Kulturë

Mjeshtëria e Mendi Mengjiqit jehon në Kosovë me veprat e nivelit botëror

mendi

Dy vepra të mjeshtrit Mendi Mengjiqi, autor i Himnit të Kosovës, kanë qenë nismëtare të sezonit të ri të Filharmonisë së Kosovës, kapitulli i ri në historinë e institucionit, i cili këtë vit po feston çerekshekullin (Foto: Arben Llapashtica)

“Çdo notë, një rrëfim”, është motoja tashmë e njohur e Filharmonisë së Kosovës, që e shoqëron edhe në shënimin e çerekshekullit, por krijimtaria e Mendi Mengjiqit është një rrëfim më vete. Mjeshtëria e tij është zbërthyer nëpërmjet veprës “Homagium: Matri Teresiae”, e interpretuar premierë ballkanike në koncertin tok me Operën e Kosovës nën dirigjimin e Wojciech Czepiel, sikurse edhe me “Symphonic Pain”. Për këto vepra dhe të tjera të Mengjiqit, ai ka thënë se janë brilante, e krijimtaria e tij meriton të promovohet dhe të luhet në të gjithë botën

Ishin vitet ’90 kur një nga figurat qendrore të tanishme të muzikës klasike në vend do të ndiqte studimet e doktoratës në Akademinë e Muzikës në Krakow të Polonisë. Në klasën e mjeshtrit polak, Krzysztof Penderecki, do të diplomonte e bileta për këtë sukses do të ishte vepra “Homagium: Matri Teresiae” – i pari dhe i vetmi oratorium nga një kompozitor shqiptar. Premierën botërore do ta kishte në vitin 1999, nën dirigjimin e polakut Wojciech Czepiel. 

Nën kujdesin e tij, vepra është sjellë për të parën herë në Prishtinë duke zbërthyer vargjet e meloditë e veprës, tok me ato të veprës “Symphonic Pain”. 

Dy vepra të mjeshtrit Mendi Mengjiqi, autor i Himnit të Kosovës, kanë qenë nismëtare të sezonit të ri të Filharmonisë së Kosovës. Kapitulli i ri në historinë e institucionit, i cili këtë vit po feston çerekshekullin, është e kundërta e kushteve të vjetruara e të rënduara çdoherë e më shumë, kur secilën herë shtohet audienca. 

E, hapësira e sallës së Ateliesë në Pallatin e Rinisë, të premten mbrëma, ka qenë më e vogël se zakonisht. E mbushur përplot si në sallë, ashtu edhe në korridoret sipër saj. 

Nuk ka të reja nga kushtet, thjesht një perde e zezë më shumë me të cilën mbulohet një pjesë e shëmtuar e sallës, si dhe dekoret e përkohshme aty: ekranet me simbolin e 25-vjetorit të Filharmonisë e tepihu i kuq në korridor e në qoshet e sallës. 

Institucioni shtetëror muzikor e ai i Operës së Kosovës kanë bashkuar kapacitetet e tyre për të jetësuar në Prishtinë dy vepra të Mengjiqit. E para ka qenë “Symphonic Pain”. 

Ka qenë si kolazh i tingujve për dhimbje të thellë e shoqëruar nga dinamizmi kur kulmon, ndërsa nga melankolia si rrjedhojë e mbivendosjes së tingujve të ksilofonit në ritmet e Orkestrës. Tingujt e dhimbjes simfonike kthehen në version force kur loja bëhet më intensive. Kur dhimbja përshkallëzohet, forca lulëzon. Harkorët janë konstant në lojë. Frymorët shpesh ndërhyjnë duke krijuar situata të ndryshme. Dhimbja në veprën e Mengjiqit shpesh shtohet e transformohet. 

Dirigjenti polak, Wojciech Czepiel, e ka konsideruar këtë vepër si brilante, ndërsa ka vlerësuar edhe punën e muzikantëve nga Kosova. 

“Vepër shumë e bukur, brilante, shumë bukur e shkruar për orkestër. Jam shumë i lumtur për bashkëpunimin me Orkestrën. Ka muzikantë të shkëlqyeshëm. Tingulli i harkorëve është i bukur, instrumentet e metalta janë të mrekullueshme, ndërsa perkusionet dhe instrumentet e drunjta janë shumë të mira”, është shprehur ai. 

E ka çmuar veprën e Mengjiqit, duke theksuar se ajo meriton të njihet në botë. 

“Jam shumë i lumtur që me punën tonë sollëm për dy javë këto vepra të përgatitura kaq bukur. Mendoj se kompozitori është i lumtur dhe këtë e meritonte, sepse veprat janë të mrekullueshme, sikur edhe veprat e tjera kamertale dhe solo. Ai meriton të promovohet dhe të luhet në të gjithë botën”, ka thënë dirigjenti Czepiel, një nga figurat më interesante të brezit të tanishëm të dirigjimit polak. 

