Kulturë

Marigona Qerkezi – ylli në ngritje të përhershme

Marigona Qerkezi si Manon në operën “Manon Lescaut” nga Giacomo Puccini në “Teatro Petruzzelli” në Bari të Italisë, në shkurt të vitit 2025

Marigona Qerkezi si Manon në operën “Manon Lescaut” nga Giacomo Puccini në “Teatro Petruzzelli” në Bari të Italisë, në shkurt të vitit 2025

Kritika e çmon për aftësinë e saj për të përcjellë nota të larta e tone të forta, për teknikën perfekte, thellësinë emocionale e interpretimin mbresëlënës dramatik. Vlerësohet si yll në ngritje të përhershme. Dhe me të drejtë. 2025-a është veç edhe një vit suksesesh për sopranon Marigona Qerkezi. Kulmoi edhe në “Royal Opera House”, e në skena në të katër anët e botës

Ajo është vullkan në skenë. Roleve operistike ua vesh petkun e zërin e saj të fuqishëm, thellësinë emocionale e praninë e jashtëzakonshme në skenë. Teknika e përsosur e sopranos Marigona Qerkezi e gjen në skenë me vetëbesim absolut. Stoike. Çdo skenë, një kapitull i radhës i karrierës. Ka përjetuar magjinë e shtëpive më përrallore në botë. Ato për të cilat në Kosovë karriera e saj do të mbeste peng, por emrin e së cilës e merr kudo me vete. E, po aty ku zemra i rrah më fort, i dhuron publikut të saj emocione me mozaikun e veprave më të cilat ka kulmuar karriera e saj botërore.

Nëntë ditë prej paraqitjes së fundit të saj në shtëpinë prestigjioze operistike “Royal Opera House” në Londër, zbarkoi në Prishtinë. Në të parën ateroi si Leonora nga opera “Il Tovatore” e Verdit. Data shënjuese e karrierës së saj qe 9 korriku i 2025-s dhe tri prezantime të tjera. Një teatër opere e baleti me mbi dy mijë e dyqind ulëse, katër kate dhe përplot ballkone ku publiku mund të zërë vend. Aty ku ajo, me atë që është një lloj gjuhe operistike, përkulet, puth dorën e saj para se ta prekë skenën.

Është një lloj pjese e performancës. Te sopranoja Qerkezi është ritual i pashmangshëm. Vjen përherë pas përshëndetjes me publikun në fund të secilës shfaqje teksa vijojnë ovacionet e gjata për të. Sekuencë që e përshkroi edhe koncertin e saj në Prishtinë në kushte krejt të tjera.

Momente që nuk kanë çmim

Ajo gëzon respekt të madh në botën operistike, por nuk e veçon ndonjë audiencë të një vendi të caktuar.

“Kjo është pyetje së cilës vështirë i përgjigjem me vetëm një emër apo vend nga ato ku kam interpretuar këtë vit, por jam e rrethuar me dashuri nga publiku anembanë botës, dhe kjo më bën tejet të lumtur, e sidomos kur ato duartrokitje vijnë nga shqiptarët, të cilët vërtet janë çdokund dhe gëzohem kur i kam edhe në publik në vende të ndryshme në botë”, thotë sopranoja.

Marigona Qerkezi si Leonora në operën “Il Tovatore” të Verdit në “Royal Opera House” në Londër, korrik 2025

Në skenë modeste, në një skaj rruge a parkingu pranë Bibliotekës Kombëtare, larg imazhit të një skene ku kishte interpretuar nja dhjetë ditë para se të dilte para publikut në Prishtinë, aty jehoi kënga e saj gjithsesi. Në kushte shumë më të mira solli magjinë e saj në Tiranë, më 12 qershor.

“Gala koncerti im recital në Teatrin e Operës në Tiranë si dhe pastaj koncerti recital ‘Opera Night’ në ‘Rame Lahaj International Opera Festival’ ishin performanca të cilat do të mbesin të paharrueshme për mua. Të performoja për publikut tim, të merrja aq shumë dashuri dhe të shihja aq shumë fytyra të lumtura dhe të emocionuara, më rikthyen momente të mrekullueshme që nuk kanë çmim”, shprehet Qerkezi në një bisedë me KOHËN. Në Prishtinë, përmbylli edhe 2024-n në skenë tok me tenorin e njohur botëror, Saimir Pirgu.

