Kulturë

Luran Ahmeti – figura karizmatike e teatrit dhe filmit

Me një humbje që njëzëri u cilësua si e parakohshme, Teatri Shqiptar në Shkup dhe kinematografia shqiptare janë privuar nga një prej emrave më të spikatur gjatë viteve të fundit. Personazhi i dashur për publikun edhe në serialin “O sa mirë” dhe aktori në filma e seriale jashtë vendit, Luran Ahmeti, është ndarë nga jeta mbrëmjen e së enjtes në moshën 46-vjeçare

Interpretimet e tij të veçanta prej aktori e bënë të njihej edhe përtej publikut shqiptar. Me maksimën jetësore që të ndihet e të duhet profesioni i aktrimit, Luran Ahmeti ishte një nga emrat më të njohur të botës së artit teatror e kinematografik në Maqedoninë e Veriut.

Por të enjten mbrëma aktori i roleve të spikatura në filmat “Bal-Can-Can”, “Taken 2” e “Limonata”, është ndarë nga jeta në moshën 46-vjeçare.

I shtrirë prej kohësh në Klinikën Infektive në Shkup, Ahmeti ka humbur betejën me virusin COVID-19. Kumti i përzishëm është shpërndarë në rrjetet sociale nga miq të tij.

“Luran prehu në paqe! Veprat e tua nuk do të vdesin kurrë”, ka shkruar në llogarinë e tij politikani nga Shkupi, Muhamed Zeqiri.

I lindur më 1974, aktori Luran Ahmeti ishte pjesë e Teatrit Shqiptar në Shkup. Ndoqi studimet në Fakultetin e Arteve të Dramaturgjisë. Aftësitë e tij u sprovuan në shfaqje teatrore, seriale televizive e filma – shumë syresh edhe ndërkombëtarë.

Image
Luran Ahmeti në shfaqjen “Bregu i pikëllimit” me tekst të Teki Dervishit, nën regji të Altin Bashës, në Teatrin Shqiptar të Shkupit

Pesë ditë më parë, nga llogaria e tij në Facebook, Ahmeti kishte bërë të fundit shkrim.

Ai kishte shkruar se periudha në të cilën jetojmë shquhet nga snobizmi – termi pezhorativ për personin që beson se ka ndërlidhje mes statusit shoqëror dhe vlerës njerëzore.

I njohur për thumbat e tij kritikë në adresë të politikës shqiptare, ai së fundmi pati bërë thirrje që shqiptarët të merrnin pjesë masivisht në procesin e regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut.

Përfaqësues vlerash brenda dhe jashtë vendit

Për miqtë e tij nga bota e artit, lajmi i shuarjes së tij ka qenë i papritur; për dashamirët e vlerësuesit e tij, artit shqiptar iu shkëput një emër i dalluar.

Ndër ngushëllimet e para nga institucionet shtetërore ka qenë edhe ai i Ministrisë së Kulturës në Kosovë.

Në një telegram ngushëllimi, ministri i sapozgjedhur i Kulturës, Hajrulla Çeku, është shprehur i tronditur për ndarjen nga jeta të aktorit të njohur. Sipas tij, ikja e hershme e Ahmetit është dhimbje e madhe dhe humbje e pazëvendësueshme për familjen, miqtë dhe kolegët e Luranit dhe “lë një zbrazëti të madhe në artin dhe kulturën tonë shqiptare”.

“Skenës artistike teatrale e kinematografike do t’i mungojnë talenti dhe profesionalizmi i Luranit, i cili me dashurinë, përkushtimin dhe angazhimin e tij për lojën skenike arriti të depërtonte edhe në skenën ndërkombëtare. Lurani nuk e përfaqësoi vetëm veten e tij, por prezantoi edhe vlerat e artin shqiptar brenda hapësirave kombëtare dhe jashtë tyre”, thuhet në telegramin e ministrit Çeku, i cili u është nisur mediave në orët e vona të mbrëmjes të së enjtes.

Po nga Kosova ka reaguar edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili e ka cilësuar të trishtë lajmin e ndarjes së hershme nga jeta të aktorit Ahmeti.

“Ai la pas një bagazh të madh, të cilin do ta ruajmë me respektin më të madh! Ngushëllime për familjen dhe gjithë komunitetin e artistëve!”, ka shkruar Haradinaj në faqen e tij në Facebok.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, në një dedikim për aktorin e ndjerë, ka evokuar bisedën e fundit që kishte bërë me të.

“Të pyeta, si je sot? M’u përgjigje, më së keqi deri më sot! Të thashë mos u dorëzo, bën kurajë... Prehu në paqe Luran!”, ka shkruar Sela në faqen e tij në Facebook.

Duke e cilësuar si lajm të trishtë, kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, ka thënë se Lurani ngjiti majat e suksesit gjatë karrierës së tij.

“Humbëm një aktor të jashtëzakonshëm, një mendje kritike, një njeri të mirë mbi të gjitha”, ka shkruar kryetarja e Tetovës.

Edhe kryetari i Çairit, Visar Ganiu, ndërsa ka shprehur keqardhje për ndarjen nga jeta të Ahmetit, e ka quajtur atë si një nga emrat më të njohur të kinematografisë shqiptare.

