Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Nderi” në kohë lufte vjen në Kosovë me fytyrën e ndërgjegjes morale

Skenë nga filmi “Nderi” nën regji të Nikolla Vukçeviqit

Skenë nga filmi “Nderi” nën regji të Nikolla Vukçeviqit

Në tymin e Luftës së Dytë Botërore, kur shqiptarët në betejat e ekzistencës personale edhe mund të rrëshqisnin, nderi është ai që ua shpëton fytyrën. E, në filmin “Nderi” nën regji të Nikolla Vukçeviqit, edhe jetën e një fëmije ortodoks. Ky produksion të cilit i prin Mali i Zi, bazohet në ngjarje të vërtetë të shndërruar në legjendë në trojet shqiptare si Plava e Gucia. Pavarësisht portretizimeve, mesazhi final është ai i shpalosjes së ndërgjegjes morale, besës që nuk shkelej me çdo kusht. Edhe në kohë lufte si sot, “Nderi” vjen me fytyrën e anës humane që triumfon

Filmi “Nderi” nën regji të Nikolla Vukçeviqit i është prezantuar edhe publikut në Prishtinë me tematikat e tij me të cilat publiku veçse njihet, por me barrën e bartjes dhe të pasojave. Atmosfera aty është e rëndë e heshtjet flasin më shumë sesa dialogët. Komunikimi midis gjuhës shqipe e asaj malazeze është i natyrshëm e bashkëjetesa brenda rrëfimit për një 36 orë ngjarjesh dramatike, është i natyrshëm. Por jo edhe rrjedha e dramës që përfundon tragjikisht.

“Nderi” (Obraz) sjell ngjarjen që zhvillohet gjatë Luftës së Dytë Botërore në trojet shqiptare të Malit të Zi ku njësitë ushtarake e paraushtarake në bashkëpunim me Gjermaninë naziste kishin formuar formacione të mirëfillta. Rrethuar nga ushtarët fashistë, kryepersonazhi Nuredin Doka (Edon Rizvanolli)  shpalos anën njerëzore dhe morale në kohë lufte.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Që në hapje të filmit, shikuesi njoftohet me atmosferën e rëndë. Regjisori ka ndërtuar narrativën e përmbajtur, por të ngarkuar emocionalisht duke e zhvendosur vëmendjen nga spektakli te drama e brendshme e personazheve.

Si intro është historia e një vrasjeje të kryer ku dorasi ka ikur, por borxhi ka mbetur pas. Gjaku lahet kur familja e dorasit shkon te familja e të dëmtuarit për të larë gjakun me një djalë të porsalindur në djep që kthehet përmbys për t’u ngulfatur.

Por ky është një fragment që jo shumë ka të bëjë me tematikën, por me zakonet. Ngjarja zhvillohet dhjetë vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Në një zonë gjuetie shfaqet mënyra e mbijetesës sa i përket pjesës së ushqimit. Lufta për prenë midis shqiptarëve dhe malazezëve nuk ka të bëjë me kombësi por me përgjegjësinë e përkujdesjen për familjen. Humaniteti ekziston. Shpejt shfaqen çetat naziste. Kryepersonazhi Nur Doka i konsideron si banda e kope. Të tilla edhe shfaqen kur synojnë prenë e tij, por kjo veç sa shkon e thellohet.

I njëjti grup, i përzier me malazias e shqiptarë, bastis shtëpinë e një familje vllahe. Kryefamiljari vritet, gruaja përdhunohet e më pas vritet, ndërsa përndiqet i biri i tyre që sheh gjithë këtë ngjarje. Arsyetimi i vrasjes është se sipas tyre, ata po ua ndotin vendin.

Drama merr tjetër kthesë kur Mehmeti (Elez Axhoviq) i biri i Nuredinit, i hap portën këtij fëmije tek përndiqet e drejt tij nuk ndalen plumbat. Kjo është porta e shpëtimit të fëmijës vllah ortodoks, por jo edhe e vetë shpëtimtarit.

Gjatë gjithë filmit, gjendja e tensionuar ndihet edhe pa ndodhur shumë drama. Për ta kapërcyer, kryepersonazhi nuk e dorëzon fëmijën te grupi i armatosur që ditë e natë nuk ia ndan derës së oborrit të tij. Ofron vdekjen e tij si shpëtim të familjes. E këtë tension, gabimin human të tij, Mehmeti, e përkthen në dramë kulmuese kur i jep tjetër kah fatit të tij.

Me arsyetimin për t’i ofruar ujë babait të tij që ka duart e përgjakura, heq rrobat kombëtare që e identifikojnë si shqiptar, lyen fytyrën me baltë, merr kurajë ta hapë derën pranë së cilës qëndron grupi i lëvizjes naziste dhe vritet.

