Në kuadër të serisë së debateve publike “Fuqizimi i kulturës” të kafe-galerisë “Hani i dy Robertëve” u diskutua mbi paradokset e kulturës që shpesh deklarohet e përbashkët, por rrallë funksionon si e tillë. Në debat është konstatuar se më shumë ka projekte të përbashkëta me Serbinë e vende të tjera të Ballkanit sesa me Shqipërinë. Bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri në rrethana kritike politike është përshkruar si një lloj grimi sa për sy e faqe
Trevat shqiptare dikur e kanë pasur një lloj autonomie kulturore. Sot takimet e zyrtarëve shtetërorë konsiderohen thjesht formale, pa rezultate në art e kulturë. Skena e pavarur kulturore e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë janë të pasura, por nuk ka bashkëpunime. Në debatin për një nga çështjet më të ndjeshme të hapësirës shqiptare – raporti midis afërsisë kulturore dhe mungesës së bashkëpunimit konkret – është vlerësuar se në vend të Shqipërisë, ka më shumë projekte për bashkëpunim me Serbinë e vendet tjera të Ballkanit.
Në kuadër të serisë së debateve publike “Fuqizimi i kulturës” të kafe-galerisë “Hani i dy Robertëve” u diskutua mbi paradokset e kulturës që shpesh deklarohet e përbashkët, por rrallë funksionon si e tillë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë diskutimin me temë “Ndërlidhjet kulturore shqiptare”, të enjten mbrëma u tha se dy vendet kanë nevojë për bashkëpunim sepse kjo i nevojitet identitetit historik e kulturor për të funksionuar si kulturë e përbashkët. Se pa rrënjët e saj nuk ka degë e as fryte kulturore.
Kështu ka deklaruar shkrimtari Ag Apolloni i cili e ka vendosur këtë çështje në një plan më të gjerë konceptual.
“Vetë kultura si term është shumë i gjerë dhe shumë i larmishëm, shumë divers. Vetë fjala komb, sipas Ismail Kadaresë, është kombinacion, pastaj shkon te fjala ‘nyje’. Kur më lidhet diçka nyje në fyt, siç themi, ashtu e shpjegon kombinacionin si term. Ai thotë se jemi njëfarë nyje, të lidhur, edhe kur nuk pajtohemi. Edhe të mirat edhe të këqijat i kemi të përbashkëta andej kufirit që më nuk e ka peshën që kishte dikur. E rëndësishme është që tashmë kufiri ka mbetur si formalitet, por realisht kufij kulturorë nuk kemi pasur kurrë”, ka thënë Apolloni.
Duke e vlerësuar kulturën si një lidhje që i tejkalon kufijtë politikë, ka thënë se e para mund të shërbejë si model për politikën.
“Politika sado e ka ndarë terrenin gjeografik në shumë pjesë, kulturalisht ne kemi qëlluar më të fortë se politika. Ndoshta është kjo një arsye që nëpërmjet kulturës t’i japim model politikës. Modeli politik është shumë i përçarë aktualisht, edhe historikisht. Jo vetëm prej kohës menjëherë prej vdekjes së Skënderbeut por edhe në kohën e ilirëve”, është shprehur Apolloni në debat.
Sipas tij, kombi është në rrezik sepse shumica kanë ikur nga vendet shqipfolëse. Ka thënë se ka ndasi midis Kosovës dhe Shqipërisë.
“Me Shqipërinë, deri në komunizëm njiheshim më të bashkuar. Ishte elementi kombëtar i theksuar për shkak ndoshta të një periudhe romantike që kulmoi me modelin e Skënderbeut, por mandej Kosova mbeti jashtë dhe krijoi pak a shumë, kulturalisht nisi të merrte nga shtetet e tjera dhe u nda nga shteti, pjesë e të cilit ishte. Prej kësaj ndodhi që gjuha krijoi një diferencë prej asaj të Shqipërisë dhe identiteti mori elemente që ishin elemente liberale të një komunizmi liberal dhe ata mbetën të izoluar në një sistem krejt distopik, tmerrues”, ka thënë shkrimtari e profesori i letërsisë shqipe.
Sipas tij, bashkëpunimi midis dy vendeve në rrethana kritike politike ka qenë, siç e ka quajtur, një lloj grimi i bashkëpunimit.
“Vëllezërit kosovarë që shkonin atje përgjoheshin edhe në atë që quhet si bashkim a tolerancë midis Kosovës e Shqipërisë kur kushtimisht ishte një lloj bashkëpunimi, më shumë si shkëmbim vizitash. Por çdo kosovar që shkonte atje kishte një grup spiunësh që i përcillnin dhe mbanin shënime se si shkruan, çka flet, çfarë bën. Disa prej tyre janë publikuar e disa janë në proces bashkëpunimi. Nuk ka pasur bashkëpunim normal midis Kosovës dhe Shqipërisë por ka qenë një lloj grimi i bashkëpunimit, sa për t’u dukur se po bashkëpunojmë”, ka thënë Apolloni.
Ka thënë se prej atëherë, Kosova është konsideruar si një lloj krahine, apo në të njëjtën pozitë si konsiderohen sot shqiptarët e Malit të Zi a të Maqedonisë. Sipas tij, janë konsideruar më të prapambetur.
Këtij konstatimi i është kundërpërgjigjur kuratorja Blerta Hoçia.
“Nuk mendoj se është e vërtetë që Kosova konsiderohet krahinë... por ekzistojnë edhe ndasi”, është shprehur ajo.