Këto janë momentet kur pjesa dërrmuese e artdashësve të saj mund ta shijojnë këndimin e saj dhe përtej. Zëri i saj është hyjnor. Vetë ajo hyjneshë e këngës lirike. Elegante në paraqitje, zotëruese e skenës të cilën e komandon. Aty nuk bën kompromise. Është emocionale, dramatike, e brishtë, e pathyeshme.

Me art qysh në hapat e parë

Kritika e çmon për aftësinë e saj për të përcjellë nota të larta e tone të forta, për teknikën perfekte, thellësinë emocionale e interpretimin mbresëlënës dramatik. Vlerësohet si yll në ngritje të përhershme.

Ajo u lind dhe u rrit në Kroaci. Si fëmijë zgjodhi të zhvillojë karrierë në skenë. Në moshën gjashtëvjeçare për herë të parë performoi në Lubjanë.

“Unë pata fatin të lind në familje artistike dhe jam rrethuar dhe ‘ushqyer’ me artin qysh prej hapave të mi të parë. Nga koncerti im i parë si këngëtare gjashtëvjeçare në Lubjanë, nuk jam ndalur duke interpretuar në skenë”, shprehet sopranoja e vlerësuar në botën operistike.

Debutimi si këngëtare profesioniste erdhi për të në moshë shumë të re.

“Debutimi im operistik ndodhi në ‘Royal Opera House Muscat’ me rol shumë sfidues si ai i Königin der nacht’ dhe nga ai moment kam interpretuar role kryesore në skena të rëndësishme në mbarë botën, dhe ky udhëtim i nisur me sukses po vazhdon edhe më fuqishëm dita-ditës. Jam shumë mirënjohëse për çdo gjë që kam arritur dhe për të cilat vazhdoj të punoj edhe më fort”, shprehet Qerkezi.

Qe viti 2015 kur ajo luajti si “Mbretëresha e Natës” në shtëpinë operistike në Oman me operën “Die Zauberflöte” nga Mozart. Në Teatrin Kombëtar të Operës në Tiranë luajti si Kontesha Almavina nga “Le nozze di Figaro”, po ashtu vepër e Mozartit.

Studimet në nivelin master i përfundoi në Prishtinë për flaut dhe këndim operistik. Pos kësaj, ajo ka një diplomë bachelor edhe për administrim biznesi nga “Staffordshire University” në Mbretërinë e Bashkuar.

Marigona Qerkezi në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, 12 qershor 2025

Gjurmëve të së ëmës që shpërtheu e para

Ka interpretuar në katër anët e botës. Foletë e karrierës së saj janë krejt kontrasti me vendin prej nga vjen. Për të, nuk është aspak e lehtë të vish nga një vend ku niveli i operës, siç e thotë ajo me tonin e saj të butë, është tejet modest.

“Këtë vështirësi e ka pasur edhe më të theksuar nëna ime në kohën e saj, por megjithatë ajo ia doli ta vendosë Kosovën në hartën e shumë teatrove evropiane si këngëtarja e parë operistike nga Kosova me veprimtari ndërkombëtare. Unë po e vazhdoj rrugën e saj dhe, në shumë prej skenave ku kam interpretuar, kam qenë artistja e parë nga Kosova në historinë e atyre institucioneve. Kjo më bën jashtëzakonisht të lumtur dhe krenare”, shprehet sopranoja Qerkezi.

Nëna e saj, mexosopranoja Merita Juniku, po ashtu ka zhvilluar karrierë ndërkombëtare. Për sopranon Qerkezi, ajo ka qenë roli model për profilin e saj profesional.

