Përderisa ende s’ka seli e punësimet vazhdojnë, Muzeu i Artit Bashkëkohor vetëpromovohet e paraqet si arritje anëtarësimet sikurse ai në Rrjetin Evropian të Organizatave Muzeore dhe në Rrjetin Ballkanik të Muzeve. Se çfarë u ofron MAB-i këtyre organizatave nuk dihet, pasi deri më tash, dy vjet e gjysmë pas themelimit, as publikut vendas nuk i ka ofruar diçka konkrete. Se deri ku ka arritur procesi i adaptimit të hapësirës në objektin e dikurshëm të shtypshkronjës së “Rilindjes”, institucioni ka dhënë një përgjigje të shkurtër: “Adaptimi i hapësirës është në proces”
Përderisa prej janarit të vitit 2024 Kosova, të paktën në letër, është bërë edhe me Muze të Artit Bashkëkohor, ky institucion ende nuk ka as shtëpi të vetën dhe rrallëherë shfaq aktivitete, madje edhe në rrjetet sociale. Megjithatë, punësimet nuk i ndal. Me një lokacion të caktuar, por praktikisht pa ndonjë ndërhyrje për rregullimin e hapësirës, Muzeu i Artit Bashkëkohor ka shënuar dy “suksese” që po prezantohen me pompozitet. Është bërë anëtar i Rrjetit Evropian të Organizatave Muzeore (Network of European Museum Organisations) dhe i Rrjetit Ballkanik të Muzeve (Balkan Museum Network). Se çfarë u ofron MAB-i këtyre organizatave nuk dihet, pasi deri më tash, dy vjet e gjysmë pas themelimit, as publikut vendas nuk i ka ofruar diçka konkrete.
Më 30 prill të këtij viti, MAB në rrjete sociale ka shpërfaqur një “arritje”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Kemi kënaqësinë të ndajmë me ju anëtarësimin e Muzeut të Artit Bashkëkohor në një nga rrjetet më të rëndësishme evropiane për muze dhe galeri, NEMO – Network of European Museum Organisations. Njëkohësisht, MAB është anëtarësuar edhe në BMN – Balkan Museum Network, rrjet që mbështet bashkëpunimin dhe zhvillimin institucional në rajonin e Ballkanit”, shkruhej në njoftim. Sipas MAB-it, që përveç rrjeteve sociale nuk shfaq ndonjë aktivitet tjetër, ky hap shënon një moment të rëndësishëm që forcon angazhimin për bashkëpunime, zhvillim profesional dhe shkëmbim ndërkombëtar.
Rrjeti Evropian ka njoftuar se Muzeu i Artit Bashkëkohor është në hapat e tij të parë, ndërsa ndërtesa kryesore pritet të hyjë së shpejti në proces rinovimi. Selia e MAB-it është caktuar të jetë në hapësirat e ish-shtypshkronjës së “Rilindjes”. Por aty nuk ka pasur asnjë lëvizje deri më tani. Madje edhe lajmi është ilustruar me një fotografi nga vendi që duket i braktisur.
“I konceptuar si një institucion publik, i hapur dhe gjithëpërfshirës, misioni i muzeut është të mbledhë, ruajë, trajtojë dhe promovojë artin bashkëkohor, vendor dhe ndërkombëtar. Përtej kësaj, muzeu shërben si një hapësirë për edukim, hulumtim, ndërveprim dhe formësim të kujtesës kolektive. I vendosur në zemër të Prishtinës, në ndërtesën historike të ish-shtypshkronjës ‘Rilindja’, muzeu ofron mundësi të reja për artistë, hulumtues, studentë dhe publikun e gjerë, duke e bërë artin pjesë përbërëse të jetës së përditshme”, shkruhet në njoftimin e rrjetit. Sipas tij, si një institucion i ri dhe në zhvillim, MAB synon të harmonizohet me standardet evropiane, të forcojë kapacitetet institucionale që në fillim dhe të marrë pjesë në dialogun e përbashkët mbi rolin në ndryshim të muzeve sot.
