Kulturë

“La Femme” nga Flaka Goranci jehon edhe në Vjenë për pasion, dashuri dhe paqe

Vjena është destinacioni i radhës i koncertit “La Femme”, siç titullohet edhe albumi me të cilin mexosopranoja Flaka Goranci shpalos pasion, dashuri e paqe. Është një rrëfim për gruan si krijuese. “Më 10 shkurt në Vjenë, në vendin ku është realizuar i tërë projekti, vjen edhe koncerti i dytë me radhë. Në ‘Palais Ehrbar’ do të realizohet ky koncert nën dirigjimin e ukrainases Aleksandra Korobka”, ka thënë Goranci

Në historinë e shkruar, zëri i grave rëndom është dokumentuar nëpërmjet burrave. Përjetimet e tyre edhe në këngë shpeshherë u jetësuan nga dora e burrave. Flaka Goranci, mexosoprano nga Kosova, mori një iniciativë në nëntor të vitit 2022 që do t’i përgjigjej kësaj çështjeje, por në rrafshin e muzikës. Një koncert i saj në Vjenë tashmë është paralajmëruar, por ka një histori që i paraprin.

Me “La Femme”, albumin muzikor i cili u dedikohet krijueseve në muzikë, Goranci do të bënte bashkë emra artistesh: nga Kassia, si poetja e vetme e cila figuron në veprat liturgjike të kohës së Bizantit e deri te kompozitorja e re iraniane Niloufar Nourbakhsh. Këta emra, ndër të tjera, në krijimtarinë e tyre ndajnë një të përbashkët: vullnetin për të kundërshtuar padrejtësitë karshi pozicionit të tyre si gra. Goranci me këtë projekt solli një CD-album me idenë për të bërë bashkë veprat me historitë e kompozitorëve e muzikantë nga e tërë bota me sfonde të ndryshme.

E ky projekt i saji, i lansuar dy vjet më parë, krahas vlerësimeve të larta nga kritika ndërkombëtare u nominua dhe në tri kategori nga “Opus Klassik” në Berlin, çmim i dhënë për arritje të larta në fushën e muzikës klasike.

Koncepti i këtij projekti përtej muzikës bart më vete dhe ngjyrime sociale dhe kulturore që hedhin dritë mbi anë të kompleksitetit të funksionimit të shoqërive njerëzore.

Por, ky projekt u konkretizua dhe me koncerte të bazuara në këtë program. I tillë qe dhe koncerti në Tiranë, në tetor të 2023-tës, si hapës për turneun “La Femme”. Ndërkaq koncerti i dytë vjen në muajin shkurt të këtij viti.

“Më 10 shkurt në Vjenë, në vendin ku është realizuar i tërë projekti, vjen edhe koncerti i dytë me radhë. Në ‘Palais Ehrbar’ do të realizohet ky koncert nën dirigjimin e ukrainases Aleksandra Korobka”, ka thënë Goranci në një prononcim për KOHËN. Për bashkëpunimin ka ndarë edhe të tjera detaje.

“Kësaj radhe bashkë me kompaninë ‘Bunte Kunst Wien’, që menaxhon koncertin në Vjenë, kemi vendosur që të sjellim dirigjenten nga Ukraina, Aleksandra Korobka, dhe orkestrën e përbërë vetëm nga muzikante femra për ta vënë të gjithë fokusin te gratë”, ka shtuar Goranci. Koncerti ka mesazhe të fuqishme. “Përmes këtij programi ne këndojmë kundër luftës, këndojmë për paqen, pasionin dhe dashurinë”, ka thënë ajo.

Pas Vjenës destinacion i radhës është edhe Luksemburgu gjatë muajit mars, për të vazhduar pastaj me koncertet e tjera të parapara për sivjet.