(The Guardian) – Muzeu i Louvreit në Paris, i goditur nga kriza, u mbyll të hënën, pasi punonjësit nisën një grevë për të kërkuar rinovime urgjente dhe shtim të stafit, si dhe për të protestuar kundër rritjes së çmimeve të biletave për shumicën e vizitorëve jashtë Bashkimit Evropian, përfshirë turistët britanikë dhe amerikanë.
Muzeu më i vizituar në botë, i cili ka kaluar disa muaj të vështirë – pas një grabitjeje të bujshme, një rrjedhjeje uji që shkaktoi dëme dhe shqetësimeve për sigurinë e tavanit në një galeri – mund të përballet me ditë të tëra mbylljeje të pjesshme ose të plotë në një nga periudhat më të ngarkuara të vitit, nëse një numër i madh nga rreth 2 mijë e 100 punonjësit e tij votojnë për vazhdimin e grevës gjatë kësaj jave.
Louvre ende po përpiqet të përballojë pasojat e vjedhjes së 19 tetorit, kur një bandë prej katër personash bastisi Muzeun në mes të ditës, duke vjedhur brenda shtatë minutash bizhuteri të kurorës franceze me vlerë të vlerësuar rreth 88 milionë euro, përpara se të largoheshin me skuterë. Katër persona janë arrestuar dhe janë vënë nën hetim zyrtar, por bizhuteritë nuk janë gjetur.
Në nëntor, një rrjedhje uji dëmtoi 300 deri në 400 revista, libra dhe dokumente në departamentin egjiptian. Më pas, një galeri që përfshin nëntë salla me qeramikë të Greqisë së lashtë u mbyll për shkak të shqetësimeve për sigurinë e tavanit.
Të tre sindikatat e Louvreit – CGT, Sud dhe CFDT – shpallën një grevë të vazhdueshme, duke deklaruar: “Stafi sot ndihet sikur është bastioni i fundit para shembjes.”
Në një mbledhje të përgjithshme, 400 punonjës votuan njëzëri për nisjen e grevës të hënën në mëngjes. Në vijën e protestës, një roje nate, i cili tha se kishte punuar në Muze për 20 vjet, u shpreh: “Nuk i kam parë kurrë punonjësit kaq të zemëruar”. Një tjetër roje sigurie e turnit të ditës, me 14 vjet përvojë në kontrollin e vizitorëve në hyrje, tha: “Presioni në jetën tonë të punës është ekstrem”.
Sindikatat thanë se grabitja e bizhuterive nxori në pah vite të tëra vështirësish, shkurtime të stafit dhe mungesë investimesh shtetërore në Muze, i cili vitin e kaluar pati 8.7 milionë vizitorë.
Shumë punonjës dhe përfaqësues sindikalë thanë se ishte diskriminuese rritja e çmimeve të biletave me 45 për qind për vizitorët nga jashtë Zonës Ekonomike Evropiane, me qëllim rritjen e të ardhurave për financimin e përmirësimeve strukturore.
Vizitorët nga vende si SHBA-ja, Britania dhe Kina, që përfaqësojnë disa nga numrat më të lartë të vizitorëve të Muzeut, do të duhet të paguajnë 32 euro për hyrje, duke filluar nga janari.
Në vijën e protestës, Vanessa Michaut-Valora nga sindikata “Sud Culture”, e cila punon në siguri në disa krahë të Louvreit , ka thënë se rritja e çmimeve për joevropianët ishte e papranueshme. Ajo u shpreh: “Për shembull, si mund t’u kërkosh vizitorëve egjiptianë të paguajnë më shumë, kur ata po vijnë të shohin veprat e tyre në koleksionin tonë egjiptian? E njëjta gjë vlen edhe për koleksionet e Mesopotamisë dhe vepra të tjera”.
Ajo bëri thirrje për ndalimin e projektit të madh të shpallur nga presidenti francez Emmanuel Macron në janar të vitit të kaluar, për ndërtimin e një hyrjeje të re të Muzeut dhe për t’i dhënë Mona Lisas, portretit më të famshëm në botë, një sallë të veçantë.
“Paratë duhet të shkojnë për restaurimin dhe konsolidimin e ndërtesës, në vend që të ndërtohet një hyrje e re për të sjellë edhe më shumë njerëz”, ka shtuar ajo.
Christian Galani, përfaqësues sindikal i CGT-së për punonjësit e Louvreit ka thënë se rritja e çmimeve të biletave për disa kombësi ishte “diskriminim i papranueshëm”.
“Madje më keq, këta vizitorë do të duhet të paguajnë më shumë për të parë një Muze të amortizuar, ku nuk mund të kenë qasje në të gjithë koleksionin, sepse kemi mungesë kronike stafi dhe sallat mbyllen rregullisht”, ka thënë ai.
Sipas tij, ishte një “skandal absolut” t’u kërkohej vizitorëve nga vende të caktuara të “paguajnë për vite të tëra dështimesh të grumbulluara” në një Muze, koleksioni i të cilit përbëhet nga vepra nga e gjithë bota.
“Kjo bie ndesh me universalitetin e kulturës dhe idenë e qasjes së barabartë”, ka thënë Galani. “Për shembull, kjo do të prekë turistët britanikë, ndërkohë që nëse unë shkoj në Muzeun Britanik, hyrja është falas”.
Sindikatat janë të shqetësuara për mungesën e stafit dhe kushtet e punës, pasi që nga viti 2015 janë shkurtuar 200 vende pune, shumë prej tyre në sektorin e sigurisë.
Galani, i cili punon natën në dhomën e kontrollit të sigurisë së Muzeut, për grevën ka thënë: “Jemi aq të lodhur dhe të zhgënjyer; kjo është mënyra e vetme që na ka mbetur për t’u dëgjuar. Problemet janë grumbulluar prej vitesh dhe grabitja i nxori të gjitha në dritë. Ka pasur neglizhencë si në rinovimin e ndërtesës, ashtu edhe në masat e sigurisë për mbrojtjen e koleksionit”.
Muajin e kaluar, Kontrolli i Shtetit francez deklaroi se përmirësimet e sigurisë ishin kryer me një “ritëm tejet të pamjaftueshëm” dhe se Muzeu kishte përparësuar “operacione të profilit të lartë dhe tërheqëse”, në vend që të mbrohej vetë.
Guy Tubiana, një oficer i lartë policie dhe këshilltar sigurie, i cili mori pjesë në një hetim të urdhëruar nga Ministria e Kulturës pas grabitjes së bizhuterive, ju tha senatorëve se ishte “i tronditur” nga ajo që kishte zbuluar në Muze.
“Pati një varg mosfunksionimesh që çuan në katastrofë, por nuk do ta kisha menduar kurrë se Louvre mund të kishte kaq shumë probleme”, ka thënë ai.
Hetimi paraprak i urdhëruar nga qeveria zbuloi një “nënvlerësim kronik” të rrezikut të grabitjes dhe “nëninvestim në masat e sigurisë”, ka thënë ministrja e Kulturës, Rachida Dati.
Philippe Jost, i cili drejtoi rindërtimin e Katedrales Notre-Dame të Parisit pas zjarrit, pritet të ndërmarrë muajin e ardhshëm një studim për një “ristrukturim të thellë” të Louvret.
Drejtoresha e Louvreit, Laurence des Cars, ashtu si edhe sindikatat, kishte paralajmëruar vazhdimisht para grabitjes për kushtet brenda muzeut dhe koston e mirëmbajtjes së ish-pallatit mbretëror gjigant. Në janar, ajo tha se vizita në ndërtesën e mbipopulluar ishte bërë një “sprovë fizike”.
Një mbledhje e përgjithshme për të vendosur nëse greva do të vazhdojë është planifikuar të mbahet të mërkurën në mëngjes. Muzeu është i mbyllur të martave.