Individë të komunitetit artistik në mënyrë direkte a indirekte janë bërë pjesë e fushatës zgjedhore të Përparim Ramës, që synon edhe një mandat si kryetar i Prishtinës. Së paku dy marrëveshje janë lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë, pa pasur ndonjë thirrje publike. Sislej Xhafa, artist me nam ndërkombëtar, është marrë vesh me kryetarin Rama për realizimin e një projekti në bashkëpunim me Komunën. Po ashtu marrëveshja tjetër ka të bëjë me dhënien në shfrytëzim të një hapësire organizatës “Artpolis”. Përderisa artistët mohojnë anën politike, marrëveshjet si këto kanë zënë vend në postimet e Ramës në kuadër të fushatës
Në kulmin e fushatës elektorale kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka zgjedhur të nënshkruajë e të bëjë publike marrëveshje me artistë e organizata kulturore. Duke nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi ose duke bërë video promovuese të implementimit të marrëveshjeve të nënshkruara këtë vit, Rama ka përdorur për fushatë elektorale edhe një pjesë të komunitetit artistik.
Individë të këtij komuniteti në mënyrë direkte a indirekte janë bërë pjesë e fushatës së Ramës.
Sislej Xhafa, artist me nam ndërkombëtar, është marrë vesh me kryetarin Rama për realizimin e një projekti në bashkëpunim me Komunën. Kurse nëpërmjet dy videove promovuese është marrë vesh se Komuna ia ka dhënë në shfrytëzim një hapësirë organizatës “Artpolis” që udhëhiqet nga regjisorja Zana Hoxha.
Që të dyja marrëveshjet janë lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë, pa pasur ndonjë thirrje publike.
Njoftimi për nënshkrimin e marrëveshjes me Sislej Xhafën është bërë nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, njëherësh kandidatët edhe për një mandat në zgjedhjet e kësaj të diele.
“Sislej Xhafa, artist i nivelit botëror, po vjen në kryeqytet për të sjellë jo vetëm përvojën e tij, por edhe atë të personaliteteve të shquara të artit, kulinarisë dhe agroturizmit. Po rikthejmë dëshirën që figurat e shquara të këtij vendi të kthehen dhe të sjellin këtu përvojën ndërkombëtare e kjo shkon përtej çdo pritshmërie...”, ka njoftuar ai më 27 shtator.
“Ky është vizioni ynë. Që Prishtina të zhvillohet në të gjitha dimensionet dhe jo të bllokohet. Sislej, faleminderit shumë që pranove me ardhë, me kriju mundësi për të rinjtë e kryeqytetit edhe me nda përvojën tënde të çmuar”, ka shkuar Rama në rrjete sociale.
Artisti Sislej Xhafa, i cili jeton në New York, i njohur ndërkombëtarisht për provokimet e tij nëpërmjet artit bashkëkohor, ka treguar se në qendër të marrëveshjes është projekti “Lifti horizontal drejt kozmosit”, një hapësirë arti dhe jete që synon të bashkojë krijimtarinë, bujqësinë, gastronominë dhe filozofinë në një përvojë të përbashkët transformimi.
“Studioja është menduar si një vepër arti e gjallë, e vendosur në një ndërtesë ose shkollë të braktisur në një fshat afër Prishtinës, por e hapur drejt horizonteve të pakufizuara. Ajo shtrihet horizontalisht në fusha dhe dhoma, ndërsa çdo hap brenda saj bëhet një ngjitje vertikale e mendjes, një udhëtim drejt imagjinatës dhe të panjohurës”, ka thënë Xhafa. Sipas tij, nuk bëhet fjalë për muze apo institucion të zakonshëm, por për një organizëm në lëvizje, ku arti nuk ruhet, por ndodh.
“Studioja qëndron mbi idenë se të ekzistosh do të thotë të rezistosh. Rezistenca këtu nuk është protestë e zhurmshme, por kujdes i përditshëm: Kreativiteti si kapërcim i realiteteve të dhëna dhe shpikje e mundësive të reja; ushqimi si kujtesë, përkatësi dhe gjest komunitar që ushqen trupin dhe idetë; Arti si çmenduri dhe shqetësim që trazon, refuzon heshtjen dhe e shndërron jetën e përditshme në një formë unike ekzistenciale”, ka thënë ai. Ka sqaruar se çdo hapësirë brenda ndërtesës dhe fushave përreth është një “kat” unik i këtij udhëtimi. Ka treguar se “katet” përfshinë rezidenca dhe hapësirat e jetesës, ku artistët, bujqit dhe mendimtarët ndajnë jetën e përditshme, duke anuluar kufirin mes krijimit dhe ekzistencës, fushat e bujqësisë, që ofrojnë ushqim dhe dije, duke bashkuar traditën me inovacionin ekologjik e hapësirat e ekspozitave, performancës dhe laboratori i gastronomisë, ku gjesti, tingulli dhe gatimi kthehen në gjuhë arti dhe rituale kujtese. Po ashtu sipas përshkrimit të tij në përbërje të veprës do të jenë edhe dhoma e pulsit, një agora ose shesh i hapur ku trajtohen krizat ekologjike, padrejtësitë shoqërore dhe sfidat politike përmes dialogut dhe veprimit bashkë me arkivin dhe bibliotekën e filozofisë, që ruajnë kujtesën jo si muze, por si burim riaktivizues të ideve dhe imagjinatës.
“Projekti synon të krijojë një ekosistem të përhershëm ku komuniteti lokal dhe vizitorët takohen e ndajnë dije, kultivojnë tokën dhe imagjinatën. Kjo nuk është një studio-monument që mbyllet në vetvete, por një pyetje e hapur që rritet përmes takimeve dhe reziston përmes lëvizjes. ‘Lifti Horizontal’ nuk ka destinacion të paracaktuar — ai është një udhëtim i përhershëm drejt kozmosit të ideve”, ka thënë Xhafa.
KOHA ka kërkuar nga Xhafa një kopje të marrëveshjes me Komunën, por sipas tij, ajo duhet kërkuar në Komunë. Ai ka sqaruar se origjina e projektit nuk erdhi nga një thirrje publike, por nga një propozim i drejtpërdrejtë.
“Mund ta quash një vallëzim të heshtur mes frymëzimit dhe rastësisë, ku të dyja u takuan pa megafona, por me nevojën për të ekzistuar”, ka thënë ai. Sa i përket kohës së nënshkrimit të marrëveshjes, sipas tij, arti nuk është poster.
“Sa për hijen e fushatës, e di se çdo nënshkrim në kohë zgjedhjesh mund të shndërrohet në poster. Por arti nuk është poster. Është si uji i maleve – rrjedh përtej posterëve dhe nuk njeh flamur tjetër veç atij të çmendurisë. Kushdo që përpiqet ta përdorë politikisht, përfundon duke marrë vetëm një pasqyrim të zbehtë në sipërfaqe”, ka thënë ai. Në këtë rast ka shtuar se fuqia e artit nuk ka komoditetin e mentalitetit që do të stereotipizojë artistin. “Një artist nuk është figurë për katalog politik apo kulturor. Shabllonet janë për formularë, jo për krijim. Të reduktosh fuqinë e artit është të mohosh ekzistencën, thellësinë dhe vizionin e tij. Arti nuk shërben për të konfirmuar, ai lind për të shqetësuar, për të hapur rrugë të reja mendimi”, ka thënë ai.

Xhafa është njëkohësisht themelues i institutit “Arkiv” në Pejë, një projekt ambicioz që aktualisht funksionon me ekspozita të artistëve vendorë e të huaj. Sa i përket lidhjes së projektit të ri me institutin “Arkiv”, ka thënë se ajo është si rrënjët dhe degët e një peme.
“Të dyja ushqehen nga e njëjta tokë, por secila degë merr drejtimin e vet dhe formon hapësirën e saj. Kanë qëndrim, por jo varësi”, ka thënë ai. Sipas tij, skena e artit nuk është politikë por poezi.
“Për fund, skena e artit shpesh duket si politikë, por në thelb është poezi. Dhe ndryshe nga politika, poezia nuk ka nevojë për fushatë”, ka thënë ai.