“Ajo është merita kryesore për atë që jam sot, si person dhe si artiste. Edhe pse fillimisht ka tentuar të ma ndryshojë mendjen për profesionin – thjesht duke e ditur nga përvoja e saj se sa e vështirë dhe plot sakrifica është kjo rrugë. Por duke e parë dashurinë time për këtë art, dhe vendosmërinë time, ajo më ka formuar me përkushtim dhe ekspertizë që nga fëmijëria, duke më udhëzuar dhe duke investuar pafund në mua”, shprehet ajo.

Derisa ajo është rritur e rrethuar me këngën lirike të nënës së saj, tash kjo e fundit magjepset me zërin e së bijës. E dashuria dhe arti i familjes e kanë shoqëruar edhe në skenë, me veshjet nga babai i saj.

“Familja ime ka dhënë gjithçka që unë të ndjek ëndrrën time. Shumë prej fustaneve koncertale i kam pasur kreacione të babait tim, i cili ishte pjesë e repartit të kostumeve në Teatrin Kombëtar Slloven në Lubjanë. Ndërsa edhe sot, çdo vepër vazhdoj ta studioj me mamin. Ajo është e pranishme në shumë prej performancave të mia nëpër botë bashkë me motrën time, dhe për mua përfaqësojnë një shtytje dhe forcë jashtëzakonisht të madhe”, tregon sopranoja Qerkezi.

Zëri i Kosovës në të katër anët e botës

Mjeshtëria, dashuria e përkushtimi i saj, pos nëpërmjet kritikave pozitive është përkthyer edhe në çmime të shumta ndërkombëtare. Ajo është vlerësuar me çmimin e parë në Konkursin e Operës Leyla Gencer dhe një çmim special nga ‘Accademia Teatro alla Scala’, çmimin e parë në konkursin ndërkombëtar “Magda Olivero”, ka fituar në garën e 66-të ndërkombëtare për këngëtarë të rinj operistikë “AsLiCo” e çmimin special “Best under 25” në “Portofino International Opera Competition”.

Revista prestigjioze dedikuar operës “OperaWire” e renditi emrin e saj në mesin e top-dhjetë yjeve në ngritje për vitin 2023. Dëshmi për profesionalizëm në skenë ka qenë edhe nominimi për Këngëtaren më të Mirë të Re nga “The International Opera Awards”, vitin e kaluar.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Spanja, Anglia, Italia, Zvicra, Polonia, Belgjika, Franca, Finlanda janë veç disa nga vendet ku ka aterruar sopranoja e shquar. Në shtator të vitit të kaluar, në “Dubai Opera” ka qenë kryesorja e kastës së operës “Aida” të Verdit e në po të njëjtën periudhë debutoi në “Theatro Municipal de Sao Paulo” si Abigeila nga “Nabucco” e Verdit. Me të njëjtin rol pati debutuar në festivalin njëshekullor “Savonlinna Opera Festival” në Finlandë.

Në të gjitha këto vende, Kosova është prezantuar tok me emrin e saj.

“Përveç kësaj, kam interpretuar dhe vazhdoj të interpretoj edhe në vende ku Kosova ende nuk njihet – si për shembull: Rusia, Spanja, Brazili etj. – por përmes performancave të mia, emri i Kosovës prezantohet fuqishëm bashkë me mua. Këto raste i përmend edhe si shtytje e motivim për gjeneratat e ardhshme“, thekson sopranoja Qerkezi.

Ajo njihet për zërin e saj të fuqishëm dhe të butë dhe repertorin e gjerë. Zëri i saj ka koloraturë të shkëlqyer. Çmohet për rolet e saj komplekse si Elvira, Macbeth e Norma. Kritika e konsideron si një prej figurave kryesore në produksione të mëdha operistike.

Marigona Qerkezi si Lady Macbeth në operën “Macbeth” të Verdit në “Theatro Municipal de Sao Paulo”, Brazil, 31 tetor 2025

2025-a që kulmoi edhe me “Royal Opera House”

Këtë vit, që në janar ka nisur serinë e debutimeve. Fillimisht me operën “Manon Lescaut” nga Giacomo Puccini në “Teatro Petruzzelli” e më pas edhe me operën “Tosca” në Operën Mbretërore Daneze. Më tej në Operën e Frankfurtit dhe mbase kulmi i suksesit të vitit 2025, ai në “Royal Opera House” më 9 korrik dhe me paraqitje të tjera më datat 12, 16 e 19.

