Një minutë heshtje është mbajtur në hapësirat e Teatrit Kombëtar të Kosovës të martën, në nderim të jetës dhe kontributit artistik të këngëtarit Shemsi Krasniqi – Shemi, i cili ka vdekur të hënën në moshën 70-vjeçare. Një gjë ka mbetur konstante në të gjitha fjalimet gjatë përkujtimit të tij, se Shemi ka qenë një prej zërave të paktë që e kanë ndërtuar një estetikë të qëndrueshme në muzikën vendore
Në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës të martën është krijuar një heshtje që e ka shtuar peshën e zërit të munguar. Në vendin ku për katër dekada është dëgjuar një prej timbrave më të dallueshëm të rockut kosovar, është përkujtuar Shemsi Krasniqi – Shemi, vokalisti që ka shënuar një epokë të tërë të muzikës vendore. Komemoracioni ka mbledhur familjarë, kolegë, bashkëpunëtorë e përfaqësues institucionalë, duke krijuar një tablo që ka reflektuar qartë se trashëgimia e tij nuk ka qenë vetëm artistike, por edhe shoqërore.
Shemi, i cili vdiq të hënën në moshën 70-vjeçare, ka qenë zë i një kohe që rrallë ka prodhuar figura të tilla: zë i mbrëmjeve në Prishtinë, i revoltës kur ajo duhej shprehur, i ndejave dhe i kujtesës kolektive që përmes këngëve e ka gjetur një mënyrë për ta artikuluar veten. Gjatë përkujtimit, është bërë e qartë se prania e tij në skenën e viteve ’80 e ’90 është parë si shtëllunga e parë e identitetit rock-folk në Kosovë.

Në fjalën e tij, drejtori artistik i TKK-së, Kushtrim Mehmeti, ka kujtuar grupin “Ilirët” si një ndër pararendësit e bashkimit të rockut me elemente folklorike.
“Me grupin ‘Ilirët’, Shemi solli edhe këngë të tjera të paharrueshme si ‘Fjalët e qiririt’, ‘Kënga e Naimit’, ‘Larg vendlindjes’ dhe shumë krijime të tjera që trajtonin atdhedashurinë, mallin, identitetin dhe shpresën. Muzika e tyre ishte bashkim i guximshëm i rockut me elemente folklorike, një gjuhë artistike unike që i dha muzikës shqiptare një dimension të ri. Sot, nuk kujtojmë vetëm një këngëtar, kujtojmë një zë që na bashkon, një artist që na dha guxim dhe një njeri që la pas një trashëgimi të çmuar kulturore”, ka thënë Mehmeti.

Sipas tij, kujtimi i Shemit do të mbetet pjesë e emocioneve që zgjojnë këngët e tij dhe i historisë që nuk shuhet.
“Kujtimi i Shemit do të jetojë në këngët që këndojmë, në emocionet që na zgjojnë dhe në historinë që nuk do ta harrojmë asnjëherë. U prehtë në paqe e trashëgimia e tij do të jetojë përgjithmonë”, ka thënë ai.
Në sallë është ndier qartë se Shemi nuk është kujtuar vetëm si artist. Ai është kujtuar si një njeri që në kohë të tensionuara e të zymta e ka mbajtur publikun afër artit. Kjo nuk është ndarë nga konteksti i viteve ’90-ta, periudhë kur me ndaljen e autonomisë dhe me fshikullimin e politikave represive, shoqëria shqiptare ka kaluar në një prej fazave më të vështira në Kosovën e Jugosllavisë së asaj kohe.

Pikërisht në këtë klimë, në verën e vitit 1990, grupi “Ilirët” po regjistronte albumin “Zgjohu Kosovë” – një material që i është kundërvënë asaj që përditë e rrënonte hapësirën e lirë. Titulli i albumit ka qenë thirrje. Kënga kryesore me të njëjtin emër, e kënduar nga Shemi, është shndërruar në simbol të një zgjimi që lypej me urgjencë.
Pjesë e komemoracionit ka qenë edhe një përmasë e afërt dhe intime e Shemit, ajo që rrallë ka dalë në publik – ndjeshmëria, butësia dhe mënyra unike se si ka komunikuar me njerëzit rreth vetes.
Kolegët e tij e kujtojnë si njeri që nuk ngrinte zërin, një njeri me humor të hollë, pa asnjë gjurmë të ligësisë. Naser Gjinovci, vokalist i bendit ‘Minatori’, mik dhe koleg i Shemit, e ka sjellë një imazh të qartë të kësaj.
“Shemi ka qenë një njeri që ka pasur sens të humorit shumë dhe ka qenë shumë i hareshëm, por njëkohësisht Shemi nuk ka ditë me folë, nuk ka ditë me bërtitë, por nuk ka qenë ajo malinjoze, përkundrazi, ajo ka qenë simpatike nga ana e tij dhe karakteristikë e Shemit ka qenë se ia kemi thënë në sy njëri-tjetrit, mirë e keq”, ka thënë Gjinovci.

Dimensioni familjar është dhënë me fjalimin e nipit, Kastriot Grajqevci, i cili ka lexuar një tekst të shkurtër, por të fortë emocionalisht, duke e nënvizuar rolin e Shemit si pjesë të kujtesës së popullit.
“Dajë, ti nuk ishe veç pjesë e familjes sonë, ti ishe zë i njerëzve. Sot, kur po ta lexoj këtë mesazh me zemër të thyer, po e kuptojmë edhe më fort sa shumë i ke takuar këtij vendi dhe sa shumë ky vend të ka dashtë. Ti ke ditë me e mbajtë shpirtin e popullit në këngë, me i dhënë zë asaj që na lidh e nuk na lëshon kurrë”, ka thënë Grajqevci.
Në sallë ka folur edhe ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili ka theksuar se kontributi i Shemit nuk është vetëm artistik, por edhe shoqëror.
Shemin e gjenim në muzikë, në televizion, në qytet e edhe në kujtesën tonë kolektive, tash e tutje sidomos. Kontributi i tij, përveç artistik, ishte thellësisht edhe shoqëror. Aktiviteti i Shemit me grupin ‘Ilirët’ ka arritur të jetë përbashkues për të gjithë ne nëpër periudhat më të vështira që kemi përjetuar si popull gjatë viteve ’80 dhe ’90”, ka thënë Çeku.

Përtej polemikave të viteve të fundit, përtej ndryshimeve të skenës, përtej kalimit të kohës, një gjë ka mbetur konstante në të gjitha fjalët gjatë përkujtimit, se Shemi ka qenë një prej zërave të paktë që e kanë ndërtuar një estetikë të qëndrueshme në muzikën vendore. Ka qenë zë i një shoqërie që kërkonte formë shprehjeje. Ka qenë zë që i ka mbajtur bashkë njerëzit, qoftë në ndejat e rinisë, qoftë në periudhat kur kënga ishte më shumë se argëtim.
Në Teatrin Kombëtar, heshtja e një minute nuk ishte vetëm nderim. Ishte edhe një dëshmi se trashëgimia e Shemsi Krasniqit nuk matet me repertor e diskografi. Matet me mënyrën se si një zë është bërë pjesë e jetës së një vendi.