Përderisa nuk ndalen reagimet për ndërprerjen e shfaqjes së “Lejlekut” nga nacionalistët serbë që s’e durojnë shqipen, filmi, nën regji të Isa Qosjes, ka arritur te një pjesë e publikut në Podgoricë. Të dielën mbrëma është shfaqur në Kinotekën e Malit të Zi, nja 3 kilometra larg prej vendit ku ditë më parë u ndërpre. I pranishëm ka qenë edhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq i cili ka thënë se shfaqja është mesazh i qartë. Përderisa “Lejleku” ka mbyllur edicionin e dhjetë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Debutues të Metrazhit të Gjatë “Xhada”, një tjetër film shqip s’ka kaluar pa vëmendjen e jurisë. Aktori Gentrit Shala është vlerësuar për rolin e tij në filmin e shkurtër “SOS” të Anita Morinës
Filmi shqip i ndaluar nga nacionalistët serbë që arritën ta pamundësonin shfaqjen e tij ditë më parë, ka arritur te publiku në Podgoricë. Ani pse jo në vendin ku u ndërpre, “Lejleku”, nën regji të Isa Qosjes, ndezi projektorin të dielën mbrëma.
Vendimi për ta shfaqur ka pasur edhe një tis simbolik: ka sfiduar nacionalizimin që çoi krye hapur edhe përballë një filmi vetëm pse flet shqip.
Organizatorët e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Debutues të Metrazhit të Gjatë “Xhada”, qysh të mërkurën, kur akti i ndërprerjes së filmit bëri bujë – duke ndezur fitilin e reagimeve nga të gjitha anët, por duke shfaqur edhe heshtjen e një pjese të udhëheqjes politike – paralajmëruan se me filmin “Lejleku” – i cili në Podgoricë u shfaq për herë të parë dhjetorin e kaluar – do ta mbyllin edicionin e dhjetë të festivalit. Kanë arritur ta bëjnë këtë në Kinotekën e Malit të Zi, nja 3 kilometra prej lokacionit ku “programin” e diktuan nacionalistët, sepse u pengoi shqipja.
Aty ka qenë i pranishëm edhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq i cili ka thënë se shfaqja është mesazh i qartë.
“Sonte, nga shfaqja e përsëritur e filmit ‘Lejleku” po dërgojmë një mesazh të qartë: Mali i Zi është dhe duhet të mbetet një shoqëri civile në të cilën ushqehen liria e shprehjes artistike, diversiteti kulturor dhe respekti i ndërsjellë. Ky film i madh malazez, i xhiruar në gjuhën shqipe, i cili trajton tema universale, tregon pasurinë e harmonisë sonë shumetnike. Në një vend ku të gjitha gjuhët, kulturat dhe fetë respektohen dhe vlerësohen, nuk ka vend për ndarje. Vetëm në këtë mënyrë mund ta ndërtojmë Malin e Zi modern, demokratik dhe evropian. Kultura është një hapësirë bashkimi, jo ndarjeje. Dhe për këtë mosdurimi dhe jotoleranca nuk duhet të fitojnë. Kurrë”, ka shkruar ai në rrejte sociale, të dielën vonë.
Por edhe një tjetër film shqip nuk ka kaluar pa vëmendjen e jurisë. Aktori Gentrit Shala është shpërblyer për rolin e tij në filmin e shkurtër “SOS” të Anita Morinës.
“Me filmin ‘Lejleku’ simbolikisht e, mbi të gjitha, në mënyrë të rëndësishme e të fuqishme, përmbyllim vitin e dhjetë të shoqërimit tonë të përbashkët me lavdinë e filmit e të artit. E, ky është vetëm fillimi”, kanë thënë organizatorët në një njoftim.