Një grup shqiptarësh dhe të tjerë aty janë pjesë e divizionit famëkeq “SS Scanderbeg”, një njollë në historinë shqiptare sot e kësaj dite.

“Nderi” shfaqet në “Cineplexx” të Prishtinës dhe atë të Prizrenit

Edon Rizvanolli e ka konsideruar rolin e tij shumë sfidues për nga kontinuiteti i xhirimeve të filmit që kanë ngjatur rreth katër vjet.

“Ka qenë bukur sfidues në dy rrafshe: fillimisht sepse i gjithë procesi i xhirimit ka zgjatur diku katër vjet. Kemi qenë të detyruar, për shkaqe të ndryshme financiare, pandemia e të tjera, t’i ndajmë xhirimet në katër periudha. Kemi xhiruar nga dhjetë ditë pastaj secili është kthyer në vendet e tjera. Mua për shembull më është dashur të kthehem në Amsterdam, të luaj në role të tjera, karaktere e personazhe komplet tjera, filma e seriale, të kthehem prapë në Mal të Zi e të gjej veten se si kam qenë emocionalisht në atë skenë”, ka thënë Rizvanolli.

Por, për të, procesi ka qenë sfidues edhe për nga ana emocionale.

“Është rol i madh, sepse trajton një situatë që është fort e pakëndshme ku varet jeta e krejt familjes prej vendimit që duhet të marr unë. Ose jeta e një fëmije që ka të bëjë me nderin e gjithë familjes dhe të emrit të familjes. Atë dilemë morale me të cilën jam ballafaquar nga fillimi deri në fund të filmit, vështirësia ka qenë që atë ta përkthej në diçka emocionale për të zgjuar njëfarë emocioni te publiku. Ajo ka qenë sfida më e madhe. Edhe duke marrë parasysh që gjithë ngjarja ndodh brenda 36 orëve. Pra të mund ta mbash atë intensitet e tension gjatë gjithë filmit pa u bërë i mërzitshëm për publikun”, ka thënë ai për KOHËN, pas premierës kosovare të filmit një orë e 35 minutash.  

Filmi është i frymëzuar nga një ngjarje reale. Bazohet veprën ““Obraz - legjenda për Nur Dokën” të akademikut nga Mali i Zi, Zuvdija Hoxhiq, i lindur në Guci me prejardhje shqiptare. Ky tekst është përpunuar e përshtatur nga Melina Pota Koleviq, Ana Vujadinoviq dhe Nikola Vukçeviq. Është bashkëprodhim midis Malit të Zi, Serbisë, Kroacisë e Gjermanisë produksioni ku besa e nderi i shqiptarëve, veshjet e peizazhet e saj romantizohen në një formë.

“Për mua ka qenë me rëndësi roli dhe se a i prezanton ato vlera të cilat unë  i konsideroj të rëndësishme. Se a mund të mburrem me to si person e pastaj si artist. Nëse krejt këto janë në rregull, atëherë merrem. Ky ka qenë bashkëprodhim midis Malit të Zi, Serbisë, Kroacisë dhe Gjermanisë. Përderisa ata nuk kanë problem me mua, nuk kam as unë. Filmi është pritur mirë fillimisht në Mal të Zi ku shfaqet prej shkurtit, në Beograd ka nisur të shfaqet për së dyti”, ka thënë aktori Rizvanolli.

Në filmin “Nderi” –  të cilin në shtatorin e vjetëm Malit të Zi synoi nominim për “Oscar” –  tema është pjesë e pandashme sociale e morale duke u trajtuar si vlerë absolute.

Në këtë film, aktori Alban Ukaj si Sokol Gjonaj, mishëron figurën e njeriut që lëviz midis autoritetit e pasigurisë,  duke bërë që më në fund të lëvizë nga të qenit pjesë e çetës “Scanderbeg” brenda shtëpisë së Nur Dokës.

Xhejlane Tërbunja si gruaja e Nuredinit dhe Selman Jusufi si Elez Doka, babai i kryepersonazhit, e kanë kompletuar kastin me ndjeshmëri e natyrshmëri.

Tërbunja ka thënë se ndonëse distanca reale kohore dhe ajo në film është e madhe, kjo nuk ngjan edhe me rrethanat.

“Ngjarja ndodh në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Fatkeqësisht kur kthehem pas dhe e shoh këtë film, nuk mund të vërej ndonjë dallim të madh përveç rrobave dhe armëve, teknologjisë që ka ndërruar. Edhe sot, luftërat ndodhin ende dhe njerëzit kanë shumë probleme”, ka thënë ajo.