“Veprimtaria e tij artistike ka lënë gjurmë të pashlyeshme dhe do të jetojë përgjithmonë në historinë e artit dramatik dhe kinematografisë sonë kombëtare”, ka thënë Ganiu.

Mik i jashtëzakonshëm, i hareshëm e besnik

Duke e lamentuar si një humbje të madhe për komunitetin teatror e filmik shqiptar, aktori Kushtrim Sheremeti ka thënë se lajmi për vdekjen e tij as nuk pritej e as nuk duhej.

“Lurani, përpos aktor e koleg i mirë, ishte edhe një mik i jashtëzakonshëm, i hareshëm dhe besnik”, ka thënë Sheremeti në një prononcim për KOHËN.

Regjisorja Burbuqe Berisha e ka përshkruar aktorin nga Shkupi si mik të mirë e profesionist të shkëlqyer.

“Ishte një aktor i përmasave botërore dhe vlerë e shtuar e popullit tonë si pasuri kombëtare”, ka thënë Berisha, në filmin e së cilës “Një tregim Prishtine” Ahmeti kishte pasur një nga rolet kryesore.

Duke evokuar bashkëpunimin nga ky film, ajo ka vlerësuar se Ahmeti ka bërë kreacion me rolet e tij në teatër dhe film.

“Jam e lumtur që pata fatin të kisha një bashkëpunëtor të shkëlqyeshëm në filmin tim”, ka shtuar Berisha.

Edhe regjisori tjetër, Erson Zymberi, ka thënë se vdekja e Ahmetit është humbje e një djali të jashtëzakonshëm, të urtë e të edukuar, si dhe një aktori e artisti të rrallë.

“Do ta kujtoj gjithmonë për karizmin dhe profesionalizmin e tij”, ka thënë Zymberi në një prononcim për gazetën.

Duke e përshkruar si kënaqësi punën në serialin “O sa mirë”, kolegu e aktori Shkëlzen Veseli ka thënë se Ahmetin e karakterizonte dashuria për profesionin dhe për kolegët.

“Ishte mbështetës si koleg e si familjar i mirë”, ka thënë Veseli.

Sipas tij, Ahmeti si aktor ishte shtyllë e Teatrit Shqiptar në Shkup dhe jo vetëm, “në çdo shfaqje që luajti ndërtoi personazhe që linin shenjë në kuptimin artistik”.

“Nëse prioritet e keni famën, atëherë kurrë nuk do të prosperoni”

Në karrierën e tij mbi njëzetvjeçare, filmi aksion i vitit 2012 “Taken 2”, nën regjinë e Olivier Megaton, shënon përfshirjen e tij në një nga projektet më të rëndësishme kineaste.

Image
Në karrierën e tij mbi njëzetvjeçare, filmi aksion i vitit 2012 “Taken 2”, nën regjinë e Olivier Megaton, shënon përfshirjen e tij në një nga projektet më të rëndësishme kineaste

Ahmeti ishte bërë po kaq i njohur për publikun në Turqi me përfshirjen e tij në serialin televiziv “Kurtlar Vadisi Pusu” (Lugina e ujqërve: prita).

“Fati e deshi që të filloja në këtë serial kur erdhi një produksion turk në Maqedoni”, kishte treguar Ahmeti në emisionin “Talk” të transmetuar në Kohavision më 24 qershor 2017. Bashkë edhe me aktorin tjetër shqiptar nga Shkupi, Ertan Shabani, Ahmeti interpretoi rolin e një personazhi negativ në këtë serial.

Në karrierën e tij të aktrimit përfshihen edhe role të tjera në seriale turke, si: “Elveda Rumeli” (2007-2009), “Bahar Dallari” (2009), “Balkan Düğünü” (2009), “Tek Başımıza” (2011), “Reis” (2011), “Karakol - Herkes Adalet İster” (2011), “Son Yaz-Balkanlar 1912” (2012) e “Mutlu Ol Yeter” (2015). Popullaritet më të madh para publikut turk i solli seriali televiziv për sulltanin pushtues Sylejmani I “Muhteşem Yüzyıl” (Shekulli magjepsës), ku interpretoi rolin e Hysrev pashës.

Image
Luran Ahmeti në rolin e Hysrev pashës në serialin televiziv për sulltanin pushtues Sylejmani I, “Muhteşem Yüzyıl” (Shekulli magjepsës)

Për Ahmetin, profesioni i aktorit kërkon një rehati të skajshme e që në “rrethanat ku jetojmë ne askush nuk e ka këtë rehati”.

Në emisionin e realizuar katër vjet më parë në Kohavision, aktori nga Maqedonia i kishte këshilluar të gjithë të rinjtë që mësynin aktrimin ta donin këtë profesion.

“Nëse prioritet e keni famën, atëherë kurrë nuk do të prosperoni”, kishte thënë ai.

Sipas Ahmetit, veçantia e këtij profesioni ishte “ndjenja momentale”.

“Ne duhet gjithmonë t’i jetojmë rrethanat e caktuara në një moment të caktuar”, kishte thënë ai.