Është thënë se edhe në forma të artit shpesh është vlerësuar se skena artistike e Shqipërisë e shihte atë të Kosovës si më të përparuar ndërkohë që ajo e Shqipërisë kishte ngecur paksa si rrjedhojë e sistemit komunist. Kështu është shprehur edhe Hoçia në debat.
“Në perspektivën e Shqipërisë, arti kosovar ose artistët që kanë dalë nga komunizmi a paslufta, janë dukur gjithmonë më të informuar, më të dalë në botë dhe më bashkëkohorë. Pra më të informuar me praktikat bashkëkohore, ndërsa brezi i artistëve në Shqipëri e ka vuajtur gjithmonë mbylljen mbi 50-vjeçare në komunizëm, pastaj pjesën e tranzicionit që nuk është kryer kurrë, nuk është bërë kurrë një ballafaqim i shëndoshë me të kaluarën në Shqipëri... sepse edhe historitë ndryshojnë”, ka thënë ajo.
Sipas saj, në Kosovë “armiku ishte shumë më i dukshëm, ishte e qartë se ishte agresiv...” ndërsa armiku në Shqipëri ishte i brendshëm. Sipas saj është i vështirë ballafaqimi me të kaluarën.
E ka ilustruar këtë me rrëfime artistësh që ende jetojnë pranë persekutorëve të tyre.
“Unë kam rastisur me artistë të brezit më të vjetër që e kanë përjetuar komunizmin, kanë vuajtur internime e burgime për shkak të ideve politike. Disa nga ta më kanë treguar se e njohin torturuesin e tyre, ose spiunin, për shembull e kanë pasur komshi, por nuk mund t’i bëjnë asgjë. Kjo është ajo drejtësia e munguar e një procesi që vazhdon të bartet. E kaluara vazhdon të na ndjekë sepse nuk është e përfunduar kurrë”, është shprehur artistja e kuratorja Blerta Hoçia.
Filozofi e kritiku i artit, Shkëlzen Maliqi, është shprehur se është mirë të dihet se ku është kultura shqiptare sot.
“Kanë qenë edhe përpjekjet e dy qeverive për një raport kulturor. Burokracitë gjithmonë nisin diçka, por nuk po ka efekt siç duhet. Edhe jemi afruar, po komunikojmë, por diçka po mungon. E kemi skenën e pavarur kulturore shumë aktive. Edhe në Shqipëri vërehet, veçse nuk po ka bashkëpunime. Më shumë ka projekte për bashkëpunim rajonal, me Serbinë e vendet e tjera të Ballkanit sesa midis vete. Nuk ka as përkthime, nuk mundesh prej këtu të konkurrosh në Shqipëri ose të përkthesh ndonjë vepër. Ka shumë gjëra që mund të bisedohen”, ka thënë Maliqi.
Sipas tij, kultura shqiptare duhet të jetë një edhe pse është shumë diverse.
Gazetari Dritan Dragusha ka konsideruar se kultura ndërshqiptare është në paradoks.
“E mbaj mend mbylljen e kufirit. Njerëzit flisnin për librat që vinin prej Shqipërisë në kohën kur njerëzit internoheshin e dënoheshin për këtë. Sot nuk ka pengesa, por ka vështirësi. Kadare është njëfarë pëlhure që e mbulon problemin. Por shkrimtarët e Kosovës, sipas përshtypjeve të mia, nuk është se janë shumë të pranishëm në Shqipëri. Ka, së paku si një përshtypje, të njëfarë paternalizmi, që edhe në kulturë mund të bie. Meqenëse i takojmë njëfarë tradite të një aspekti religjioz shumë të koklavitur, ne nuk kemi mundur të kultivojmë një trashëgimi kulturore të përbashkët”, ka thënë ai.
Sipas tij, midis qeverive ka takime të të dy vendeve, por pa rezultate. Sa për fotografi e asgjë në përmbajtje. Dragusha ka thënë se kultura nuk mund të mbijetojë pa forcën e pushtetit.
“Kultura ka mbetur në mëshirën e arrogancës politike në të dy vendet. Jo vetëm shkëmbime të librave, por edhe të formave të ndryshme, janë shumë problematike. Aktualitet e kemi rastin e dy akademive dhe të fjalorit, kur nuk merren vesh”, ka thënë ai.
Si shembull të ndasive ka përmendur rastin e Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe të hartuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë e që parashihej të ishte bashkëpunim midis institucioneve homologe të të dy vendeve.
Shkrimtari Ag Apolloni e ka përmendur themelimin e forumit “Forum26” si nevojë e përmbledhjes së asaj që e konsideron si një lloj pasiviteti të institucioneve kulturore për librin e shkrimtarët.
“Erdhi si reaksion ndaj, pak a shumë, Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, PEN Qendrave të të dy vendeve që nuk bëjnë asgjë atje dhe këtu si dhe Lidhjeve të Shkrimtarëve që nuk bëjnë asgjë as atje e as këtu. Nuk e di sa do të zgjasë e cilat do të jenë frytet, por nijeti është i mirë. Nisma të tilla na duhen jo vetëm në letërsi, por në të gjitha fushat”, është shprehur Apolloni.
Nismat alternative u përmendën si shenja shprese, ndonëse mbetet e paqartë sa do të zgjasin dhe çfarë ndikimi do të kenë. Si përfundim i ngjarjes ka qenë konstatimi se nuk ka mungesë idesh a vullnet individual për një skenë kulturore të përbashkët, por se boshllëku institucional dhe politik e pengon atë që duhet të jetë një, por që nuk funksionon si e tillë.