“Nuk mund të mos e përmend debutimin tim në ‘Royal Opera House’ në Londër me Leonora te ‘Il Trovatore’ (Verdi), performancën ‘jump in’ në ‘Deutsche Oper Berlin’ si Aida (Verdi) të cilën e riktheva pas performancave në Operën Shtetërore Polake në Varshavë, në ‘Opera de a Coruña’ dhe ‘Dubai Opera’, isha Norma (Bellini) pas debutimit në ‘Florida Palm Beach Opera ‘edhe në Oper Frankfurt dhe Prague State Opera, debutimi i Lady Macbeth në Macbeth (Verdi) në ‘Theatro Municipal de Sao Paulo’ ku u riktheva pas ‘Nabuccos’ së vitit që shkoi, e plot performanca tjera”, shprehet Qerkezi teksa liston një numër të vogël aktivitetesh të këtij viti.

Shprehet se sa herë i kthen këto kujtime, me to vijnë edhe emocionet e njëjta të paraqitjes së parë në ato skena. Edhe ai në Operën Mbretërore në Londër, një prej momenteve më të bukurave dhe më të veçanta të karrierës së sopranos deri më tash.

“’Royal Opera House’ është në top-teatrot më të rëndësishme dhe prestigjioze në mbarë botën. Është nder dhe krenari e veçantë të kem interpretuar në atë skenë, e sidomos një rol aq të rëndësishëm dhe me shumë kërkesa interpretative siç është Leonora nga ‘Il Trovatore’. Këtë rol e kam interpretuar edhe në skena të ndryshme si për shembull në Festivalin prestigjioz Verdian në Parma dhe në Teatrin e Operës në Zagreb, dhe e riktheva në skenë në Covent Garden pas disa vjetësh. Çdo shfaqje në Londër ka shkuar me shumë sukses dhe kam gjetur pritje të jashtëzakonshme të publikut dhe kritikës”, shprehet sopranoja.

Për të, suksesi i këtij viti, mbetet rritja e vazhdueshme profesionale e besimi nga shtëpitë operistike.

“Unë vazhdoj të studioj dhe të punoj me shumë intensitet, dhe çdo rezultat më motivon edhe më shumë. Po e përmbyll një vit jashtëzakonisht të pasur, me shumë projekte dhe përvoja të paharrueshme artistike. Për mua, suksesi më i madh mbetet rritja e vazhdueshme profesionale dhe besimi që më japin shtëpitë prestigjioze operistike për interpretimin e roleve madhështore dhe sfiduese të repertorit operistik”, konsideron Marigona Qerkezi.

Marigona Qerkezi në “Rame Lahaj International Opera Festival” në Prishtinë, më 28 korrik 2025

Ajo luan mahnitshëm edhe në flaut.

“Flauti është instrumenti im i zemrës dhe qysh prej fillimit te shkollimit tim në Zagreb, e kam pasur pjesë të jetës sime. Kam bërë edhe performancë unike që është vlerësuar në top-performancat e atij viti, në operën ‘Il Viaggio a Reims’ ku veç rolit operistik të Madama Cortese (të cilin e kam interpretuar ndër tjera edhe në ‘Gran Teatre del Liceu’ në Barcelone dhe ‘Rossini Opera Festival Pesaro’) kam interpretuar në skenë pjesën solistike si solo-flautiste. Kjo performancë e imja e dyfishtë është vlerësuar tejet lartë nga kritika operistike. Është një eksperiencë e veçantë që rrallëherë ndodh”, shprehet sopranoja e skenave botërore të operës.

Sopranoja Marigona Qerkezi shkrihet në role operash duke ekzekutuar çdo pasazh opere me empatinë e jashtëzakonshme muzikore. 2025-a është vetëm edhe një vit suksesesh për yllin në ngritje të përhershme.