Wojciech Czepiel: “Rasti i vizitës së parë këtu është shumë i veçantë. Kemi interpretuar dy vepra ekstremisht të bukura nga Mendi Mengjiqi, kompozitori më i rëndësishëm në Kosovë. E kam takuar Mengjiqin rreth 20 vjet më parë. Ai ka studiuar në Krakow dhe kur bëri doktoratën e kompozoi këtë oratorium. Unë e bëra premierën botërore të saj. Më pas u takuam shumë herë për të biseduar për muzikë, për kompozim, pa e ditur se pas 22 vjetësh do të ndodhte ky koncert”  (Foto: Arben Llapashtica) 

Në maj të vitit 2012, ai u vlerësua me medaljen “Gloria Artis” nga ministri i Kulturës dhe Trashëgimisë Kombëtare në Poloni. Ai bashkëpunon si dirigjent i ftuar me orkestra dhe opera në Poloni dhe jashtë saj, dhe vazhdon punën e tij krijuese mbi kompozime të reja.

Oratoriumi “Homagium: Matri Teresiae” ka qenë moment historik e kapitull i veçantë për skenën e muzikës klasike në vend. Për herë të parë në Kosovë ka jehuar një oratorium i një kompozitori shqiptar. Është i vetmi kompozim i kësaj forme muzikore. Sipas shpjegimit të veprës, sjell dimensionet shpirtërore, etike dhe humanitare të jetës dhe misionit të Nënës Terezë. Mengjiqi ka qenë në koncert.

Nuk ka pranuar të flasë. 

Për dirigjentin Wojciech Czepiel, interpretimi i kësaj vepre është moment i veçantë i karrierës së tij duke e kthyer atë në vendin e tij, 26 vjet pas nga premiera botërore të cilën e kishte punuar vetë. 

“Rasti i vizitës së parë këtu është shumë i veçantë. Kemi interpretuar dy vepra ekstremisht të bukura nga Mendi Mengjiqi, kompozitori më i rëndësishëm në Kosovë. E kam takuar Mengjiqin rreth 20 vjet më parë. Ai ka studiuar në Krakow dhe kur bëri doktoratën e kompozoi këtë oratorium. Unë e bëra premierën botërore të saj. Më pas u takuam shumë herë për të biseduar për muzikë, për kompozim, pa e ditur se pas 22 vjetësh do të ndodhte ky koncert. Isha shumë i lumtur kur kuptova se Filharmonia e Kosovës do që unë ta bëj sërish këtë muzikë”, është shprehur dirigjenti i shquar polak. 

Hapja dramatike e veprës me pjesën “Gaudium et spes” ndalet te pjesa korale, e cila stabilizohet me përfshirjen e solistëve që theksojnë vibrimet e vokalit. Pjesa “Pax” hapet me pjesë muzikore solo nga flauti e ksilofoni në përcjellje të lehtë nga harkorët. I pari vokal që dëgjohet në këtë pjesë është ai i sopranos Adelina Paloja.

Pjesa “Gloria Del” ka hapje dramatike të orkestrës e pasuar nga kënga paralele si duet nga sopranoja Adelina Paloja e mexosopranoja polake Ewa Menaszek. Shumë në hije ka qenë vokali i tyre si rrjedhojë e akustikës shumë të dobët në sallë. Por në fund të koncertit, profesionalizmi i tyre është vlerësuar, ndërsa mangësitë e kushteve veçse dihen. 

Mexosopranoja Menaszek ka thënë se është ndier më e lidhur me veprën, duke pasur parasysh se autori i oratoriumit kaloi shumë kohë në Krakow, në qytetit e tyre të lindjes. 

“Muzika është shumë sfiduese, fillimisht të mësohet, duke qenë muzikë, oratorium bashkëkohor dhe nuk është më e lehtë sesa të mësosh muzikën, për shembull, të Mozart, por ishte përvojë shumë e mirë ta këndoja këtë vepër në Prishtinë. Ishte përvojë e mrekullueshme”, është shprehur mexosopranoja e roleve të mëdha operistike. 

Ajo ka interpretuar, si: Mercedes në “Carmen”, si Olga në “Eugene Onegin” të Çajkovskit, si Stéphano në “Romeo dhe Zhuljeta” të Gounod dhe shumë më shumë. Interpretimet e saj solo përfshijnë institucione, si: Filarmoninë e Krakówës, Orkestrën Simfonike të Radios Kombëtare Polake, filarmoninë “Subkarpatiane”, filarmoninë “Warmian-Masuriane” e të tjera. 

“Vera sanctitas” dhe  “Tempus hominis” janë pjesët pasuese në oratorium. Të papriturat aty janë veçantia, ndërsa mbylljet e pjesëve janë ato që zakonisht ndodhin në këngë sakrale, me zgjatime të vokalit. 

“Quae mane oramus” ka qenë harmonike derisa sopranoja Adelina Paloja interpretonte si soliste, ndërsa pjesa përsëritej nga i gjithë kori. Pjesa e fundit “Hortamentujm as caritatem” ka qenë goxha meditative. Tingujt aty janë të turbullt, ndryshe nga këndimi i sopranos Paloja. 

Ajo e ka konsideruar besimin e rolit si soliste në këtë vepër si nder të punës së saj. 

“Është nder i jashtëzakonshëm që profesori ynë dhe i imi, Mendi Mengjiqi, këtë vepër kapitale të krijimtarisë sonë, e cila tash ka pasur edhe premierën botërore në Poloni, ku edhe ka filluar të kompozohet në Krakow, më në fund edhe ne si institucion i Filharmonisë së Kosovës, me gjithë kapacitetet tona arritëm ta sjellim në skenë. Është me një mesazh shumë të thellë, bart një peshë shumë të madhe shpirtërore, dedikimin si oratorium i përmasave të mëdha, pastaj të mos flasim për kërkesat dhe lidhshmëritë muzikore, për të cilat shquhet profesori Mendi për nga ana dhe pesha kompozicionale e tij”, është shprehur Paloja. 

Oratoriumi “Homagium: Matri Teresiae”, kompozuar nga Mendi Mengjiqi, ka qenë moment historik e kapitull i veçantë për skenën e muzikës klasike në vend. Për herë të parë në Kosovë ka jehuar një oratorium i një kompozitori shqiptar. Është i vetmi kompozim i kësaj forme muzikore. Sipas shpjegimit të veprës, sjell dimensionet shpirtërore, etike dhe humanitare të jetës dhe misionit të Nënës Terezë (Foto: Arben Llapashtica)

Interpretimi i saj delikat me vokal e muzikë duket se e shënon fundin e veprës, derisa pason dueti si dialog midis saj dhe basit polak Grzegorz Szostak. Ai ka konsideruar se Mengjiqi e bën muzikën të shkëlqejë. 

“Është muzikë fantastike, thjesht e mrekullueshme. Është hera e parë që këndoj një vepër të Mendi Mengjiqit. Muzika e tij është si shkëlqim nga qielli. Ai shkëlqen dhe e ndrit muzikën. Është muzikë shumë e bukur, shpresoj se do të interpretoj më shumë vepra të tij”, ka thënë basi Szostak, duke e konsideruar sfiduese muzikën e Mengjiqit. 

“Nuk është e lehtë të këndohet pasi është vepër bashkëkohore, nuk është ajo që këndohet në përditshmëri. Ne jemi këngëtarë operistikë dhe opera është muzika primare. Ky oratorium është përvojë e re”, ka thënë Szostak. 

Ai ka bashkëpunuar me Opera Kombëtare, Operën dhe Filarmoninë Podlasie në Białystok, Operën Silesiane në Bytom, Operën e Krakowës dhe Operën e Wrocławit. Ka marrë pjesë në koncerte dhe shfaqje në të gjithë Evropën, duke përfshirë në “Palais des Festivals”, në Kanë dhe Montreux. 

Ky koncert, dhe ato që janë mbajtur që nga fillimi i këtij viti kanë qenë festë për 25-vjetorin e Filharmonisë së Kosovës. 

Zëvendësuesi i drejtorit të institucionit, Dardan Selimaj, ka theksuar se edhe ky sezon e gjen Filharmoninë pa shtëpi, duke shpresuar që projekti fitues për Teatër të Operës, e që parasheh edhe Sallën Filharmonike, të mos dështojë. 

“Shpresa është që ai t’i japë fund sagës së dështimeve për ndërtimin e një tempulli të denjë të artit, që nisi qysh prej vitit 2009. Përplasjet midis autoriteteve lokale dhe qendrore, sërish duket se janë histori që përsëritet. Në 25 vjet, Filharmonia është rritur, por rruga  përpara mbetet e gjatë”, thuhet në fjalën e Selimajt, i cili i ka paraprirë koncertit solemn të premten në Atelienë e Pallatit të Rinisë. 

I njëjti program, me të njëjtin kast prezantohet sonte (e shtunë) në Shkup, në Sallën Koncertale të Orkestrës Filharmonike të Maqedonisë.