifice të merresh me balet duke qenë profesion jetëshkurtër. Një lloj pensionimi i parakohshëm, ndonëse në Kosovë ende nuk është e rregulluar dhe pjesëtarët e trupës së Baletit pensionohet si çdo tjetër individ.
“Deshe e nuk deshe, kur i bën 50 vjet as nuk të ka hije dorën në zemër të kërcesh. Thua: ‘Po luftoj edhe pak, po përkushtohem edhe pak’. Sepse ajo ditë vjen shumë shpejt, siç kanë kaluar këto 25 vjet gati”, shprehet Musolli.
Ka qenë asistente e shumë koreografëve si vendorë e të huaj për shfaqjet e Baletit. Andaj vazhdimi i karrierës si koreografe nuk është larg mendsh për të.
Ka një çerek shekulli në skenë. Por ende, është një lloj adrenaline secila paraqitje. Edhe stres.
“Nuk kam lejuar asnjëherë që stresi të ma prishë punën që e kam bërë gjatë asaj kohe. Duhet të jesh e sigurt. Mund të rrëzohesh. Nga një ngritje e lartë, po të mos ketë koordinim, mund të biesh. Mund si të jesh në koncentrimin tënd e të të shfaqet një perde e zezë. Janë gjëra të natyrshme që i ndodhin çdo balerini e balerine. Sikurse edhe aktorëve, këngëtarëve, por esenca është që cili është plani B?", thotë Musolli.
Për vite të tëra, skena ka qenë përjetim ndryshe për të duke qenë se vëllai i saj, balerini Kreshnik Musolli, ka qenë pjesë e trupës. Kanë kërcyer së bashku e në projekte të veçanta edhe në duet.
“Është eksperiencë e veçantë. Me Nikin jemi rritur bashkë dhe kemi qenë si binekë. Ai ka filluar baletin prej kur ka ardhur t’i shohë shfaqjet e Baletit në të cilat unë kam qenë pjesë. I ka pëlqyer dhe tash performojmë bashkë në shumë shfaqje. Është ndjenjë e veçantë dhe jam shumë e lumtur që e përjetoj këtë ndjenjë”, tregon Musolli.
Balerina Jeta Musolli shprehet se e jeton çdo moment të jetës me balet. Në esencë, baleti është vetë jeta për të.