Dy ditë pas publikimit të marrëveshjes me Xhafën, kryetari Rama është paraqitur në një video me regjisoren Zana Hoxha. Ka thënë të jenë te “Stacioni i kulturës”, ngjitur me Stacionin e Trenave. E një ditë më pas me një tjetër video promovuese është treguar se aty po fillojnë punimet transformuese.
KOHA ka kërkuar nga organizata “Arpolis” marrëveshjen e nënshkruar me Komunën dhe kjo organizatë e ka ofruar atë bashkë me çdo sqarim të kërkuar.
Sipas marrëveshjes së nënshkruar në mars të këtij viti, kryeqyteti zotohet se do të lejojë zhvillimin e aktiviteteve në hapësirë me sipërfaqe prej 6 mijë e 93 metrash katrorë. Marrëveshja është njëvjeçare me mundësi vazhdimi. Bazuar në këtë dokument, organizata “Arpolis” në “Stacionin kulturor të Prishtinës” do të zhvillojë aktivitet të skenës teatrore, festivale, mbrëmje kulturore, kënd të fëmijëve me bibliotekë e hapësira të përbashkëta duke nxitur industrinë kreative. Investimi do të bëhet nga “Artpolis”.
Themeluesja e drejtuesja e organizatës, Zana Hoxha, ka treguar se procesi nuk ka kaluar përmes një thirrjeje publike, por ka ardhur si rezultat i kërkesave të tyre të vazhdueshme që nga viti 2015 për krijimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e aktiviteteve kulturore në hapësirat publike. Sipas saj, janë kërkesa që fatkeqësisht nuk janë marrë parasysh deri atëherë.
“Pas identifikimit të hapësirës tek Stacioni i Trenit, ia kemi adresuar Komunës së Prishtinës një kërkesë të detajuar për krijimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e aktiviteteve kulturore – si shfaqje, diskutime, punë me të rinj e fëmijë dhe festivalin ‘FemArt’ – e cila është shqyrtuar pozitivisht dhe është përmbyllur me marrëveshje”, ka thënë ajo. Ka përshkruar aktivitet të cilat përmenden edhe në marrëveshje e po ashtu ka treguar për koston e investimit.
“Kostoja e përllogaritur për rregullimin dhe revitalizimin e objektit është rreth 200 mijë euro , e cila do të mbulohet nga ‘Artpolis’ përmes donatorëve tanë ndërkombëtarë dhe vendorë. Përmes Stacionit Kulturor, ne synojmë jo vetëm të krijojmë një qendër dinamike kulturore, por edhe të gjenerojmë punësim për artistë dhe staf mbështetës, me fokus në gratë dhe grupet e margjinalizuara, përfshirë personat me aftësi të kufizuara”, ka thënë Hoxha.
Sa i përket kohës së fushatës zgjedhore, sipas saj, punimet në hapësirë kanë nisur rishtazi dhe po zhvillohen me dizajnin dhe mbikëqyrjen profesionale të “Maden Group”.
“Kryetari Rama është ftuar të shohë nga afër projektin, vizionin dhe ndërhyrjet e propozuara për zhvillimin e qëndrueshëm të objektit. Përveç mbështetjes institucionale, ai ka ndarë edhe ekspertizën e tij si arkitekt për të ndihmuar në realizimin e këtij vizioni. Ne si organizatë kemi qenë të kujdesshëm që ky proces të jetë transparent dhe i fokusuar në krijimin e një hapësire për komunitetin artistik e qytetar, pa implikime politike”, ka thënë ajo.
KOHA ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës që bazuar në Ligjin mbi qasjen në dokumente publike të ketë qasje në të dyja marrëveshjet. Për një javë Komuna nuk ka kthyer kurrfarë përgjigje. KOHA për këtë temë ka kontaktuar me drejtoreshën e Drejtorisë së Kulturës, Sibel Halimi. Ajo ka kërkuar që të komunikohet me kabinetin e kryetarit Rama. E, kryetari Rama nuk është përgjigjur në lidhje me këtë çështje.