Kulturë

“Një ditë tjetër” që dhembshurinë e shndërron në fuqi të gruas

kazhani

Përurimi i librit “Një ditë tjetër” të Mira Kazhanit (në mes) në panel me gazetarin, publicistin e botuesin Enver Robelli dhe gazetaren Vjosa Abazi, të premten mbrëma në menzën “Ramiz Sadiku” ka marrë pamjen e një takimi përtej shkrimeve, ku fjala dhe dhembshuria bëhen pjesë e një përbashkësie njerëzore

“Historia ime, e parë nga fundi është një histori e bukur, por e parë nga fillimi është një histori tragjike. Trembesh për vdekje kur dëgjon atë diagnozë të rrezikshme...”, ka thënë gazetarja Mira Kazhani e cila me “Një ditë tjetër” – të përuruar të premten mbrëma në Prishtinë – nuk shpalos vetëm historinë e saj, por mesazhin e fuqisë së një gruaje në betejë me sëmundjen apo me jetën

Menza “Ramiz Sadiku” është mbushur përtej pritjeve. Rreshta karrigesh nuk ka pasur nevojë të vihen, ngase mysafirët kanë qëndruar në këmbë deri afër mureve, për ta ndjekur nga afër gazetaren dhe autoren Mira Kazhani. Ajo ka ardhur në Prishtinë me librin “Një ditë tjetër”, që tashmë është bërë një prej rrëfimeve më të përhapura e më të përfolura të këtij viti në hapësirën shqiptare. Mbrëmja e së premtes ka marrë pamjen e një takimi përtej shkrimeve, ku fjala dhe dhembshuria bëhen pjesë e një përbashkësie njerëzore.

Atmosfera ka qenë e qetë, por e mbushur me emocion. Në panelin e përbërë nga gazetarja Vjosa Abazi, vetë autorja dhe gazetari e publicisti Enver Robelli, fjalën e ka marrë gazetarja Abazi, duke e konsideruar si forcë te Kazhani, atë që shpesh cilësohet si dobësi.

“Kemi kënaqësinë ta mirëpresim në Prishtinë – në shtëpinë e saj të dytë – një grua që na frymëzon me forcën dhe sinqeritetin e saj. Në një kohë kur shpesh e fshehim dobësinë si diçka për t’u turpëruar, Mira na kujton se forca fillon pikërisht aty, te pranimi, tek e vërteta. Sonte vjen këtu, jo për të rrëfyer ngjarjet e të tjerëve, por për të rrëfyer historinë e saj”, ka thënë ajo.

Gazetari e publicisti Robelli, i cili është edhe botues i librit nëpërmjet shtëpisë botuese “Dora D’Istria” me seli në Zvicër, e ka nisur fjalimin me një ton të ngrohtë dhe ironik, duke vënë në dukje se atij tubimi do t’ia kishin zili shumë politikanë, për faktin se është njerëzor dhe i sinqertë. E ka cilësuar këtë mbledhje si një festim të guximit dhe të sinqeritetit, për faktin se autorja e ka fisnikëruar një përvojë të dhimbshme përmes publicistikës që arrin cilësi letrare.

Ka ndarë disa prej shifrave që tregojnë ndikimin e rrëfimit të Kazhanit. Brenda më pak se dy muajsh, gati 10 mijë lexues kanë kërkuar dhe blerë librin.

“Ta keni të qartë se shumica janë vajza e gra”, ka thënë ai, duke shtuar se kjo s’ka të bëjë vetëm me temën, por me faktin se gratë lexojnë më shumë. Në stilin e tij gazetaresk, Robelli ka sjellë statistika nga vende të ndryshme evropiane e ka reflektuar për nivelin e lexueshmërisë në Kosovë, duke u shprehur se vetëm 22 për qind e grave dhe 13 për qind e burrave lexojnë rregullisht.

“Prej dhjetë burrave, nëntë kanë raport pothuaj armiqësor me librin”, ka thënë ai, duke nxitur të qeshura në sallë.

Ai ka kujtuar edhe një pasazh nga britaniku John Hodgson, që në vitet ’80 shkruante se nëpër fshatra të Kosovës “historia këndohej më shumë se sa shkruhej”, dhe se kishte familje që e kishin marrë leximin si shenjë çmendurie.

“Kësaj shoqërie urgjentisht i duhen sa më shumë djem dhe vajza si ai djali ‘i çmendur’ i Smajlit”, ka thënë Robelli, duke e kthyer këtë histori në metaforë për mungesën e leximit dhe nevojën për dije. Më pas ka folur për forcën e humorit si mënyrë për ta bërë të durueshme atë që është e pamëshirshme.

“Ndoshta nuk është rastësi që fjalën tumor dhe humor i dallon vetëm një shkronjë. Nuk po them që sëmundja duhet të shpërfillet, assesi, por me humor e vetëbesim çdo sfidë shëndetësore kalohet më lehtë”, ka thënë ai, duke e lidhur kështu motivin e përballjes me sëmundjen me fuqinë e të qeshurit e të vetëbesimit.

Në pjesën e dytë të fjalimit të tij, Robelli është ndalur te përvoja e botimit të këtij libri si shembull bashkëpunimi kulturor përtej kufijve.

“Përvoja e botimit të këtij libri më ka treguar se, ndonëse si shqiptarë jemi të shpërndarë nëpër botë, kur kemi vullnet të mirë, mund të bëjmë edhe vepra të mira”, ka thënë ai duke treguar se promovimi i radhës i këtij libri do të jetë në fund të nëntorit në Zürich, në atë që e ka quajtur “kryeqytetin jozyrtar të Kosovës”.

