Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Nën hijen e një peme...” çon rrëfimin e pajtimit në “Mittelfestin” prestigjioz

Skenë nga shfaqja “Nën hijen e një peme u ula dhe qava”

“Frika” është tema e edicionit të sivjetmë të festivalit ndërkombëtar të teatrit, muzikës e vallëzimit, “Mittelfest” në Itali, e zëri i Kosovës në këtë ngjarje madhore me një histori 35-vjeçare do të dëgjohet nga shfaqja “Nën hijen e një peme u ula dhe qava”, me tekst të Jeton Nezirajt nën regji të Blerta Nezirajt. Për skenat botërore, ky produksion teatror të cilin i prin “Multimedia” e Prishtinës, nuk është i panjohur, por në këtë destinacion të radhës është premierë italiane. Në komunikatën për media të “Multimedias” janë dhënë detaje të këtij përfaqësimi. 

“Shfaqja ‘Nën hijen e një peme u ula dhe qava’, e cila deri më tani ka marrë vlerësime të shumta pozitive nga kritika ndërkombëtare, do të prezantohet më 19 korrik 2026 në orën 19:30, në Teatro Ristori, Cividale del Friuli, Itali, si pjesë e festivalit prestigjioz, Mittelfest, një festival ndërkombëtar i arteve performuese që mbledh së bashku teatrin, muzikën, vallëzimin dhe krijimtarinë bashkëkohore nga Evropa Qendrore dhe më gjerë”, shkruhet në komunikatë. 

“Mittelfest 2026” mbahet prej 16 deri më 26 korrik. Bazuar në të dhënat në ueb-faqen zyrtare, sivjet marrin pjesë artistë nga 21 vende, përfshirë vendet e Evropës Qendrore dhe Ballkanit. Programi përfshin 41 produksione, ndërsa festivali kryesor sjell 32 projekte artistike, me shumë premiera dhe bashkëpunime ndërkombëtare. Bashkëpunim i tillë është edhe “Nën hijen e një peme...”. Në këtë produksion luajnë aktorët e njohur Arben Bajraktaraj, Ilire Vinca dhe Amernis Nokshiqi, së bashku me një ansambël artistësh nga Afrika e Jugut si Gontse Ntshegang, Kensiwe Tshabalala, Les Made dhe Bongile Gorata Lecoge-Zulu. 

Siç rikujtohet në komunikatë, “duke u mbështetur në materiale arkivore dhe në dëshmi të mbledhura, artistë nga Afrika e Jugut dhe Evropa sjellin në dialog përvojat dhe mësimet e dy proceseve historike të pajtimit: Fushatës së Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë të vitit 1990 dhe Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit në Afrikën e Jugut, të themeluar në vitin 1995”. 

“Nën hijen...” ishte dhënë premierë botërore në tetorin e vitit të kaluar në Teatrin e Gjilanit. E bën skenën urë mes dy kontinenteve e aty kujtesa flet në tri gjuhë përderisa dhimbja ka të njëjtin tingull. Nën dritën e zbehtë, dy figura simbolike, Anton Çetta dhe Desmond Tutu, “ringjallen” për të treguar se falja, ndonëse ndodh brenda njerëzores, e tejkalon atë. Nuk është akt që ndodh një herë e mbaron, por proces që kërkon guxim e vetëdije të lartë kolektive. Në këtë shfaqje, falja nuk predikohet, por vihet në provë. Vjen në formë rrëfimesh, përplasjesh e shpesh edhe heshtjesh. 

Edhe “Nën hijen e një peme u ula dhe qava” ndalet në Oslo, gati për turne deri në SHBA Kulturë 1 muaj më parë “Nën hijen e një peme u ula dhe qava” ndalet në Oslo, gati për turne deri në SHBA

“Rrëfimet që rrjedhin përmes zërave të ngjirur e zbërthejnë kohën e tri dekadave më parë, në dy anë të botës që s’e njihnin njëra-tjetrën, por që kishin të njëjtën plagë. Në Kosovë, ndarjet mes fshatrave, familjeve e komuniteteve qenë krijuar nga gjaku i zënë; në Afrikën e Jugut, kujtimet e aparteidit ende thërrasin emra që nuk i janë kthyer më shtëpisë së vet. Në skenë, këto rrëfime nuk konkurrojnë për dhimbje, por për kujtim. Ato krijojnë një vijë paralele ku falja bëhet mjeti i vetëm për të ndalur trashëgiminë e urrejtjes. Çdo zë që ngrihet në njërën anë të tylit gjen jehonë në tjetrën, si të ishin pjesë e një të kaluare të përbashkët që kërkon të kuptohet përmes artit”, kishte shkruar KOHA. 

