Ministria e Kulturës dhe e Turizmit tashmë e ka hapur thirrjen për propozime për anëtarë të Këshillit Kombëtar të Arteve, një organ që me letra do të ketë goxha peshë. Realisht, ky Këshill do t’i “rrëzojë” të gjithë ata që janë këshilla drejtues të institucioneve të artit dhe kulturës. Këshilli Kombëtar i Arteve do të ketë përgjegjësi të konsiderueshme në raport me institucionet qendrore të kulturës. Për dikë, një organi të ri si ky, po i jepen goxha detyra e përgjegjësi qysh në fillim përderisa do t’i duhet kohë të “ambientohet” ndërkohë që vonesat tashmë janë evidente
Shumica e institucioneve qendrore të kulturës udhëhiqen nga ushtruesit e detyrës së drejtorit. Primatin e mban Galeria Kombëtare e Kosovës, që në gusht mbush 6 vjet me ushtrues detyre. Shpesh, arsyetim për këtë gjendje ka qenë reforma shtetërore në art e kulturë. Megjithëse Ligji për Artin dhe Kulturën – nëpërmjet të cilit është shfuqizuar legjislacioni paraprak me të cilin qeveriseshin dhe funksiononin institucionet kulturore, ka hyrë në fuqi qysh në janar të vitit 2024 – Ministria e Kulturës ende s’ia ka dalë ta implementojë atë.
Aktet nënligjore, bazuar në këtë ligj, duhej të nxirreshin një vit pas miratimit, por Ministria s’ia ka dalë ta bëjë këtë. Në janarin e sivjetmë është publikuar në Gazetën Zyrtare Rregullorja për Organizimin dhe Funksionimin e Këshillit Kombëtar të Arteve, e miratuar në Qeveri në ditën e fundit të vitit 2025. E të mërkurën e javës së kaluar, Ministria e Kulturës dhe e Turizmit ka bërë ftesë publike për nominimin e anëtarëve në Këshillin Kombëtar të Arteve.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoRealisht, ky Këshill do t’i “rrëzojë” të gjithë ata që janë këshilla drejtues të institucioneve të artit dhe kulturës. Këshilli Kombëtar i Arteve do të ketë përgjegjësi të konsiderueshme në raport me institucionet qendrore të kulturës.
Sipas ftesës publike dhe vetë Rregullores që përcakton përbërjen dhe detyrat e Këshillit, ky grupim është organ këshillëdhënës, përzgjedhës dhe mbikëqyrës, i cili emërohet dhe shkarkohet nga Qeveria e Kosovës, me propozimin e ministres së Kulturës dhe Turizmit. Pas emërimit, Këshilli ka raport pune me Ministrinë e Kulturës dhe mbikëqyret nga ministrja, së cilës i raporton si nivel i parë për punën sipas përgjegjësive dhe detyrave të tij.
“Qeverisë së Republikës së Kosovës, Këshilli i raporton një herë në vit në formë të shkruar, apo sipas kërkesës, edhe në formë të takimit fizik. Mandati i anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Arteve është pesë (5) vjet nga dita e emërimit. Këshilli përbëhet nga njëmbëdhjetë (11) anëtarë”, shkruhet në ftesën publike për nominime. Nominimet për anëtarë të Këshillit bëhen nga institucionet e artit dhe kulturës; institucionet akademike, arsimore e shkencore; organizatat joqeveritare të fushës së artit dhe kulturës; si dhe organizmat e tjerë relevantë të artit dhe kulturës dhe të fushave të ndërlidhura me kulturën.
Sipas ftesës për nominime, e po ashtu sipas Rregullores, Këshilli do të përbëhet nga një përfaqësues nga fusha e arteve pamore, një nga fusha e muzikës klasike dhe operës, një nga teatri, për të vazhduar me përfaqësues të filmit, letërsisë e librit, këngëve dhe valleve folklorike, baletit e vallëzimit modern, institucioneve akademike e kërkimore në fushën e artit dhe kulturës, sektorit të pavarur kulturor, dizajnit e arkitekturës, si dhe një përfaqësues i administratës nga Ministria e Kulturës. Në thirrjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit bëhet e ditur se Këshilli analizon, rekomandon dhe jep sugjerime për krijimin e politikës kulturore, propozon zhvillimin dhe përmirësimin e veprimtarive kulturore, shqyrton dhe jep rekomandime për strategjinë e zhvillimit kulturor, jep sugjerime dhe propozime për rregullimin e çështjeve të tjera të fushës së kulturës, si dhe për bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ndërkombëtar.
“Udhëheq procedurën për rekrutimin e drejtorëve të institucioneve publike të artit dhe kulturës në nivel qendror; i propozon ministrit emrat e kandidatëve të kualifikuar për drejtorë të institucioneve publike qendrore të artit dhe kulturës; monitoron punën e institucioneve publike qendrore të artit dhe kulturës dhe harton raporte tremujore dhe vjetore; bazuar në vlerësimin e performancës së drejtorëve mund të iniciojë procedurën për shkarkimin e tyre; përcjell punën e institucioneve publike lokale të artit dhe kulturës dhe, bazuar në performancën e tyre, programet vjetore, projektet specifike, si dhe lartësinë e financimit nga komunat përkatëse, rekomandon nivelet e financimit për institucionet lokale të artit dhe kulturës nga buxheti i Ministrisë së Kulturës”, shkruhet në thirrje.
Po sipas thirrjes dhe Rregullores, përcaktohet se Këshilli harton plane veprimi bazuar në politikat kulturore të Qeverisë, i propozon ministres emrat për juritë profesionale për ndarjen e çmimeve në fushat përkatëse të artit dhe kulturës, harton plane dhe analiza mbi bazën e të cilave përgatit rekomandime për ministren në lidhje me politikat kulturore, financimin e institucioneve ose fushave specifike të artit dhe kulturës, si dhe ndarjen e çmimeve në fusha të ndryshme të kulturës.
Sipas thirrjes, anëtari i nominuar për Këshillin Kombëtar të Arteve duhet të posedojë ekspertizë dhe përvojë të dëshmuar në fushën e artit dhe kulturës, të ketë pasur përfshirje aktive në zhvillimin e politikave kulturore ose në realizimin e projekteve dhe programeve artistike e kulturore, si dhe të ketë dhënë kontribut në avancimin e artit dhe kulturës në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
“Të gëzojë reputacion dhe integritet në komunitetin e artit dhe kulturës, të ketë të përfunduara studimet e larta në njërën nga fushat e artit dhe kulturës ose në fushat e ndërlidhura me kulturën. Fushat e ndërlidhura me artin dhe kulturën përfshijnë, por nuk kufizohen në histori arti, sociologji të artit, studime ndërdisiplinare kulturore, menaxhim të kulturës, politika publike kulturore, filozofi, arkitekturë etj.; të ketë përvojë pune në sektorin e kulturës prej të paktën pesë (5) vjetësh. Një institucion ka të drejtë të nominojë deri në 3 persona, të ndarë në 3 profile të ndryshme”, shkruhet në thirrjen, e cila vazhdon të jetë e hapur deri më 13 maj.
Dramaturgu e drejtuesi i qendrës “Multimedia”, Jeton Neziraj, ka thënë se e kupton që pothuajse të gjitha proceset kulturore në vend, siç është, për shembull, zgjedhja e drejtorëve të institucioneve e hapja e thirrjeve për mbështetje financiare, kanë stagnuar, në pritje të funksionalizimit të Këshillit Kombëtar të Arteve.
“Dhe kjo është jashtëzakonisht problematike për disa arsye: Këshillit do t’i duhet kohë, së paku gjashtë muaj, që të mësohet të navigojë brenda kompetencave dhe autorizimeve dhe që të nisë të bëjë punë”, ka thënë ai. Sipas Nezirajt, po aq problematike do të jetë edhe natyra, formati dhe rezultatet e këtij Këshilli, që siç dihet, nis së operuari për herë të parë në vendin tonë.
“Kam përshtypjen që këtij këshilli në ardhje po i vihet një peshë e madhe përgjegjësie, pritjet janë të mëdha, sikur të kishim të bënim me magjistar, por realiteti di të na befasojë. Prandaj e shoh problematike që shumë procese kanë ngelur peng në pritje të themelimit të këtij Këshilli. Përndryshe, vonesat janë bërë emri i dytë i Ministrisë së Kulturës”, ka thënë ai.
Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, ka thënë se ky Këshill është organ këshillëdhënës, përzgjedhës dhe mbikëqyrës, me rol tejet të rëndësishëm në zhvillimin e politikave kulturore, avancimin e veprimtarive artistike dhe mbështetjen e institucioneve të kulturës në vend.
“Ftoj institucionet e artit dhe kulturës, institucionet akademike, organizatat dhe akterët relevantë që të propozojnë kandidatë”, kishte shkruar ajo në rrjete sociale në ditën e hapjes së thirrjes.
Sipas Rregullores për punën e Këshillit, kompensimi i anëtarëve bëhet çdo dy muaj kalendarikë dhe është i barasvlershëm me vlerën e koeficientit të pagës së zyrtarit kryesor administrativ, të përcaktuar me legjislacionin në fuqi. Prej punëve të para që e pret Këshillin është propozimi te ministrja e Kulturës i emrave për juritë profesionale për ndarjen e çmimeve në fushat përkatëse të artit dhe kulturës. E më pas, procesi i konkurseve për zgjedhjen e kandidatëve për drejtor të Galerisë Kombëtare të Kosovës, Filharmonisë së Kosovës, Baletit Kombëtar të Kosovës, ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” dhe Teatrit Kombëtar të Kosovës.