Përmbylljes simbolike të Festivalit i ka paraprirë ceremonia e ndarjes së çmimeve të shtunën mbrëma. Sipas raportimeve të mediave malazeze, fituesi i çmimit kryesor në kategorinë e filmit të gjatë, filmi “Little trouble girls”, nën regji të Urshka Gjukiq nga Sllovenia, është filmi më i mirë debutues i metrazhit të gjatë. Juria e kësaj kategorie në përbërje të aktorit e producentit Dushan Kovaçeviq, aktores Marija Vickoviq dhe producentit Vlado Bulajiq, e ka çmuar si një vepër e cila nëpërmjet “rrëfimit vizualisht ekspresiv dhe të ngarkuar shpalos luftën e brendshme të një vajze, e cila shpesh formësohet dhe kufizohet nga normat shoqërore dhe kornizat fetare”.
“Për këtë juria unanimisht e konsideron si një projekt njëkohësisht të guximshëm dhe delikat me skica të jashtëzakonshme dhe të gjitha postulatet cilësore të një ‘filmi evropian’, i cili në mënyrë të ndjeshme dhe nganjëherë fort dramatike përdor poezinë vizuale për të folur rreth proceseve emocionale dhe identitare nëpër të cilat kalojnë gratë e reja. Në një det filmash dhe historish që ende i vendosin personazhet në sfond, pa u dhënë atyre arsye të vërteta për ekzistencën e tyre, ‘Good Girls’ gjen rrugën e tyre drejt zemrës së të gjithëve”, thuhet në arsyetimin e jurisë. Po në këtë kategori, Çmimin për regjinë më të mirë e ka marrë Vladimir Tagiq për filmin “Yugo Florida”.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit Debutues të Metrazhit të Gjatë “Xhada” sivjet për herë të parë ka futur në program edhe kategorinë e filmit të shkurtër. Juria në këtë kategori, e përbërë nga kritiku i filmit Zoran Jankoviq, producentja Marija Vlahoviq dhe regjisorja Carina-Gabriela Dasoveanu, Çmimin kryesor në këtë kategori ia ka dhënë filmit “Astro”, nën regji të regjisorit holandez Tim Ewalts.
Po kjo juri ka vendosur që në këtë kategori ta theksojë edhe aktrimin.
“Në një përzgjedhje vërtet të pasur prej 22 filmash të shkurtër, juria shprehu dëshirën për të nxjerrë në pah aktrimin nga dy filma të tjerë. Konsiderojmë se meritojnë mirënjohje interpretimet e pjekura, të padukshme, por mbresëlënëse të Gentrit Shalës në filmin ‘SOS’ të Anita Morinës dhe post mortem, Dostana Nikoliqit në filmin ‘5/3/0’ të regjisorit Danilo Stanimiroviq”, thuhet në arsyetimin e jurisë.

Regjisori Tim Ewalts, aktori Gentrit Shala dhe regjisori Danilo Stanimiroviq kanë qenë të pranishëm në ceremoni.
“SOS” të Anita Morinës e ka nisur mbarë rrugëtimin qysh me premierën botërore në gusht të këtij viti, në edicionin e 24-t të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest”. Mori çmimin kryesor në Garën Kombëtare, e cila prej vitit të kaluar është kategoria kryesore e këtij festivali. Gentrit Shala në “SOS” – që shtjellon sfidat me të cilat përballen të rinjtë e Kosovës – është Drini, i riu me rutinën e tij të përditshme, duke regjistruar kohën e vajtje-ardhjeve të trenit të vetëm që kalon çdo dy ditë në stacion. Në bashkëbisedë me të atin (Shkumbin Istrefi) flet për gjendjen e shtetit si reflektim i stacionit të trenit që dikur mbushej me udhëtarë e kishte disa linja. E sot kalon andej vetëm një herë në dy ditë.
Prej edicionit të parë më 2015, me rreth 7 mijë shikues, Festivali Ndërkombëtar i Filmit Debutues të Metrazhit të Gjatë “Xhada”, sipas organizatorëve, ka pasur një rritje të vazhdueshme duke i shndërruar disa lokacione në Podgoricë në kinema të hapura. Përkundër kësaj, nuk është fort i pozicionuar në skenën rajonale të festivaleve përderisa nuk ka mbulim mediatik as në nivel lokal.