“Multimedia” ka rikujtuar se produksioni është vlerësuar lart nga mediat ndërkombëtare. “’Deutschlandfunk Kultur’ nga Gjermania e ka cilësuar si ‘një produksion të rëndësishëm’ me ‘energji dhe humor të shkëlqyer’, duke vënë në pah ndërthurjen e përvojave historike dhe artistike mes Kosovës dhe Afrikës së Jugut”, shkruhet në komunikatë. Aty shkruhet se me humor dhe një performancë të fuqishme e depërtuese, “trupa e jashtëzakonshme e artistëve ju çon në zemër të një procesi pajtimi, duke pasqyruar dhimbjen e viktimave kur përballen me ata që kanë kryer krime e mizori, ndërsa zbulon mënyrën se si sistemet e dhunës i dëmtojnë dhe i copëtojnë brezat”. “Rezultati është një udhëtim prekës, i guximshëm dhe estetikisht i pasur përmes kompleksitetit të përpjekjeve kombëtare për shërim dhe pajtim”, shkruhet në komunikatë. 

Në prillin e sivjetmë, “Nën hijen...” aterroi në Afrikën e Jugut, në 50-vjetlorin e Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit me reprizat e njëpasnjëshme në “The Market Theatre” të Johannesburgut.  Do të pritej me kritika tejet vlerësuese. 

Samantha Nupen, e cila mban faqen online “SamSays” dhe merret me kritikë arti e promovim të ngjarjeve artistike, do të shkruante se nuk dinte gjë për gjakmarrjet në Kosovë. 

“Nuk e dija sa brutale ishin vrasjet, apo sa thellë, brez pas brezi, shtrihen ciklet e hakmarrjes. Nuk e dija. Nuk kam jetuar kurrë në Kosovë dhe nuk e dija. Nuk e dija tmerrin e torturave gjatë Aparteidit...Unë jetoj këtu… dhe megjithatë, nuk e dija”, kishte shkruar ajo. Kishte treguar se sipas saj, “Under the Shade of a Tree I Sat and Wept” është një vepër e kuruar bukur dhe thellësisht prekëse që bashkon historitë e Afrikës së Jugut dhe Kosovës, dy kontekste të largëta që lëvizin, paralelisht dhe në mënyrë të çrregullt, drejt diçkaje që i ngjan faljes.

“Kasti nga Kosova, Illire Vinca, Amernis Nokshiqi dhe Arben Bajraktaraj  sjell një gjuhë fizike tjetër, një energji tjetër, të ndryshme, por po aq të fuqishme. Vepra lëviz mes anglishtes, shqipes dhe gjuhëve të Afrikës së Jugut, me titra që udhëheqin publikun nëpër rrëfimin e saj të shtresëzuar... Dhe përgjatë gjithë kësaj, ekziston një fije e qetë, e vazhdueshme: Shpresa që dridhet si një qiri në erën e trazirave të mëdha globale. Ky është teatër i rëndësishëm. Teatër që të thyen zemrën. Teatër i domosdoshëm”, kishte shkruar ajo. Muajin e kaluar e Osloja qe stacioni i radhës, kur u dha në “Teatrin Black Box” në kuadër të festivalit prestigjioz “Heddadagene”. 

Edhe “Nën hijen...” vlerësohet si teatër i domosdoshëm gjatë reprizave në Johanesburg Kulturë 3 muaj më parë “Nën hijen...” vlerësohet si teatër i domosdoshëm gjatë reprizave në Johanesburg

Emrat e Jeton Nezirajt e Blerta Nezirajt nuk janë të panjohur në “Mittelfest”. Më 2024, po aty u dha shfaqja “The Handke Project”, një rrëfim që ka për personazh shkrimtarin kontrovers Peter Handke, përkrahës i Sllobodan Milosheviqit. 

E, “Nën hijen e një peme u ula dhe qava” në vjeshtën e vitit të ardhshëm e pret New Yorku.