E ka kthyer vëmendjen te historia e Menzës “Ramiz Sadiku”, duke e përmendur si një hapësirë ku dikur janë ushqyer punëtorët, por edhe ku janë dhënë shfaqje e janë recituar poezi.

“Njeriu nuk jeton vetëm nga ushqimi. Jeton edhe nga kultura. Andaj këtu gjendet edhe një skenë e vogël, ku punëtorët kanë dhënë shfaqje, kanë recituar poezi, ndoshta në vitin 1980 kanë folur edhe për botimin e kompletit të veprave të Ismail Kadaresë nga ‘Rilindja’, fabrika më e madhe e kulturës e gjithë historisë së Kosovës”, ka thënë ai duke e krahasuar këtë mbrëmje me të dikurshmet kur botoheshin librat e Lasgush Poradecit apo të Fatos Kongolit.

Pas fjalës së Robellit, në një atmosferë të butë e përplot duartrokitje, Mira Kazhani është ndalur për t’u rrëfyer. Në zërin e saj është dëgjuar qetësia e një përvoje që tashmë ka marrë formë të re, të shndërruar në mendim e reflektim. Ka folur për përvojën e saj në bisedat dhe njohjet me kosovarët.

“E vërteta është që ne nuk e njohim njëri-tjetrin, sepse njihemi vetëm nga muzika, nga artistët, nga klubet dhe nga plazhi dhe nga Rruga e Kombit dhe nga bregdeti, nuk mjafton kjo, duhet komunikim. Falë këtij podkasti dhe falë këtyre pesë viteve, unë jam në një fazë tjetër me Kosovën, me Prishtinën. Unë kam takuar njerëz të jashtëzakonshëm, por nuk i kam takuar të gjithë falë gazetarisë sime, por falë grave”, ka theksuar ajo.

Ka folur për forcën e grave si mbështetje e saj më e madhe, si në podcast, ashtu edhe në këtë udhëtim të fundit përmes letërsisë.

“Gratë jo vetëm lexojnë, por gratë kanë qenë forca ime në podcast, ato më kanë ndihmuar që unë të komunikoj me burrat e tyre”, ka thënë ajo duke e kthyer sallën në një përzierje të qeshurash dhe duartrokitjesh.

Kazhani ka folur edhe për mënyrën se si rrëfimi i saj është pritur nga lexuesit në Kosovë.

“Libri është lexuar dhe postohet nga shumë njerëz në Kosovë që duan gazetarinë time, podcastin tim, apo librin tim dhe njerëz që janë prekur me historinë time. Mua nuk më komplekson aspak që njerëzit të ndiejnë një lloj dhembshurie, të njëjtën dhembshuri do ta kisha për këdo që kalon në një betejë me sëmundjen apo me jetën”, ka thënë autorja.

Në një ton të qetë e rrëfyes, ajo ka ndarë edhe ndjenjat e para pas diagnostikimit.

“Historia ime, e parë nga fundi është një histori e bukur, por e parë nga fillimi është një histori tragjike. Trembesh për vdekje kur dëgjon atë diagnozë të rrezikshme. Fillimisht me një ndjenjë faji, me një ndjenjë turpi, pata ndjesinë që jeta ime ishte një gabim, diku mund të kisha gabuar edhe unë. U ndjeva pjesë e një padrejtësie, pjesë e një pabesie, por kjo ishte vetëm në javët e para”, ka thënë ajo, duke shtuar se forca mendore është po aq e rëndësishme sa ajo fizike.

Rrëfimi i saj ka marrë dimension intim në çastet kur ka kujtuar hezitimin për t’u treguar familjarëve dhe momentin e lehtësimit pas hapjes.

Pas përfundimit të diskutimeve e fjalimeve, Kazhani është ndalur t’i takojë prej afër të pranishmit, të japë autografe në faqet e librit të saj dhe të bisedojë me njerëzit që e kanë ndihmuar gjatë gjithë asaj periudhe.

Lindita Sejdiu, profesoreshë dhe e mbijetuar dy herë nga kanceri i gjirit ka folur me emocione për afërsinë që ka ndier me librin dhe me autoren, duke rrëfyer se ende nuk ka mundur ta lexojë të gjithë librin.

“Jam shumë e lumtur që e takova Mirën. Njësoj si ajo, kam përjetuar diçka edhe më keq. Vazhdoj të mendoj si Mira, vazhdoj të mos e ndal punën dhe vazhdoj t’u tregoj të tjerëve që vetëm ashtu jetohet. Veç me pozitivitet sende të tilla kalohen, i lumtë Mirës! E kam lexuar veç kapitullin e parë dhe të fundit, epilogun. Nuk po mund të hyj, besoj që më duhet një periudhë më e qetë emocionale për ta nisur”, ka thënë ajo për KOHËN.

Është nënvizuar se shtëpia botuese “Dora D’Istria” ka vendosur që të hyrat nga shitja e librit t’ia lërë autores. Mbrëmja ka përfunduar me duartrokitje të gjata, me njerëz që afrohen për ta përqafuar autoren dhe për t’i dhënë librin për autograf. Siç kishte thënë ajo vetë, “historia e saj, e parë nga fundi, është e bukur”. Dhe të premten, ajo bukuri është ndarë me të gjithë.