Rasti me filmin “Lejleku” e bëri të njohur duke rihapur temën e nacionalizimit serb që jo rrallë del në pah në Mal të Zi dhe sfidohet prej tij edhe në institucione shtetërore. Organizatorët të enjten e kaluar kishin thënë se shfaqja e filmit qe ndërprerë për shkak të pakënaqësive të shprehura zëshëm nga një grup personash ende të panjohur të cilëve, siç thuhej, u pengoi fakti që filmi ishte në gjuhën shqipe. Sipas mediave malazeze, ky grup bëri thirrje nacionaliste e kërcënime. Deri më tash kanë reaguar të gjitha partitë politike shqiptare në Mal të Zi dhe të tjera, presidenti Jakov Millatoviq kishte kërkuar që filmi të jepet sërish për publikun, pasi dhënia e tij më 3 shtator u ndal me forcë.
Vetë regjisori Isa Qosja kishte thënë për KOHËN të premten se nuk ishte i befasuar nga ky veprim dhe se pavarësisht kësaj ndërprerjeje, arti shqiptar ekziston dhe do të ekzistojë gjithmonë.
“Në parim, ndërprerja e projeksionit në Mal të Zi nga nacionalistë ekstremë serbë nuk më befason aspak. Kjo është dëshmi që ata as gjuhën e një populli tjetër nuk e durojnë, e lëre më njerëzit, hapësirën, kulturën… Le të vuajnë edhe në këtë mënyrë, sepse ne jemi dhe do të jemi përgjithnjë”, kishte thënë ai. Kishte treguar se është ndier keq përballë pjesës malazeze që e ka admiruar filmin.
Sipas tij, ndërprerja është e planifikuar dhe e orkestruar nga Serbia.
“Më vjen keq për atë pjesë të publikut malazias, të cilët me shumë admirim e kanë parë dhe përjetuar këtë film. Më janë lajmëruar shumë intelektualë dhe filmdashës e filmpunues nga Mali i Zi dhe janë të irrituar me atë që ndodhi, por të entuziazmuar me filmin. Filmi ka pasur një premierë kohë më parë në Podgoricë dhe është parë dhe pritur me ovacione. Pra, me ndërprerjen janë bërë planifikime dhe veprime të orkestruara nga Serbia”, kishte thënë regjisori Qosja. Pas premierës botërore në shtator të vitit 2024 në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit “PriFest” në Prishtinë, “Lejleku” ishte shfaqur edhe në Podgoricë. Në gusht ishte shfaqur edhe në Festivalin e Filmit në Hercegnovi.
Në lidhje me ndalimin e filmit, bashkëproducenti malazias i filmit, Ivan Gjuroviq, kishte theksuar se fajin për këtë i kanë shteti dhe shoqëria, meqë gjithnjë janë ushqyer me “mite të rreme”. Kishte kujtuar se “Lejleku” para së gjithash është një film i shkëlqyeshëm, i cili edhe në Mal të Zi është pritur mahnitshëm nga publiku e kritika, një vepër që flet për gratë pa të drejta, migrimet e për fshatrat që shuhen.
“Shfaqja u ndërpre, sepse disave u pengon gjuha. Por, ata nuk janë fajtorë. Fajtorë janë shteti dhe shoqëria që kurrë nuk ndërtuan një kornizë qytetare, por lejuan që të ringjallen mitet e rreme, nacionalizmi dhe ndasitë. E gjithë kjo me një qëllim: të fshihen krimi dhe korrupsioni. Prandaj unë nuk i gjykoj ata njerëz, por i ftoj ta shikojnë filmin. Nëse i provokon, aq më mirë. Sepse provokimi është thelbi i artit”, kishte thënë ai në një përgjigje për KOHËN.
Ngjarja e filmit zhvillohet në fshatin e braktisur Vuthaj, vendlindjen e regjisorit Qosja, të banuar me popullsi shqiptare, në kufirin malazias-shqiptar. Tema e emigracionit rrëfehet përmes historisë së tre brezave të grave fatkëqija. Midis dramës e komedisë “Lejleku”, mbi të gjitha, ka rol të dokumentimit. Mbetet produkt i pastër kinematografik.