Pos 700 mijë dollarëve të ndara nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë më 2014, bashkë me punimet e realizuara qysh prej vitit 2009, investimi në Kalanë e Prizrenit – ndër asetet më të vizituara në vend – shkon mbi një milion. E prej vitit 2019, aty më s’u investua asnjë cent. E tash, prej së hënës Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka njoftuar se disa prej zonave të Kalasë do të mbyllen përkohësisht për vizitorë, shkaku i rrezikut. Sipas arkeologut që ka udhëhequr punimet në Kala, kjo është një goditje e rëndë për një prej aseteve më përfaqësuese të Prizrenit dhe krejt vendit
Në gushtin e sivjetmë bëhen 12 vjet prej kur iu “pre shiriti” punimeve ku u investuan 700 mijë dollarë të Fondit të ambasadorit për trashëgimi kulturore në Kalanë e Prizrenit. Pos këtyre mjete të ndara nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë më 2014, bashkë me punimet e realizuara qysh prej vitit 2009, investimi në këtë aset të trashëgimisë kulturore – ndër më të vizituarit në vend – shkon mbi një milion. E prej vitit 2019, aty më s’u investua asnjë cent. E tash, prej së hënës Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka njoftuar se disa prej zonave të Kalasë do të mbyllen përkohësisht për vizitorë. Sipas arkeologut që ka udhëhequr punimet në Kala, kjo është një goditje e rëndë për asetin më përfaqësues të Prizrenit e një ndër më të vizituarit në nivel të vendit.
“Në funksion të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe sigurisë së qytetarëve, Ministria e Kulturës dhe Turizmit njofton se monumenti Kalaja e Prizrenit do të mbyllet përkohësisht në disa prej zonave të saj. Ky vendim është marrë pas vlerësimeve profesionale që evidentojnë gjendje të rënduar të disa strukturave dhe rrezik potencial për vizitorët. Zonat me rrezik do të jenë të shënuara dhe të kufizuara deri në një njoftim të radhës”, shkruhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit. Aty bëhet e ditur se, po ashtu, pezullohet menjëherë dhënia në shfrytëzim e hapësirave të kalasë për aktivitete nga organizata, iniciativa kulturore dhe artistë të pavarur, deri në stabilizimin e gjendjes dhe krijimin e kushteve të sigurta.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Publiku do të njoftohet me kohë për çdo zhvillim të mëtejmë dhe për afatet e mundshme të rihapjes. Kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve dhe palëve të interesuara, duke theksuar se ky vendim është në shërbim të ruajtjes së një prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë sonë dhe të sigurisë së vizitorëve”, shkruhet në njoftim. Të hënën kur edhe është dhënë njoftimi KOHA ka pyetur Ministrinë e Kulturës dhe Institutin Arkeologjik të Kosovës se përse është arritur deri në gjendjen sa të mbyllen disa pjesë të Kalasë së Prizrenit për vizitorët, kush e mbanë përgjegjësinë për këtë degradim të monumentit dhe si planifikohet të dilet nga kjo situatë. Por asnjëri institucion deri në mbrëmje vonë nuk është përgjigjur. KOHA po ashtu ka kërkuar edhe raportin i cili në njoftimin publik të MKRS-së përmendet si arsyetim për mbylljen e disa zonave për vizitore. Por që të dyja institucionet s’janë përgjigjur as për këtë kërkesë.
Ministria e Kulturës muajve të fundit ka dështuar tri herë radhazi që të bëjë një intervenim emergjent në Kala.
S’ka gjetur kompani që për afro 85 mijë euro t’i realizojë punët e klasifikuara si “ndërhyrje emergjente”. Institucioni më i lartë kulturor në vend ka hapur e mbyllur tri thirrje publike, por pa sukses.
Dy thirrje të vitit të kaluar rezultuan pa efekt. Në të dytën s’kishte as kompani të interesuara. Thirrja e sivjetme prapë doli të jetë e barabartë me zero sa i përket interesimit të kompanive.
KOHA disa herë ka raportuar për gjendje jo të mirë në këtë aset.
Kalaja e Prizrenit, ende pa u futur brenda rrethojës, shihet se është njëfarë lokaliteti i braktisur. Në cilindo drejtim që nisen vizitorët nuk marrin vesh gjë. Tabelat informuese i ka bjerrë koha. Shërbejnë veç si pamje të shëmtuara e relikte që dëshmojnë moskujdesin e shtetit. Shtigjet e drunjta kanë degraduar deri në masën sa rrezikojnë vizitorët. Janë arnuar me dërrasa, por si opsion që i ka shëmtuar, e ka rritur pak sigurinë. Viteve të fundit ky aset dhe shumë të tjera jo rrallë kanë mbetur edhe pa rojë e mirëmbajtje. Janë braktisur nga shteti.
Arkeologu I Institutit Arkeologjik të Kosovës, Shafi Gashi, të hënën ka thënë se Kalaja në të gjitha fazat e saj asnjëherë nuk është mbyllur.
“Mbyllja e një pjese të caktuar nëse fillohet me punime ka një logjikë. Por meqenëse deri më sot nuk kemi asnjë raport ose të dhënë që ka ndodhur ose mund të ndodhin lëndime, atëherë cila është logjika e mbylljes së disa zonave. Për më tepër nuk e kuptoj në asnjë formë se përse nuk merren hapa praktikë. Emergjente janë shtigjet e ecjes dhe tabelat informuese. Ato s’kanë kosto të madhe financiare”, ka thënë ai. Në bazë të Ligjit mbi ndarjet buxhetorë për vitin 2026, për këtë aset janë 85 mijë euro si vazhdim i vitit të kaluar. Mjete të reja s’ka shtesë. E deri sivjet po sipas këtij Ligji, aty janë shpenzuar 1 milion e 117 mijë euro.
Gashi ka thënë se në fund të fundit cili person, këshill apo komision e ka konstatuar se Kalaja paraqet rrezik.
“Me sa di unë, asnjë specialist i trashëgimisë kulturore që ka qenë pjesë e projekteve të Kalasë nuk është i inkuadruar në këtë proces. S’është konsultuar asnjë njeri që ka qenë pjesë e proceseve. Kurse unë jam i përjashtuar krejtësisht nga çdo gjë në Kala. Gjykoj që s’është e mirë për institucionin që të bëhen shkëputje të tilla drastike nga njerëzit që janë marrë me Kala”, ka thënë ai. Sipas Gashit, duket sikur Kalasë i është shpallur luftë, pasi që nga viti 2019, është e pafalshme që për një monument të ketë zero angazhim nga institucionet kompetente.
“Kjo praktikë është duke u zhvilluar me të gjitha kalatë në të cilat është punuar rreth një dekade. Është për keqardhje se si ‘tallen’ me punët e bëra deri më sot ku janë investuar 700 mijë dollarë të taksapaguesve amerikanë dhe mjete të tjera të taksapaguesve të Kosovës. Shpresoj që ministrja e re ta formojë një ekip më serioz dhe të mos lejojë që Kalaja të jetë në mëshirën e kohës dhe fatit”, ka thënë ai.
Në marsin e sivjetmë Ministria e Kulturës nuk ia ka dalë që as në tentimin e dytë ta bëjë me ciceronë Kalanë e Prizrenit. Edhe kësaj radhe – sikurse në herën e parë – Ministria e Kulturës ka anuluar konkursin nëpërmjet të cilit synonte ta bënte Kalanë me dy ciceronë. Po ashtu, sikurse në herën e parë konkursi është anuluar pa ndonjë arsyetim.
Njëjtë sikurse në konkursin e parë, atë të korrikut të vitit të kaluar, edhe në të dytin, qenë katër kandidatë. Po ashtu të njëjtat sikurse në konkursin e korrikut, edhe në atë të tetorit, Flaka Bamja e Mirlinda Maloku e kanë kaluar verifikimin paraprak, duke u bërë dy kandidatet që synojnë dy vende pune si cicerone.
Ministria e Kulturës nuk është përgjigjur as për konkursin e parë e as për të dytin. Në shtator të vitit të kaluar për ciceronë në Ulpianë qenë zgjedhur Ismail Gagica e Atdhe Prelvukaj, kurse për Novobërdë, Fitim Bunjaku.