Edhe pozita e gruas në film me atë sot, sipas saj, ka të përbashkët mungesën e integrimit në shoqëri.

“Për mua nuk ka qenë edhe shumë e vështirë sepse ne njohim gra të tilla të cilat kanë jetuar në kohë të tilla, të cilat nuk kanë pasur fuqi dhe zë të tyre për ta mbrojtur familjen ose për të dhënë një mendim, ngase të tilla ka kudo që sillesh. Filmi në fund e ka një mesazh të fuqishëm që i bën bashkë njerëzit në një mënyrë shumë më të bukur dhe më të mirë”, është shprehur aktorja Tërbunja.

E Selman Jusufi e ka konsideruar rrëfimin në film paksa antik, por shumë të vlefshëm.

“Unë jam i Dukagjinit, i Kullave të Dukagjinit. Besa i ka mbajtur shqiptarët në momentet më të vështira. Edhe në paqe edhe në luftë. Mendoj që na ka mbajtur deri më 1999. Besa i ka mbajtur 100 mijë refugjatë në Bllacë. Unë kam qenë me ta. Ngjarja ndodh në Plavë e Guci. Ka elemente të dokumentarit sepse atje ekziston një legjendë për Elez Dokën”, ka thënë ai.

Sipas tij, filmi u përgjigjet vendeve të Ballkanit për portretin e popullit të vuajtur shqiptar.

“Ato 36 orë sa i sjell filmi, unë e di çfarë do të ndodhë. Por moralin ia lë djalit tim për hir të besës. Para dere pret një gardë e armiqësuar për ta shpëtuar një fëmijë të huaj që ka ikur prej një tmerri. Në këtë rast fëmija është ortodoks malazias, por ne e kemi mbrojtur. Është mirë që ky film ka ndodhur në post-krimet që janë bërë ndaj shqiptarëve. Le ta shohë pjesa tjetër e Ballkanit”, ka thënë Jusufi.

Forca e filmit ngjan të jetë edhe ana vizuale. Estetikë e ftohtë dhe kamera që kryesisht vëzhgojnë nga afër.

Profesori universitar dhe regjisori, Fadil Hysaj, ka thënë se ky film ka dy vlera që duhet të ndahen si të veçanta. E para, sipas tij është tematika që trajtohet.

“Trajtohet një temë me një ngjarje ekskluzivisht shqiptare, në një periudhë shumë të rëndë historike çfarë ka qenë Lufta e Dytë Botërore kur njeriu e ka shumë të vështirë të qëndrojë brenda konturave të veta morale, sidomos ato familjare dhe brenda një kodi të ndershmërisë. Te shqiptarët është një vlerë shekullore në aspektin e trajtimit kanunor. Në një zonë malësie ky ka qenë ligj i mbijetesës së shqiptarëve, i vlerës, i jetës, i ndërtuar në norma më të larta sesa ligji”, ka thënë Hysaj.

E dyta, sipas tij, është se këtë lloj trajtimi e bën një regjisor që nuk është shqiptar.

“Kjo është e bukura e veçantë e këtij filmi. Te ne kemi pasur paragjykime për shkak të situatave politike në periudha të ndryshme se malazezët kanë qenë armiqtë tanë”, ka theksuar Hysaj.

Për këtë fakt ka thënë se ky është mesazh i vonuar për institucionet filmike në vend që, sipas tij, “të gjenden tema të vërteta dhe jo të shpikura”.

“Me idenë se mund të pëlqehen në festivale, nuk ke nevojë ta shash vendin tënd, shtetin, për pëlqimin në një festival si shoqëri e dështuar. Mendoj se ka ardhur koha të shtjellohen temat e vërteta të cilat bota ka nevojë ta dijë se nuk kemi qenë. Se kush jemi tash nuk është problem të shihet. Por paraardhësit tanë nuk kanë qenë ashtu dhe ne kemi harruar se kush kanë qenë ata”, ka vlerësuar Hysaj.

“Nderi” ka korrur sukses të konsiderueshëm në festivale ndërkombëtare, duke u vlerësuar me rreth 20 çmime.  Ka thyer rekorde shikueshmërie në Malin e Zi, duke shitur mbi njëzet mijë bileta ndërkohë që po shfaqet edhe në Prishtinë, Tiranë e Beograd.

Ai mund të mos jetë film i zhurmshëm, por pa dyshim – lë gjurmë. Rrëfimi i tij i heshtur rezonon edhe pasi ekrani errësohet.

Lexo edhe: