Gjuha e politikës në shoqëritë postjugosllave ka mbetur e robëruar brenda matricave të vjetra. Ajo nuk ka as mundësi t’i përshkruajë problemet e as t’i zgjidhë ato.
Leksiku i kufizuar dhe përdorimi i rreptë i gramatikës me formën e komunikimit me gjentilesë, si sinjal i vetëm i agjendës proevropiane, kanë bërë që të shterojnë mundësitë për zgjidhjen e problemeve serioze politike.
Çështjet gjuhësore dhe realitetet që lidhen me to janë konceptualizuar si boshti i edicionit të dhjetë të festivalit ndërkombëtar të letërsisë “Polip”. Me gjithë pandeminë, kjo ngjarje letrare do të mbahet në javën e dytë të shtatorit.
“International Literature Festival - polip - 11-14 September 2020, Prishtina“ është paralajmërimi i drejtorit artistik të qendrës “Multimedia”, Jeton Neziraj.
Edicioni i sivjetmë jubilar, i dhjeti me radhë, ishte planifikuar të mbahej në maj. Gjendja e pazakontë nga pandemia e virusit me kurorë, COVID-19, i kishte shtrënguar organizatorët të përcaktoheshin për muajin shtator për shënimin e jubileut.
Siç jepet në programin e afishuar në faqen e “Multimedias”, festivali që bën bashkë shkrimtarët do të përballet sivjet me një pyetje shtesë: si të ndryshohet gjuha drejt një komunikimi ndërnjerëzor më të thellë dhe më kuptimplotë në
kushtet e pandemisë COVID – 19? “Gjuhët plaken si edhe njerëzit, vdesin, ndryshojnë ose i gjejnë folësit e rinj, pse jo edhe shkrimtarët e rinj, të cilët me to do t’i shprehin frikët dhe shpresat. Për këtë arsye, një nga detyrat e rëndësishme të letërsisë sot dhe këtu është të ushtrojë ndikim për ndryshimin e gjuhës në sferat e tjera të jetës shoqërore dhe politike”.