“Si anëtar i NEMO-s, ekipi pret me padurim mundësitë për trajnime profesionale dhe lidhjen me kolegë nga e gjithë Evropa që përballen me sfida dhe ambicie të ngjashme. Ata janë të entuziazmuar të kontribuojnë dhe të mësojnë nga rrjeti i larmishëm i NEMO-s, të zhvillojnë bashkëpunime dhe të fitojnë njohuri që do të mbështesin misionin e tyre për të avancuar artin bashkëkohor dhe zhvillimin kulturor në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Rrjeti i Organizatave Evropiane të Muzeve (NEMO) u themelua në vitin 1992 si një rrjet i pavarur i organizatave kombëtare të muzeve, që përfaqësojnë komunitetin muzeor të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës. Sipas të dhënave të vetë rrjetit, anëtarët e NEMO-s përfaqësojnë mijëra muze në 40 vende në të gjithë Evropën. Në ueb-faqe, nga Kosova figurojnë Muzeu i Mitrovicës dhe MAB. Nëse shikohen me kujdes institucionet anëtare, nuk rezulton se bëhet fjalë kryesisht për institucione të artit bashkëkohor. Nga Shqipëria anëtare është Muzeu “Shtëpia e Gjetheve”, nga Mali i Zi, Galeria e Tivarit, nga Maqedonia e Veriut, Muzeu Arkeologjik dhe Instituti i Monumenteve në Manastir, ndërsa nga Serbia, Muzeu i Jugosllavisë dhe Galeria e “Matica Srpska”.
Ndërkaq, Rrjeti i Muzeve të Ballkanit është një nismë relativisht e re, e themeluar në prill të vitit 2006 në Muzeun “Gustavianum” në Uppsala të Suedisë. Sipas të dhënave të rrjetit, platforma fillestare u mundësua nga fondacioni “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”, ndërsa më pas janë anëtarësuar muze të ndryshëm nga rajoni. Anëtarët e parë të BMN-së ishin drejtorë muzeumesh dhe staf kyç nga njëmbëdhjetë muze në Ballkanin Perëndimor (Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia). Në atë kohë u krijua edhe një rrjet i veçantë për drejtoreshat e muzeve, për të adresuar nevojat specifike të këtij grupi.
Anëtarësimi i MAB-it në NEMO – me fokus të veçantë në grupin “Think Tank on Museum Futures” – si dhe në Balkan Museum Network nënkupton përfshirjen në dy prej platformave më të rëndësishme të bashkëpunimit muzeal në Evropë dhe në rajon.
KOHA ka pyetur MAB-in se çfarë domethënie kanë këto anëtarësime dhe çfarë mund t’u ofrojë ky institucion këtyre rrjeteve.
“Në të dy rastet, anëtarësimi është një mundësi konkrete për të ngritur kapacitetet e muzeut, për t’u lidhur me rrjete profesionale, për të siguruar transparencë, për të pasur qasje në udhërrëfyes bashkëkohorë muzealë dhe për të ndërtuar partneritete që e avancojnë vizionin e MAB-it si institucion publik”, thuhet në përgjigjet e dërguara pas dy javësh.
Ndërsa në pyetjen se deri ku ka arritur procesi i adaptimit të hapësirës, institucioni ka dhënë një përgjigje të shkurtër: “Adaptimi i hapësirës është në proces”. Megjithatë, në praktikë nuk vërehet asnjë lëvizje në atë hapësirë.
Artistja dhe politikania Eliza Hoxha ka reaguar të mërkurën në rrjete sociale.
“Ndalesë në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Prishtinë”, titullohet reagimi i saj, i shoqëruar me një fotografi nga hapësira e përcaktuar për institucionin.
“Vepra të mahnitshme, ambient i mrekullueshëm, i rekomanduar për ta vizituar edhe për qytetarët edhe për turistët. Muzeu është anëtarësuar në Organizatën Evropiane të Muzeve. Veç me qenë e vërtetë”, ka ironizuar Hoxha.
Këto ditë, MAB-i është bërë edhe me koordinatore për edukim dhe hulumtim.
Kosova zyrtarisht është bërë me Muze të Artit Bashkëkohor në janar të vitit 2024. Por edhe pas kësaj kohe, MAB mbetet një institucion kryesisht në letër. Aktualisht numëron gjashtë punonjës dhe ushtruesen e detyrës së drejtorit. Është miratuar statuti, është përzgjedhur logoja dhe institucioni ka edhe vulë. Megjithatë, nuk ka seli funksionale, pasi stafi operon në ambientet e Ministrisë së Kulturës, ndërsa shumica e tyre, në praktikë, sipas përshkrimeve të detyrave, kanë pak mundësi veprimi për shkak se institucioni ende është në fazë të konsolidimit.
Ndër hapat fillestarë ishte paraparë edhe ndarja e ndërtesës së muzeut, me synimin që kjo të ndodhte brenda vitit 2023. Vendimi për hapësirën është marrë në gusht të vitit 2024, kur Ministria e Punëve të Brendshme ka aprovuar kërkesën e MKRS-së për shfrytëzim, duke ndarë një pjesë të përdhesës dhe një pjesë të katit të parë të ish-shtypshkronjës “Rilindja”.
Koncepti i themelimit të MAB-it, i prezantuar para më shumë se dy vjetësh, parasheh të gjithë hapat që duhej të ndërmerreshin. Megjithatë, realiteti dhe plani i paraparë në këtë dokument kanë ende hendek të madh mes tyre.
Lexo edhe: