Kulturë

“Sunny Hill” kulmon me atmosferën e Prishtinës ndërkombëtare

Sunny Hill

Anyma vetëm me paraqitjet vizuale në ekranet gjigante të skenës kryesore dhe kombinimet e tyre me dritat skenike ka depërtuar tufën e të pranishmëve, pa i llogaritur ritmet elektronike që jo shpesh të jepet mundësia t’i dëgjosh. E fishekzjarrët që ngriheshin kur binte “beat-i” fillestar i masterizuar i secilit projekt të tij, i jepte gjallëri akoma më shumë grumbullit të të rinjve (Foto: Sunny Hill)

Janë prej atyre mbrëmjeve kur për pak çaste kujton se nuk duhet ta kesh një jetë përtej; mjafton zbavitja pa fund dhe dëfrimi e kërcimi deri në agun e mëngjesit. Këto ndjesi i ka përçuar edhe sivjet festivali “Sunny Hill” me edicionin e pestë. Tani në shtëpinë e re në Bërnicë të Poshtme, për të dytin vit me radhë ka kaluar nëpër shumë faza e zhanre të muzikës. Prej melodive të qeta, por të fuqishme gjatë ditës e deri te zhurmat ulëritëse pas mesnate, atje frymon jeta e rinisë

Prishtina e ditëve të nxehta të fillimgushtit ka kaluar nëpër një dimension tjetër përmes muzikës e haresë. Derisa ditën qendra e qytetit lëvizte ngadalë në zagushinë e madhe të verës e ajri i mbytur nga ndotja s’largohet, mbrëmja “të gjithë” i merrte me vete drejt periferisë, atje ku vapa e pluhuri bëheshin bashkë, e përmes tingujve plot gëzim, humbnin diku në kujtesë. Janë prej atyre mbrëmjeve kur për pak çaste kujton se nuk duhet të kesh një jetë përtej; mjafton zbavitja pa fund dhe dëfrimi e kërcimi deri në agun e mëngjesit.

Këto ndjesi i ka përçuar edhe sivjet festivali “Sunny Hill” me edicionin e pestë. Tani në shtëpinë e re në Bërnicë të Poshtme, për të dytin vit me radhë ka kaluar nëpër shumë faza e zhanre të muzikës. Prej melodive të qeta, por të fuqishme gjatë ditës e deri te zhurmat ulëritëse pas mesnate, atje frymon jeta e rinisë. Duke qenë prej festivaleve më të mëdha që organizohet në rajon, përveç kosovarëve të rinj, atë e vizitojnë edhe shumë të huaj nga plot vende të botës. Sipas organizatorëve, rreth 40 për qind e audiencës vjen nga jashtë.  Autobusët e veturat gëlonin rrugës për te destinacioni final, teksa të gjithë prisnin në radhë për të hyrë avash-avash te porta kryesore e festivalit. Tri ditë është përsëritur e njëjta rutinë.

Por, pavarësisht të gjitha sfidave gjatë rrugëtimit, kolonave të pafundme, ecjeve të gjata për t’i ngjitur kodrat, pluhurit të rrugicave e të nxehtit që s’durohet, gjithçka merr tjetër kah sapo kalohet pjesa e kontrollit. Ndihet shpirti i gjallë i rinisë, dekoret e festivalit bien menjëherë në sy e të rinjtë ecin pa ndalur, të gjithë drejt turmës së madhe para skenës gjigante, të vendosur në pjesën veriperëndimore të lokacionit gati 17-hektarësh që e zotëron festivali prej vitit të kaluar.

Artistët që janë përcaktuar në krye të secilës natë e përcjellin njëri-tjetrin, për të dhuruar secili spektakël para publikut. Spektakël edhe ishte. Muzika pop e ajo elektronike, që qartë dominojnë në botën perëndimore, e janë edhe më të pëlqyerat mes të rinjsh, janë sjellë për këto tri net në Bërnicë të Poshtme.

Dua Lipa – sinonimi i “Sunny Hill”

Dua Lipa është vetë sinonimi i “Sunny Hillit”. Prania e saj skenike në natën e parë ka dëshmuar edhe përkushtimin e familjes Lipa që janë themeltarë të festivalit. Performanca gati dyorëshe e saj është përçuar te secili i pranishëm në një formë të veçantë. Prej këngëve të ndjeshme, deri tek ato që janë “bops”, prej atyre që gjithmonë i këndon nëpër turne prej vitit 2016, e deri tek ato që janë pjesë të albumit “Radical Optimism”, të gjitha kanë një mision të përbashkët: të lënë një pikë të pashlyeshme në kujtesën e secilit që i dëgjon.

Pika kulmore kur e ka ftuar babanë e saj që në duet ta këndojnë këngën “Era” ka qenë jo vetëm një gjest i rëndomtë. Familja dhe prejardhja për Duan do të thonë shumë. Krejt në fund edhe i ka falënderuar.

“Çfarë mënyre magjike për ta përmbyllur këtë edicion të ‘Sunny Hillit’! Jam pa fund e emocionuar në përulësinë dhe dashurinë për familjen time të mrekullueshme dhe ekipet e jashtëzakonshme që kanë harxhuar mund për t’i bërë realitet këto net të paharrueshme”, ka shkruar Dua Lipa në rrjete sociale pasi festivalit i është vënë pika.

Ritmet emocionuese të artistit kanadez, Shawn Mendes, me tinguj e me zë të ndjeshëm, me një kitarë që e mbante në trup si për të dashur ta përçojë brendësinë e tij përmes saj. Këngët që plot të rinj i kanë të memorizuara kanë jehuar në natën e dytë. Edhe larg prapa turmës ndihej entuziazmi për të kërcyer e kënduar njëzëri. Në “Sunny Hill” për herë të parë vjen si i ftuar i Dua Lipës, të cilën nuk kishte se si të mos e falënderonte.

“Faleminderit që na keni ftuar. Është shumë bukur të jemi këtu për herë të parë”, ka thënë ai në skenë dhe publiku ka shpërthyer në duartrokitje e brohoritje.

Anyma e Peggy Gou të pandalshëm

Përmbyllëse ka qenë nata e tretë. “Beat-et” elektronike që kanë nisur të dielën ditën, e kanë përcjellë publikun deri në orët e mëngjesit. As era e shiu i natës nuk ua ka ndalur kërcimin e dëfrimin. Anyma vetëm me paraqitjet vizuale në ekranet gjigante të skenës kryesore dhe kombinimet e tyre me dritat skenike e ka depërtuar tufën e të pranishmëve, pa i llogaritur ritmet elektronike që jo shpesh të jepet mundësia t’i dëgjosh. E fishekzjarrët që ngriheshin kur binte “beat-i” fillestar i masterizuar i secilit projekt të tij i jepte gjallëri akoma më shumë grumbullit të të rinjve.

Edhe pas dy netësh kërcimi të pandalshëm, publiku nuk është lodhur. Me durim të matur e kanë pritur performancën e fundit të artistes jugkoreane Peggy Gou, e cila pa dyshim ka marrë me vete secilin prej të pranishmëve.

“Gjithçka ishte okej, tash jemi duke e pritë Peggy Gou-në për me vazhdu në pjesën tjetër, DJ ishin shumë të mirë, me shoqni, njerëz plot, pati edhe të huaj prej shteteve të tjera që kanë ardhur, gjithçka ishte okej”, ka thënë Mirjeta Zekaj, e cila ka qenë në pritje të jugkoreanes.

Përveç vendasve, festivalin e përcjellin edhe të huajt. Nuk mungojnë as mërgimtarët e rinj, që me padurim i presin ditët kur festivali organizohet. Nga shtetet perëndimore, që veçse e kanë privilegjin e të pasurit kësi lloj performancash në vendet ku jetojnë, plot kanë zgjedhur ta ndjekin “Sunny Hillin”.

“Neve personalisht na ka pëlqy dita e tretë, shumë mirë, se DJ e muzika internacionale, edhe jemi shumë të kënaqur. Krejt ditët kemi qenë kësajde, na kanë kënaqë, shumë performancë e mirë ka qenë prej Dua Lipës edhe e ka zgjatë, dy orë të mira edhe performancën të mirë e ka pasë shumë”, ka thënë Art Buzuku që ka ardhur nga Zürich i Zvicrës.

Nga publiku mysafir dukshëm kanë dominuar ata turq. Shumë prej tyre për herë të parë në Prishtinë dhe jo vetëm për arsye se një artist turk ka qenë pjesë e festivalit. Dua Lipa duket të jetë faktori kryesor, e po ashtu DJ-të e famshëm ua kanë shtuar kureshtjen.

“Po e presim Peggy Gou-në, jam nga Turqia. Sonte ishte një natë e mrekullueshme. Netët e kaluara po ashtu ishin të mahnitshme dhe tani po e presim performancën e fundit të mrekullueshme”, ka thënë Sena Ugur që vjen nga qyteti Gaziantep i Turqisë.

Edhe pas dy netësh kërcimi të pandalshëm, publiku nuk është lodhur. Me durim të matur e kanë pritur performancën e fundit të artistes jugkoreane Peggy Gou, e cila pa dyshim e ka marrë me vete secilin prej të pranishmëve (Foto: Sunny Hill)

“Sidomos sonte, ‘on top’”

Rinia e fiksuar pas muzikës elektronike, e ritmeve “deep house” e “tech house” që sjell Peggy Gou, ka qëndruar ulur në hapësirat e gjera të festivalit. Derisa ka filluar të performojë ajo, shumë prej tyre rrinin ulur mbi bar, në tufa të vogla, e plot të tjerë e mbanin gjallë skenën “C4” në vallëzim me ritmet e producentit Tommy Gold.

“Tepër mirë, shumë atmosfera e mirë, shumë performancat e mira. Sidomos sonte, ‘on top’. Peggy Gou është fantastike dhe po presim që të na fascinojë edhe sonte këtu”, ka thënë mitrovicasja Sihana Metrama.

Ali Mete, që ka ardhur nga Antalya e Turqisë ka qenë falënderues për organizimin e këtij festivali.

“Jemi shumë të lumtur, faleminderit organizatorëve të ‘Sunny Hill Festival’. Të gjithë njerëzit janë shumë të mirë e të shoqërueshëm dhe faleminderit Kosovë për gjithçka, jemi shumë të lumtur”, ka thënë ai.

Kosova kështu është futur në turnetë botërorë të artistëve të njohur, e Dua Lipa ka ngritur paralele mes të qenit njeri familjar dhe artiste shumëdimensionale. Për hir të këtij festivali, ajo edhe e ka zhvilluar turneun në Prishtinë për promovimin e albumit të vet.

Me gjithë pluhurin e trafikun e ngjeshur që shpesh ngjan kur një qytet relativisht i vogël si Prishtina stërngarkohet, sipas publikut, ia vlen çdo mundim e çdo qindarkë e shpenzuar për këto performanca. Me dhjetëra herë autobusët janë nisur drejt qendrës e janë rikthyer prapë në kodër për të mos e lënë asnjë “turist” në qiellin me shi. Ashtu plot, me dyert që vështirë u mbyllen, ata e kanë dhënë edhe mesazhin se deri në vitin tjetër, Prishtina do të jetojë me kujtimin e kësaj përvoje.